Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” ka ndaluar përkohësisht mbledhjen e boronicave në të gjithë territorin e parkut, pas shtimit të rasteve të mbledhjes së tyre në mënyrë të paligjshme dhe para pjekjes së plotë.
Sipas njoftimit zyrtar nr. 202/DAPKSH/26, të datës 17 korrik 2026, ndalesa do të jetë në fuqi deri më 1 gusht 2026, datë kur nis zyrtarisht sezoni i mbledhjes së këtij fruti pyjor.
Nga Drejtoria bëhet e ditur se gjatë javës së fundit, veçanërisht në territorin e komunës së Dragashit, është vërejtur një numër i madh personash që kanë mbledhur boronica në mënyrë të paligjshme, ndonëse ato ende nuk kanë arritur pjekurinë e nevojshme.
Autoritetet rikujtojnë se të gjithë personat fizikë dhe kompanitë që merren me mbledhjen dhe grumbullimin e boronicave në territorin e Parkut Kombëtar “Sharri” duhet të pajisen me leje përkatëse nga Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”.
Drejtoria u ka bërë thirrje qytetarëve dhe operatorëve ekonomikë që të respektojnë afatet dhe rregullat në fuqi, me qëllim mbrojtjen e ekosistemit dhe shfrytëzimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

