Myket Shkolla e Rinovuar-Nxënësit Udhëtojnë me Kilometra për Mësim

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Hazer Meleqi, drejtori i Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Ilmi Bahtijari” në fshatin Blaq të Komunës së Dragashit nuk po lejon nxënësit e saj të mësojnë në objektin e rinovuar, pasi shkolla është mykur ende pa u kryer punimet në të.

Shkolla ndodhet në prag të përfundimit të renovimit, ndërsa drejtori thotë se punimet nuk janë kryer sipas projektit të paraparë.

“Nuk ka pasur kushte, ….renovimi është bë, po nuk është sipas projektit, nuk është përfunduar ashtu siç ka qenë në projekt dhe kam qenë i detyruar që të kryhet punimi, pastaj t’i bij nxënësit,” shpjegon drejtori.

Ai tregon se edhe pse ka pasur kërkesë që nxënësit të vijojnë mësimin në shkollën e rinovuar, ai nuk ka dashur të rrezikojë shëndetin e tyre.

“Ka pasur kërkesë, por nuk kam pranuar, ka qenë komplet shkolla me myk. Është dashur të bëhet njëherë një kontroll sanitar, pasi që komuna nuk ka intervenuar, nuk ka intervenuar as Ministria e Arsimit, të shikojnë se a ka kushte, se a rrezikohet shëndeti i nxënëseve, unë ka vendosur, që të mos kthehen nxënësit deri të mos bëhet gëlqerosja,” thotë Meleqi.m

Por, kryetari i Komunës së Dragashit Salim Jenuzi nuk pajtohet me atë që e thotë drejtori.

“Kujtoj që punimet janë të kryera mirë, bile në bazë të fjalëve shumë mirë, dyshemeja është e kryer por nuk janë vendosur anësoret rreth murit, ju i keni pa që e keni vizituar shkollën, se janë anësoret atje, por pas gëlqerosjes do të vendosen edhe ato anësoret dhe puna kryhet,” jep mendim të kundërt Jenuzi.

Kryetari i Dragashit nuk pranon që drejtori nuk po lejon nxënësit të kthehen në shkollë, por thotë se hapja e kësaj shkolle u vonua për shkak se tash duhet të bëhet edhe gëlqerosja e saj.

“Shkollës i është ndërruar edhe kulmi, pra në tërësi i është ndërruar pullazi i shkollës dhe e dini që vitit që shkoi ka pasur reshje më të mëdha dhe gjatë ramjes së shiut në pllakën e shkollës janë dëmtuar edhe klasat e shkollës dhe tani me siguri e keni pa që janë duke u ngjyros dhe pas ngjyrosjes së këtyre klasave, normal që edhe mësimi do të fillojë,” shpjegon Jenuzi.

Por objektit të shkollës “Ilmi Bahtijari” të Blaqit të Dragashit, ku vijojnë mësimet edhe nxënësit e fshatit Zaplluxhë, jashtë ka nisur t’i bie fasada, ndërsa brenda dyshemeja dhe pllakat nuk janë vendosur si duhet.

Kryetari Jenuzi thotë se edhe këto probleme do të evitohen pas gëlqerosjes.

Prindërit paguajnë transportin e nxënësve

Shkollës që nuk po punon në Blaq më së shumti po ia shohin sherrin nxënësit e Zaplluxhës që duhet të udhëtojnë disa kilometra për mësim në shkollën e fshatit Zgatar.

Prindërit e nxënësve të Zaplluxhës janë organizuar dhe me shpenzime personale ua kanë siguruar fëmijëve të tyre udhëtimin drejt Zgatarit.

Nxënësit e Blaqit shkojnë këmbë në këtë shkollë, pasi e kanë më afër.

Drejtori i shkollës së Blaqit Hazer Meleqi tregon se ka kërkuar nga komuna transport pa para për nxënësit e Zaplluxhës.

“Ndërsa për nxënësit e fshatit Zaplluxhë, largësia është më e madhe, është dashur me siguruar transport nga organet komunale. Kërkesa ime ka qenë edhe me shkrim edhe me gojë, fillimisht më kanë premtuar që do të bëhet organizimi, premtimet kanë mbetur vetëm në tavolinë,” thotë Meleqi.

Kryetari i Dragashit Salim Jenuzi, tregon pse komuna nuk plotësoi kërkesën për transport.

“E vërtetë është se komuna i bartë nxënësit për në shkollë, por nëse është lartësia më e madhe se 4 km, ndërsa prej Zaplluxhës deri në Zgatar, unë kujtoj që gjatësia mund të jetë 2600- 3000 m,” shpjegon Jenuzi.

Në Zgatar aktualisht po mbajnë mësim përveç të ardhurve nga Blaqi dhe Zaplluxha, edhe nxënësit e këtij fshati.

Një orë mësimi në këtë shkollë zgjat 30 minuta, punohet në dy ndërrime dhe me një numër të madh nxënësish nëpër klasë.

Kështu do të vazhdojë deri sa shkolla e rinovuar e Blaqit të jetë e gatshme për procesin mësimor.

(Kallxo)

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-