Ndërroi jetë Plaku i Maleve – Haxhi Rizan Halimi !

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kronika Opoja

Në orët e para të ditës së sotme, në moshën 83-vjeçare ka ndërruar jetë haxhi Rizan Halimi nga fshati Kuklibeg i Opojës, i njohur si Plaku i Malëve.

Lajmin për vdekjen e Rizan Halimit e ka publikuar sot në mëngjes në profilin e tij  në facebook, gazetari, poeti e publicist Demir Reshiti i cili shkruante:
“Nuk e thonë kot se shpirtin e kemi shokun më të lig… Dje në drekë pimë kafe bashkë, ndërsa sot në orët e hershme të mëngjesit mora një telefonatë nga i biri i tij Naimi se Rizan begu ka ndërruar jetë dhe se varrimi bëhet sot në drekë!!! Lajm që më shtangu…
Në verë ia pata bërë një vizitë në shtëpinë e tij. U pata gëzuar që i ishte përmirësuar dukshëm gjendja shëndetësore pas një përkeqësimi që kishte pasur… I pati ardhur shumë mirë…
Dje u takuam në treg në Bresanë. Pasi u ndamë e u përshëndetëm më kapi edhe një herë për krahu dhe këmbënguli që ta pinim nga një kafe bashkë. Në tavolinë me ne ishte edhe Yrfeti i Pllajnikut, Ferik Mustafa dhe tezaku i im Emin Kamberi. Iu gëzuam të gjithë gjendjes së tij shëndetësore. E tërë biseda zhvillohej rreth jetës, të kaluarës, por edhe planeve për të ardhmen…
U ndamë me një shtrëngim duarsh më të ndryshëm se herët tjera. Kush do ta besonte se ky do të ishte takimi i fundit?!

Haxhi Rizani që ne e njohim si Plaku i Maleve, ishte personalitet i respektuar jo vetem në Opojë por edhe më gjërë. Ndonëse kishte diferencë të madhe moshe me ne, ai na ka mbështetur gjithmonë në aktivitetet tona, veçmas në fillim të viteve 90-ta në Aksionin mbarëkombëtar për Pajtimin e Gjaqeve, Plagëve e ngatërresave…
Njeri i urtë e i mençur, i pa luhatur në tabanin kombëtar. Të tillë do ta kujtojmë për jetë të jetëve.
Krenar që e patëm,
I përjetshëm qoftë kujtimi për Plakun e Maleve,
Allahu e bëftë prej banorëve të xhenetit,
Amin!”

Vdekja e Plakut të maleve e ka tronditur edhe ish-kryetarin e komunës së Sharrit, prof. dr. Hajriz Meleqi i cili në profilin e tij  në facebook ka shkruar: “Sot Opoja po i jepë lamtumirën e fundit një personaliteti emblematik të saj Rizan Halimit (plakut të maleve).
Lajmi për vdekjen e tij na tronditi pa masë.
Ishte trim dhe nuk i trembej syri as në ditët me të vështira nga soldateska serbe.
Ishte patriot i denjë i çështjes kombëtare. Gjithmonë në ballë të aksioneve.
Në gjeneratën e tij nuk mund ta gjeje një njeri me bujar se ai. Kishte mençuri dhe maturi. Ishte një pikë mbështetje për të gjithë ne.
Ishte një akumulator i energjisë pozitive.
Opoja dhe Komuna e Sharit humbi një njeri që dha shumë për të sotmen tonë.
Çka mund të bëjmë ne sot për të, vetëm që t’i lutemi Zotit që t’a shpërblejë me xhenet axhen Rizan!”

Ndërkaq konsulli i Kosovës në Francë, prof. Mitat Fejza, ka shkruar: “Me pikëllim të thellë e mora këtë lajm. Për veprimtarin e palodhur që kishte vetëm PO, kudo ku punohej ,bisedohej e veprohej për çështjen kombëtare. Frikës i kishte shpallur luftë kaherë. Edhepse epiteti për të ishte Plaku i Malëve, ai ishte i ri, në çdo aksion dhe mbështetje e fuqishme edhe e atyre që maleve sollen flakadanët e lirisë. Do ta kujtojmë gjithmonë guximin, humanitetin dhe bujarinë e tij. Ai ishte udhërrëfyes për brezat, i cili gjithëçka dha për atdheun, pa dashur të marr asgjë nga ai. Do të jetë përherë simbol për ne. Zoti na takoft në xhenet!”

Varrimi i haxhi Rizan Halimit është bërë sot në drekë në varrezat e fshatit Kuklibeg me pjesëmarrje masive të qytetarëve nga të gjitha vendbanimet e Opojës dhe mysafirëve të shumtë nga vise tjera të Kosovës dhe Maqedonisë të cilët ishin tubuar për t’ia dhënë lamtumirën e fundit Plakut të maleve.

