Një ibadet i harruar

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Artikuj

Një nga çështjet shumë të rëndësishme për
shoqërinë është t’i ndihmojmë të tjerët. Vepra më e bukur që na afron tek
Zoti është të sjellim gëzim në zemrat e të tjerëve, dmth, ta gëzojmë tjetrin në
çfarëdo mënyre që do t’i sjellë dobi atij, ose do ta bëjë të lumtur, ose do t’i
bëjë ndonjë të mirë tjetër. Ky është mesazhi universal i Islamit.

Transmetohet se Pejgamberi (savs), ka thënë: “Më
i preferuari i Allahut është ai, që është më i dobishëm për njerëzit, kurse vepra
më e preferuar e Allahut është futja e gëzimit në zemrën e muslimanit, ose largimi
i pikëllimit prej tij, ose shlyerja e borxhit të tij, ose largimi i urisë prej
tij.”
(Taberani)

“Kush e largon nga
besimtari një nga fatkeqësitë e kësaj bote, Allahu do t’ia largojë atij një
fatkeqësi në Ditën e Gjykimit. Kush ia lehtëson një vështirësi një të vuajturi,
Allahu do ta lehtësojë atë në dynja dhe në ahiret. Kush e mbulon turpin e një
muslimani, Allahu do ta mbulojë turpin e tij në dynja dhe në ahiret. Allahu e
ndihmon robin e tij, për aq kohë sa ai e ndihmon vëllain e tij (me fe).”
(Muslimi)

Njerëzit e ndershëm i kalojnë ditët duke u ndihmuar
të tjerëve, dhe dëshirojnë që jeta e tyre të zgjatet në mënyrë që të kalojnë sa
më shumë kohë në shërbim të umetit.

Said el-Mardas bin Hudajr ka thënë: “Sikur
t’i kisha dy shpirtra: njërin që të përpiqem në rrugën e Allahut, kurse me tjetrin
tu shërbej muslimanëve për nevojat e tyre.”

Paraardhësit tanë të tillë e sakrifikuan
pasurinë dhe jetën e tyre nga bindja ndaj Allahut dhe për të bërë mirë.
Historia dëshmon për hajrate të shumta (vakëfe), të cilat i kanë lënë
muslimanët me qëllim të shërbimit të njerëzve. Kjo, sepse e kuptuan se në ndihmën
ndaj të tjerëve ka përfitim të madh universal.

Hasan el-Basriu ka thënë: “Më e dashur
për mua është t’ia plotësoj nevojat e një vëllai musliman, sesa të qëndroj në itikaf
për dy muaj.”

Paraardhësit tanë fisnikë shkonin tek të
tjerët për t’i pyetur nëse kishin nevojë për ndonjë gjë. Kur ia lanë xhenazen Zejnul-abidin
bin Husejnit, në shpatullat dhe supet e tij vërejtën gjurmët e plagëve, të
shkaktuara nga çantat e rënda duke u ndihmuar të varfërve dhe jetimëve.

Kur një njeri i kërkoi Omer Ibn Hattabit (r.a.),
që të urdhërojë mbulimin e Qabesë me mëndafsh, Omeri u përgjigj: “Për mua
janë më të rëndësishëm stomakët e uritur të muslimanëve.”

Ata janë përpjekur në çdo mënyrë të mundshme
ta ndihmojnë umetin;
– ose duke i ushqyer të uriturit,
– ose duke ndihmuar për të gjetur zgjidhje dhe rrugëdalje nga ndonjë situatë,
– ose për të evituar vështirësitë e dikujt,
– ose për t’u kujdesur për jetimet dhe personat e sëmurë,
– ose për të shlyer borxhin e dikujt,  
– ose për të ofruar shtëpi për nevojtarët,
– ose për të ndihmuar të varfrit që të martohen dhe t’i mbajnë familjet e tyre,

– ose për të përgatitur iftare për agjëruesit,
– ose për të paguar fidjen për ata që nuk janë në gjendje të agjërojnë,
– ose për të thirrë në Islam,
– ose për të përhapur dituri dhe shkrim-lexim, e të ngjashme.

Ata i shërbyen umetit dhe e sakrifikuan jetën dhe pasurinë e tyre në këtë rrugë, andaj le ta ndjekim ne shembullin e tyre!

Perktheu: Miftar Ajdini

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-