Kryeministri në detyrë i Kosovë, Albin Kurti, ka thënë se s’do të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në kuadër të dialogut Kosovë – Serbi, pa u dorëzuar kryeterroristi Milan Radoiçiq fillimisht.
Po ashtu ka thënë se duhet të tërhiqet letra e ish-kryeministres të Serbisë, Ana Bërnabiq.
“Ka pasur informacion ndoshta Kaja Kallas që qëndrimi i Beogradit do të ndryshojë, por Beogradi natyrisht duhet ta dorëzojë Milan Radoiçiqin bashkë me ata 44 kryekriminelët paraushtarakë të tjerë të cilët e vranë rreshterin, heroin tonë Afrim Bunjakun dhe pastaj vazhduan edhe me sulme të ngjashme siç ishte hedhja e Kanalit Ibër-Lepenc në ajër, e para ndodhi në shtator 2023, e dyta në nëntor 2024″.
“Duhet të dorëzohet Radoiçiqi, duhet të tërhiqet letra e Ana Bërnabiqit që ka qenë kryeministre asokohe ku thotë që nuk respektohet integriteti territorial i Kosovës nga ana e Serbisë. Dy vjet e gjysmë nuk ka ndodhë takim në Bruksel në kuadër të dialogut. Edhe pas 7 qershorit duhet të plotësohen këto kushte si masa të mirëbesimit”, ka thënë Kurti në KTV.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