© Opoja.net

VDIÇ PLAKU I MALEVE TË OPOJES – RIZAN (HALIMI) BEGU
1933 – 18.12.2016

Emri i Rizan Begut (1933) është i njohur në tërë popullatën e Opojës. Ky emër është i njohur edhe jashtë trevës së Opojës. Emri i Rizan Begut është i njohur te shumë veprimtar të çështjes kombëtare në vende të ndryshme të Kosovës, siç është i njohur edhe në Maqedoni. Shumë veprimtarë e përmendin me respekt e pijetet të veçantë këtë emër. Dhe kanë arësye për këtë. Rizan Begu është i njohur te të gjitha shtresat e popullatës në komunën e Sharrit. Jo vetëm në Opojë, por edhe në Gorë. Atë e njohin edhe pleqtë, edhe të rinjtë, sidomos veprimtarët, qofshin këta të gjeneratave të vjetra, të mesme apo të reja. Rizan Begu i takon të gjitha gjeneratave: edhe moshës së vjetër, edhe moshës së mesme, edhe moshës së re.
Sa herë ka patur nevojë që të zhvilloheshin aktivitete të ndryshme, protesta, mbledhje, angazhime konkrete, këshilla etj – Rizan Begu ishte aty, me tërë qenien e tij, me tërë shpirtin e tij.
Rizan Begu ishte njeri tokësor, ai kurdoherë ishte i tillë. Nuk i kishte në qejf lavdërimet. Nga Rizan Begu, asnjëherë, asnjë fjalë, askush, nuk ka mundur ta dëgjojë, duke e lavdëruar veten. Rizan Begu e dinte se ai që i këndon këngë vetes, e vret këngën.
Të punosh me Rizan Begun ishte nderë dhe obligim. Nderë, për arësye se ai me tërë atë që e kishte, ia kushtoj çështjes së përgjithshme. Kurse obligim, për faktin se Rizan Begu nuk e shikonte njeriun se sa vjet i kishte. Është i ri apo plak. Ai e shikonte se çka po thotë ai njeri dhe varësisht nga kjo, e përkrahte pa rezervë. Kur Rizan Begu kishte besim te dikush, ai nuk kërkonte sqarime për një punë që duhej bërë. Kurr nuk kërkonte të dinte në hollësi pse duhej bërë, apo edhe nëse dikush nxirrte dilemë rreth asaj se a duhej bërë një punë, Rizan Begu ishte i pari ai që e zhdukte dilemen. I pari ai hidhej në aksion për ta bërë. Kjo të impononte detyrimisht respekt të veçantë për Rizan Begun. Çdo punë që duhej bërë duhej analizuar mirë, nga se po doli keq ishte turp të dilje para Rizan Begut. Ai asnjëherë nuk kërkonte ta fajsonte dikë për ndonjë lëshim eventual. Donte të ishte pjesëtar edhe në përgjegjsitë e ndonjë pune të pabërë. Ai e dinte se nuk kishte në fakt përgjegjësi, por donte të futej në përgjegjësi bashkë me përgjegjësit, në mënyrë që puna të bëhej. Rizan Begu nuk pritonte të ecte edhe në këmbë, qoftë në protesata, mbledhje dhe aktivitete të ndryshme.
Jo rastësisht populli e quajti i Plaku i Maleve. Rizan Begu edhe me veturë, edhe me para, edhe me aktivitet fizik, ishte kudo ndër të parët. Edhe në formimin e subjekteve politike, pas rënies së komunizmit; edhe në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut; e sidomos në aksionin e pajtimit të gjaqeve, plagëve dhe ngatërresave.
Rizan Begu nuk kishte fakultet të kryer, por kishte fakultetin e jetës dhe angazhimeve të mëdha mbi supet e veta. Kishte përvojën jetësore, vuajtjet që kishte përjetuar. Rizan Begu kishte edhe mençuri popullore. Te figura e Rizan Begut ishin gërshetuar: mentaliteti i malësorit, të kombinuara me virtytet e njeriut të urtë, të një njeriu të vendosur, dhe një trimi racional. Rizan Begu veprimet joracionale të ndonjë të riu i gjykonte, duke e këshilluar që të mos vepronte kokë me vete dhe në ndikimin e emocioneve momentale. Kur Rizan Begu e merrte fjalën për të biseduar në odë, në mbledhje, e sidomos në pajtime, detyrimisht të impononte respekt për ta dëgjuar. Imponimin e respektit me atë thjeshtësinë e vet, me atë butësinë e fjalëve, si dhe me ashpërsinë e qëndrimit, bënte që të kishte respekt edhe pala që hezitonte për momentin për t’u pajtuar, me mendimet e Këshillit të Pajtimit, ku pas fjalëve të Rizan Begut, në shumë raste gjërat ndryshonin për të mirë.
