Mosplanifikimi i duhur ia humb Komunës së Dragashit grantin qeveritar mbi 100 mijë euro

Opoja.net Opoja.net Opoja

Shkollat e Komunës së Dragashit mbetën pa furnizim me material për parandalimin e virusit Covid-19, ani pse dy herë kishte fitues të tenderit. Së pari fitues i tenderit ishte kompania e “Samire Osmani B.I.”, ndërsa pasi tenderi u kthye në rivlersim fitues u shpall “Matkospharm “Sh.p.k-”, edhe pse komuna këtij të fundit ia refuzoi ankesën. Mosplanfikimi i duhur ka bërë që mjetet që ishin të destinuara për këtë tender t`i kthehen buxhetit të shtetit pasi ishin grant qeveritar.

Hiq më pak se 109 mijë e 400 euro vendosi t’i ndajë Komuna e Dragashit për furnizim me material për parandalimin e virusit Covid-19 për nevojat e shkollave të kësaj komune për vitin shkollor 2020/2021.

Për ta kyer këtë shërbim, Komuna e Dragashit kishte marrë nga Ministria e Financave një grant në vlerë prej 100 mijë euro.

Në dokumentin e dërguar nga zyrtari i prokurimit të Komunës së Dragashit Nuro Ismaili, shihet se më 26 nëntor 2020, është bërë kërkesa në Ministrinë e Financave dhe Transfereve për alokimin e mjeteve. Mirëpo, komuna e Dragashit nuk ka sqaruar nëse këto mjete kanë qenë të ndara më herët apo pikërisht kur është hapur tenderi.

 

Zyra e Prokurimit e kësaj komune për ta siguruar këtë material më 12 tetor 2020 kishte hapur tender, ku afati për dorëzimin e ofertave ishte deri më 19 tetor të po këtij viti.

Në këtë aktivitet të prokurimit komuna kërkonte dozer për dezinfektim 1000 mililitër, dezinfektues për duar 5 litër, dezinfektues hapësinor, termometer laserik, oximeter, maska, stenda dezinfektues, dezinfektues për duar 500 mililitër, maska mbrojtëse PVC, spërkatëse 1.5 litër dhe spërktaëse 18 litër.

Në tenderin e hapur kishin ofertuar shtatë operator ekonomik ku Komuna e Dragashit vendosi që kontratën t’ia jep operatorit të dytë ekonomik me çmimin më të lirë “Samire Osmani B.I.” në vlerë prej 52 mijë e 488 euro, më 2 nëntor të vitit 2020, ani pse çmimin më të lirë, e kishte ofruar një ofertues tjetër.

AWA SH.P.K.,Vlora Krasniqi B.I kishte ofruar një çmim prej 47 mijë e 392 euro, por komuna këtë tender e shpalli të papërgjegjshëm me arsyetimin se nuk ka ofruar licencë nga AKPM-ja, dhe derisa në kontratë kriter është kërkuar që operatori të jetë qarkullues me shumicë dhe pakicë, ofertuesi ka ofruar vetëm qarkullim me pakicë.

Të papërgjegjshëm komuna e Dragashit kishte shpallur edhe pesë ofertues të tjerë.

Por, me këtë vendim të komunës nuk ishte pajtuar njëri prej operatorëve ekonomik.

Tri ditë pas dhënies së tenderit operatori ekonomik “Matkospharm “Sh.p.k”, bëri ankesë në komunë ndaj OE-së, “Samire Osmani B.I.” nën arsyetimin se ky i fundit nuk e posedon certifikatën me shumicë dhe se po ashtu nuk i plotëson kërkesat sipas certifikatave CE dhe ISO.

Nga “Matkospharm “Sh.p.k”, tregojnë arsyen e ankesës.

“Pas shikimit të dosjes së kompanisë fituese kemi vërejtë se OE i shpallur fitues nuk i ka plotësuar kushtet që janë kërkuar në tender dhe për këtë edhe kemi bërë ankesë”, thuhet në përgjigjen e “Matkospharm “Sh.p.k”.

Por, Zyra e prokurimit e Komunës së Dragashit pas shqyrtimit të ankesës më 11 nëntor 2020 mori vendim që ta refuzojë këtë ankesë duke konstatuar se të gjitha pretendimet e OE “Matkospharm “Sh.p.k”, janë të paqëndrueshme.

Por, “Matkospharm “Sh.p.k”, nuk u ndal me kaq. Vendosi që të ankohej edhe në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

E, pas kësaj Organi Shqyrtues i Prokurimit mori vendim që lënda të kthehet në rivlerësim.

