Ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë Hoti, Vesel Krasniqi, është duke u hetuar për mashtrim.
Sipas dokumenteve që i ka siguruar KOHA, saktësisht dy vjet më parë, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve të Veselit.
Ai së bashku me pesë persona të tjerë dyshohet që kanë mashtruar një qytetar që jeton në Norvegji. Rasti ka të bëjë me shitblerjen e një banese në Prishtinë.
Agim Kastrati ka paguar 60 mijë euro për këtë banesë, por ai thotë se ajo i ishte shitur dikujt tjetër para tij.
Megjithëse kundër Veselit ka aktvendim për hetimin e tij, ai nuk është intervistuar nga prokurorja e rastit.
Avokatja që e përfaqëson të dëmtuarin në këtë rast, Saranda Keqekolla ka thënë se hetuesia nuk e ka gjetur Krasniqin edhe pse ai ishte zëvendësministër.
Vesel Krasniqi në Qeverinë PAN ka qenë zëvendësministër i Bujqësisë. Në atë kohë prokurorja e rastit kishte autorizuar policinë që ta intervistonte në cilësinë e të dyshuarit.
Gjatë ditës mediat kanë raportuar se Krasniqi ishte i akuzuar edhe në një rast tjetër për vetëgjyqësi, porse në shkallën e parë është liruar.
LDK-ja si partia më e madhe e koalicionit pati premtuar se asnjë anëtar kabineti nuk do të kishte dosje penale.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.