Rizan Begu bashkë me shumë veprimtarë të tjerë nga Opoja, merrte edhe rrugë të gjata udhëtimi. Ai e dinte se problemi i Kosovës pa luftë nuk do të zgjidhej, prandaj me kohë iu bashkua veprimtarëve, të rinjëve. Sa për ilustrim, po përmendim vetëm shkuarjen në Maqedoni, në Tetovë, Veshallë, Bozovc, Brodec e Shipkovicë më 1991. Edhe ardhjen e tyre në Opojë, ku patën ndenjur e biseduar për hallet që e kishin kapluar shoqërinë shqiptare. Koha tregoi se Rizan Begu kishte të drejtë.
Dera dhe konaku i Rizan Begut ishte i hapur kurdoherë. Aty kanë ngrënë bukë shumë përsonalitete të ndryshme politike e kulturore nga Opoja e vende të ndryshme.
Për Rizan Begun, përkatësia partiake ishte e parëndësishme, formale. Ai te njeriu e shihte burrërinë, sjelljet, vendosmërinë, pra me një fjalë i shihte “punën dhe jo gunën” siç do të thoshte Naim Frashëri.
Edhe nëse kryhej ndonjë punë e mirë dikund dhe Rizan Begun nuk e kishin ftuar, ai nuk hidhërohej. I gëzohej pa masë punës së kryer dhe respektin për ata që e kishin kryer punën, e kishte të njejtë sikur t’a kishin ftuar edhe atë.
Rizan Begu i gëzohej pa masë suksesit të të gjithë njërëzve: qoftë kjo në biznes, shkollë, punë, në shkencë, në art e kulturë.
Plaku i maleve të Opojës – Rizan Begu, edhe në moshë të shtyrë, deri në ditën e fundit ishte me kthjelltësi e vitalitet të madhë mendor e shpirtëror, përkundër shëndetit jo gjithherë të mirë. Rizan Begu, ishte një enciklopedi e vuajtjeve të Opojës, e veprimtarisë së Opojës, e punëve të mira dhe të liga që kanë kryer njërëzit në Opojë. Ai dinte edhe për ngjarjet në të cilat nuk i kishte jetuar vetë. Pra dinte edhe për ngjarjet e viteve 1912, 1913, siç dinte edhe për ngjarjet e mëvonshme. Ai këto gjëra i kishte mësuar nga pleqtë e tjerë, duke i regjistruar në kokën e tij. Pastaj ato ngjarje, rrëfime, ia bartte të rinjëve. Rizan Begu nuk kishte se si të mos i dinte edhe ngjarjet e pasluftës së dytë në Kosovë. Ato ngjarje e kanë prekur thellë shpirtin e Rizan Begut. Marrja e njerëzve në polici, rrahjet, torturat në valë të ujit, zhveshja në borë e acar kanë lënë gjurmë të pashlyera në kujtesën e Rizan Begut. E si mos ti dinte kur nga antarët e familjes së tij ishin rrahur babai e mixhallarët (Ajdini, Beqiri e Shaipi)? Dhe jo vetëm kaq! Më 1956 edhe vet Rizan Begu ishte torturuar rëndë me preteksin e kërkimit të armëve në të ashtuquajturin “aksioni për mbledhjen e armëve”.
Te përsonaliteti i Rizan Begut, të gjithë veprimtarët shihnin motivimin për të vazhduar më me ngulm në aktivitetet e tyre kombëtare.
Të përsonaliteti i Rizan Begut, shumë të rinjë kishin parë vendosmërinë dhe si rrjedhojë frymëzimin për t’iu bashkuar edhe radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Të përsonaliteti i Rizan Begut, shumë njërëz të pasur duhet të gjejnë frymëzim për të treguar bamirësinë dhe humanizmin.
Të përsonaliteti i Rizan Begut, shumë të rinjë duhet të shohin motivimin dhe vendosmërinë për suksese në punë e në jetë.
Plaku i Maleve të Opojës ka qenë, dhe do të mbetet përherë burim frymëzimi për të gjithë.
Plaku i Maleve të Opojës – Rizan Begu është shembulli më i mirë i gërshetimit të vetëdijes njerëzore dhe ndërgjegjes kombëtare.
Lavdi jetës dhe veprës së Rizan Begut. I paharrueshëm qoftë kujtimi për Plakun e Maleve të Opojës. /Bedri Halimi/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-