Në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, i shoqëruar nga zv.ministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, zv.ministri i Mbrojtjes, Adnan Rexheplar dhe ambasadori norvegjez në Kosovë, Jens Erik Grondahl, sot realizoi vizitën në komunën e Dragashit. Me këtë rast, ai u prit nga kryetari i komunës së Dragashit, z. Shaban Shabani dhe stafi tij në përbërje prej nënkryetarëve, drejtorëve të drejtorive komunale dhe komandantit të policisë së Dragashit.
Në takimin e zhvilluar, ministri Mehaj u njoftua nga kryetari Shabani me zhvillimet dhe aktivitetet politike dhe institucionale në komunë, të arriturat e përgjithshme në të gjitha fushat si dhe sfidat aktuale me të cilat ballafaqohen udhëheqja dhe qytetarët e kësaj komune. Gjithashtu, ata falënderuan Ministrin Mehaj, për vizitën dhe interesimin e tij duke shprehur mirënjohjen për gatishmërinë e përhershme të FSK-së për mbështetje dhe ndihmën konkrete të ofruar me të gjitha kapacitetet e saj duke rikujtuar edhe operacionin e madh të kërkim-shpëtimit të njësive të FSK-së, në fshatin Restelicë, në shkurt të vitit 2012.
Gjithashtu, në këtë takim, u diskutua edhe për angazhimin e përbashkët për inkuadrimin edhe më të madh të të rinjve dhe të rejave nga radhët e komuniteteve në FSK nga kjo komunë. Sa i përket çështjes së sigurisë, u vlerësua lart angazhimi i përfaqësuesëve të FSK-së në kuadër të Këshillit Rajonal për Siguri të Prizrenit sikur që u vlerësuan si shumë të mira marrëdhëniet ndëretnike në mesin e banorëve të kësaj komune.
Nga ana e tij, ministri Mehaj falënderoi për pritjen dhe vlerësoi të arriturat e deritashme të udhëheqjes të komunës, duke shprehur gatishmërinë për angazhimin e tij konkret në të mirën e qytetarëve të kësaj komune. Ai u njoftoi se ndër prioritetet e tij do të jetë rritja e numrit të pjesëtarëve nga radhët e komuniteteve në FSK, për çka kërkoi angazhimin konkret të të gjitha autoriteteve.
Në vazhdim , autoritetet komunale të Dragashit, kërkuan mbështetje nga ana e Ministrit Mehaj edhe në fushën e infrastrukturës, turizimit etj, për çka morën zotimin e ministrit për trajtim serioz të kërkesave të tyre , bazuar në obligimin kushtetues dhe ligjor për mbështetje ushtarake të autoriteteve civile dhe qytetarëve tanë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.