Komisioni i ri për vlerësim vendosi që më 14 dhjetor 2020 ta shpallë fitues të tenderit “Matkospharm “Sh.p.k”, për të kryer këtë furnizim në vlerë prej 62.586 euro.

Por, në platformën elektronike E-Prokurimi nuk gjendet fare ky dokument i cili përshkruan në detaje vendimin e Organit Shqyrtues të Prokurimit, që shtyri zyrën e prokurimit të Komunës së Dragashit ta shpallë fitues.

Pra, Komuna e Dragashit u detyrua që t’ia jep tenderin “Matkospharm “Sh.p.k”, vetëm pasi ky operator ekonomik bëri ankesë në OSHP, derisa ankesën e tyre për fillim ua kishin refuzuar.

Si ishte kthyer në rivlerësim ky tender

Komuna e Dragashit tregon se si erdhi deri te refuzimi i ankesës së njërit prej operatorëve ekonomik, dhe më pas dhënia e tenderit pikërisht këtij operatori pasi që lënda u kthye në rivlerësim.

“Më 2 nëntor të vitit 2020 kemi shpërblyer me kontratë OE “Samire Osmani”, me çmimin më të lirë, më pas kemi pasur ankesë për rishqyrtim ndaj Autoritetit Kontraktues nga OE “Matkospharm sh.p.k.”. Ne si Autoritet Kontraktues e kemi hedhur poshtë si të pabazë kërkesën për rishqyrtim, e më pas OE është ankuar në OSHP, dhe vendimi i OSHP-së ishte që lënda të kthehet në rivlerësim. Ankesa e OE “Matkospharfm” në OSHP ka qenë bazë që komisioni i ri për vlerësim e ka shpërblyer me kontratë këtë operator ekonomik. Po e përsërisim edhe njëherë nga vendimi i OSHP-së për rivlerësim të tenderit e kemi shpërblyer OE “Matkospharfm”, pasi që vendimi i Autoritetit Kontraktues për të shpërblyer OE “Samire Osmani”, është konstatuar i padrejtë”[1], ka thënë Nuro Ismaili zyrtar i prokurimit në Komunën e Dragashit.

Por, me ta shpallur fitues “Matkospharm sh.p.k.”, OE “Samire Osmani”, ka kërkuar pranë komunës qasje në dokumente zyrtare, çka ka bërë që përsëri ky aktivitet i prokurimit të pezullohet.

Përpos këtij dokumenti në E-prokurim nuk figuron asnjë dokument tjetër, ku tregon që a ka bërë ankesë OE “Samire Osmani”, apo jo.

Ndërsa, në kompaninë e “Samire Osmani”, nuk kanë dashur të flasin për këtë çështje, për siç ka thënë se ka kaluar kohë dhe nuk dëshirojnë të deklarohen.

Komuna e Dragashit shpjegon se si e humbi grantin qeveritar mbi 100 mijë euro

Komuna e Dragashit nuk është treguar e saktë me afatet kohore rreth këtij aktiviteti të prokurimit, çka bëri që për shkak të mosplanifikimit të duhur të humb grantin qeveritar në vlerë prej 109 mijë e 400 euro.

Autoriteti kontraktues më 15 dhjetor 2020 e kishte pezulluar këtë aktivitet përsëri, pasi OE “Samire Osmani”, ishte ankuar. Pezullimi zgjati deri më 26 mars të vitit 2021, kur komuna njoftoi operatorët ekonomik për anulimin e këtij aktiviteti të prokurimit në tërësi, ani se ishte shpallë fitues një operatorë ekonomik.

Në njoftimin e komunës thuhej se për shkak të përfundimit të vitit fiskal 2020 ky projekt nuk mund të realizohet, pasi që këto mjete janë kthyer suficit meqë kanë qenë grant qeveritar.

Por, komuna ka shpjeguar më në detaje se si ndodhi që ky aktivitet të anulohet.

“Ky aktivitet i prokurimit është anuluar sepse mjetet buxhetore të parapara për këtë projekt ishin nga granti qeveritar dhe me datë 25.12.2020 mbyllen të gjitha pagesat nga thesari dhe mjetet e mbetura të paekzekutuara kthehen në suficit të buxhetit[2]”, ka thënë Nuro Ismaili zyrtar i prokurimit në komunën e Dragashit.

Madje, thonë se për vitin 2021 më nuk kishin planifikuar një furnizim të tillë për nevojat e shkollave.

