Gjykata Themelore në Prizren ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për shoferin e kamionit të betonit, nga i cili u shkaktua vdekja e një punëtori në lagjen “Arbanë” në Prizren.
I pandehuri A.G. po dyshohet për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi, ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës (me pasoja vdekjen e një personi)”.
Siç thuhet në njoftimin e gjykatës, i pandehuri nuk e ka vendosur në mënyrë të sigurt pompën e betonit, ku gjatë procesit të zbrazjes së betonit ka ndodhur një rrëshqitje e saj, dhe si pasojë është shkëputur një gyp nga pompa, i cili e ka goditur viktimën V.M. në kokë, duke i shkaktuar vdekjen.
Viktima Valmir Morina, 25-vjeçar, ishte duke punuar në betonimin e pllakës së objektit, kur dyshohet se është goditur nga auto-betoniera.
Ndërkaq, pas daljes së hetuesve në vendin e ngjarjes, dyshohet se i dyshuari A.G., person përgjegjës për auto-betonierën, nuk e kishte siguruar mjetin në mënyrë adekuate gjatë procesit të punës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