“Mjetet e grantit qeveritar janë kthyer në suficit të buxhetit, dhe ato mjete gjenden në buxhetin e Kosovës, dhe se për vitin 2021 nuk ishte planifikuar të bëhej një furnizim i tillë për faktin se askush nuk mundet të parasheh se çka do të ndodhë me pandeminë Covid-19, pasi që ishte një sëmundje e paparashikueshme edhe për stafin profesionl shëndetësor, dhe se nga ajo kohë më nuk kemi zhvilluar antivitet të prokurimit për furnizim me mjete antiCovid”[3], ka thënë Nuro Ismaili zyrtar i prokurimit në Komunën e Dragashit.

Njohësja e prokurimit kritikon komunën e Dragashit

Që zyrtarët komunalë nuk kanë treguar përkushtim rreth procedurave të prokurimit e thotë edhe njohësja e prokurimit publik, Diana Metushi.

Ajo kritikon zyrtarët e komunës së Dragashit, pasi me vonesat për të hapur këtë aktivitet të prokurimit, jo vetëm që e kanë humbur grantin qeveritar, por edhe kanë rrezikuar nxënësit dhe mësimdhënësit.

“Sikur Komuna e Dragashit të kishte iniciuar procedurat e prokurimit menjëherë pas fitimit të garantit qeveritar, dhe të kishte proceduar rivlerësimin e ofertave menjëherë pas pranimit të ankesave dhe jo në fund të afateve ligjore, Komuna do të kishte kohë të mjaftueshme për të bërë dhënien e kontratës, me ç’rast mjetet e nevojshme do të reflektonin në buxhetin e vitit vijues si detyrime të obligueshme. Megjithatë, një mos përkushtim me urgjencë nga zyrtarët e komunës për zhvillimin e procedurës në fjalë ka bërë që jo vetëm komuna ta humb këtë grant, por nxënësit dhe mësimdhënësit të rrezikohen apo dëmtohen meqë kërkesa ishte për “Furnizimi me material për parandalimin e virusit COVID-19 për nevojat e shkollave të Komunës së Dragashit për vitin shkollor 2020-2021”, është shprehur Metushi.

Ankesa e kompanisë pas anulimit të aktivitetit të prokurimit

Kompania “Matkospharm sh.p.k.”, vendosi që përsëri ta sfidonte Komunën e Dragashit.

Bëri përsëri ankesë më 02.04.2021 në Organin Shqyrtues të Prokurimit për vendimin e komunës, pasi që kjo e fundit anuloi aktivitetin e prokurimit, meqë vendimin e komunës e vlerësojnë si jo të duhur.

“Ne e vlerësojmë jo të duhur vendimin që Komuna e Dragashit nuk na ka shpërblyer me kontratë edhe pse janë plotësuar të gjitha kërkesat me arsyetimin e tyre që mjetet kanë qenë donacion dhe për arsye të mbylljes së buxhetit mjetet janë tërhequr prapa nga thesari i shtetit dhe arsyetimin e kanë dhënë se nuk kanë mjete për ta përmbushur këtë kontratë. Për këtë vendim të tyre është dashur që ne të shtrojmë prapë ankesë në Organin Shqyrtues të Prokurimit, mirëpo na ka ikur afati dhe për këtë çështje ne kemi mbetur të humbur”[4], ka thënë Egnat Vitija nga kompania “Matkospharm sh.p.k”.

Ndërsa, vetëm pesë ditë më vonë më 07.04.2021 Zyra e Prokurimit e Komunës së Dragashit i ka kthyer përgjigje kompanisë për ankesën e paraqitur.

Në përgjigjen e komunës e cila është kthyer nga zyrtari përgjegjës për prokurim Nuro Ismaili, thuhet se ankesa e tyre është bërë “jo sipas dokumentit standard që e ka publikuar Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik (KRPP) si dhe ankesa është bërë jashtë afatit për ankesë dhe kërkesë për rishqyrtim sipas nenit 4 pika C dhe nenit 7.1.a., duke u bazuar në rregullat që adoptojnë, plotësojnë dhe japin sqarime për paraqitje të kërkesës për rishqyrtim pranë Autoriteve Kontraktuese, parashtrim të ankesave pranë OSHP-së dhe vlera e tarifave të ankesave si dhe duke u bazuar në nenin 8.1.1 të kësaj rregulloreje të aprovuara nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik i cili në pajtim me Nenin 87, paragrafi 2, nënparagrafin 2.8 dhe nenin 118, paragrafi 1, të Ligjit mbi prokurimin Publik nr.04/L-042, i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr 04/L-237, ligjin nr 05/L-068 dhe ligjin nr.05/L-092[5].

Si përfundim janë nxjerrë disa konkluzione:

  • Ka pasur vonesa në kthimin e përgjigjeve nga Komuna e Dragashit ndaj operatorëve ekonomik për ankesat e bëra
  • Komuna e Dragashit së pari hapi tenderin, e pastaj kërkoi nga Ministria e Financave dhe Transfereve mjetet për këtë tender
  • Pas dështimit të tenderit, shkollat kanë mbetur pa pajisje mbrojtëse kundër pandemisë Covid-19 për vitin shkollor 2020/2021

Rekomandimet e propozuara për Komunën e Dagashit:

  • Komuna e Dragashit t’iu kushtojë më shumë vëmendje afateve kohore në mënyrë që të mos zgjaten procedurat e pastaj të humben grantet qeveritare si ky tani
  • Të jetë më e shpejtë në kthimin e përgjigjeve ndaj palëve, për shkak që edhe këto të fundit të mos humbin afatet kohore sa u përket ankesave
  • Të ketë më shumë kujdes në trajtimin e ankesave dhe mos të merr vendime që pastaj prapë këto vendime të kthehen prapa

Jehona Zhuniqi është gazetare me shtatë vjet përvojë pune në mediat kosovare. Zhuniqi fillimisht ka punuar në Agjencinë e Lajmeve Kosovapress e pastaj në televizionin Tribuna Channel. Po ashtu ka punuar edhe në mediat online (portale), ku edhe aktualisht është gazetare në portalin FrontOnline.  Ka shkruar për sektorin e politikës dhe ekonomisë, por pa lënë anash as shkrime për prokurimin, sigurinë e çështje tjera të cilat janë kërkuar nga redaktorët.

Deklaratë mohimi:

 Ky artikull është botuar në kuadër të projektit “Kontribut në gjetjen e shkeljeve në prokurim publik të institucioneve në luftën kundër pandemisë COVID-19” i financuar nga BE, implementuar nga Demokraci Plus (D+). Përmbajtja e këtij shkrimi është përgjegjësi e vetme e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e D+ dhe të Bashkimit Evropian.

[1] “Përgjigje ka kthyer Nuro Ismaili zyrtar i prokurimit në Komunën e Dragashit. Kërkesa ka qenë që të dihet se cila është arsyeja që ia kanë anuluar tenderin OE “Samire Osmani”. Kërkesë për këtë përgjigje është bërë me datën 13 tetor 2021, ndërsa përgjigja është kthyer më 14 tetor 2021.

[2] “Përgjigje ka kthyer Nuro Ismaili zyrtar për prokurim në Komunën e Dragashit. Pyetja ka qenë: Më, 14 dhjetor të vitit 2020 ia keni dhënë kontratën pikërisht OE “Matkospharm”, Sh.p.k pse ia keni dhënë tenderin (keni shpërblyer me kontratë) këtë operator derisa njëherë ia keni refuzuar ankesën? Pyetja është dërguar më 13 tetor 2021, ndërsa përgjigja është marrë të nesërmen më 14 tetor 2021

[3] “Përgjigje ka kthyer Nuro Ismaili zyrtar për prokurim në Komunën e Dragashit. Pyetja ka qenë: Ku kanë mbetur ato mjete të grantit qeveritar? Pyetja është dërguar më 13 tetor 2021, ndërsa përgjigja është marrë të nesërmen më 14 tetor 2021

[4] “Përgjigje ka kthyer Egnat Vitija nga kompania “Matkospharm sh.p.k”. Pyetja ka qenë: Ju keni qenë njëri prej operatorëve ekonomik që keni mrrë pjesë për t’u shpërblyer me kontratë për këtë çështje nga komuna e Dragashit, si e vlerësoni këtë proces ku njëherë jeni shpërblyer me kontratë, e në fund komuna e ka anuluar komplet aktivitetin e prokurimit? Pyetja është dërguar më 13 tetor 2021, ndërsa përgjigja është marrë po të njëjtën ditë

[5] Kjo përgjigje e kthyer ndaj kompanisë “Matkospharm sh.p.k”,  nga zyrtari për prokurim i Komunës së Dragashit, Nuro Ismaili është marrë në dokumentin që është publikuar në platformën elektronike E-Prokurimi

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-