Njeriu si njësi matëse e historisë

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Libri i autorit Mehmet Maksudoglu është një libër me vlera të veçanta jo vetëm për historinë osmane në tërësi por edhe për historinë shqiptare në një kuadër më të ngushtë. Është një këndvështrim që i duhet detyrimisht edhe historiografisë shqiptare sepse e bën më të lehtë dhe më të frytshme qasjen krahasimtare me historinë e pjesëve të tjera të shtetit osman. Përmes kësaj qasje krahasimtare që është e domosdoshme në studimet historike, arrihet të krijohet një ide më e qartë mbi pozitën por edhe rolin dhe rëndësinë që trojet shqiptare kishin në kuadër dhe në krahasim me vendet e tjera.

Një aspekt me rëndësi i punimit është koncepti që autori ka për historinë e një shtetit me rëndësi në historinë botërore si ai osman. Ajo që bie në sy është se autori befason pritshmërinë e lexuesit, që do ta mendonte se qasja e tij është osmanocentrike, turkocentrike apo islamocentrike. Në fakt nuk është asnjëra nga këto. Është humanocentrike. Pra në qendër të historisë dhe qasjes së tij nuk është në fakt shteti osman, por njeriu në përgjithësi, dhe veçanërisht nënshtetasi osman. Në këtë mënyrë kriter bazë për autorin është qytetari, njeriu, nënshtetasi dhe mirëqenia e tij. Shteti Osman shihet apo testohet përmes përmbushjes së kësaj detyre të mirëqenies së qytetarit dhe mbi shkallën e arritjes së kësaj. Për autorin, Shteti Osman është në rrugë të mbarë atëherë kur qytetarët apo nënshtetasit e tij janë të mbrojtur nga abuzimet e pushtetit dhe nga ana tjetër është në rrugë të gabuar, kur të drejtat e nënshtetasve nuk respektohen si duhet, kur pushtetarët korruptohen, madje kur vetë institucioni i sulltanit gërryhet nga lakmia për luks e hedonizëm.

Pikërisht ky humanocentrizëm, kjo vendosje e njeriut në qendër të historisë mungon në historiografinë tonë. Në se njësi matëse e historisë është njeriu, atëherë bëhet edhe më e matshme historia. Kështu për shembull mund të përmend një rast kur ky parim mund të na sjellë në përfundime që janë të pamundura të arrihen në se e zhveshim historinë nga njeriu. Autori na thotë se Katib Çelebiu, historian i madh osman, thotë se Duka i Venedikut ishte i barasvlefshëm me rangun e Bejlerbeut në administratën osmane.[1] Atëherë në se vendosim si njësi matëse të historisë njeriun, do të mund ta shtrinim krahasimin në rastin e historisë shqiptare. Kështu, në se një bejlerbe osman ishte në të njëjtin rang me dukën e Venedikut, pyetja e parë që do të mund të bëhej është: sa dukë shqiptarë kemi pasur në shtetin osman dhe sa në republikën e Venedikut? Përgjigja do të ishte se, ndërsa në Venedik, shqiptarët nuk arritën kurrë të bëhen dukë, në shtetin osman të tillë ishin me dhjetëra.

Vlerë tjetër e librit dhe e qasjes se autorit, është se punimi është i zhveshur nga ekstremizmi fetar që për fat të keq e ka pllakosë historiografinë shqiptare. Ekstremizmi është një fatkeqësi që i ka pllakosë shoqëritë gjithnjë, por historiani nuk duhet të ndikohet nga asnjë ekstremizëm madje duhet të jetë shembull i kundërshtimit logjik të tij. Me të drejtë autori pohon se “prania osmane në Afrikën e Veriut, kishte shpëtuar vendin nga kthimi i tij në një Andaluzi të dytë”.[2]

Edhe strukturimi i librit ka një vlerë të veçantë dhe ka domethënien e vet. Pjesa e parë (1289-1453) pasqyron periudhën që nga “themelimi i Devletit Osman”, pjesa e dytë (1453-1699) jep “Shtrirjen e Devletit Osman”. Interesant është fakti që përmend autori se deri në vitin 1606, kur u nënshkrua Traktati i Zitvatorokut statusi i të gjithë mbretërve të Evropës ishte i barabartë me atë të Sadrazamit Osman, ndërsa Sulltani Osman mbeti suprem ndaj gjithë atyre. Me këtë traktat osmanët e njohën mbretin e Austrisë me titullin Cezar, duke bërë që ia të vinte në një nivel të barabartë me atë të Sulltanit të tyre. [3]

Pjesa e tretë, (1699-1922) është një studim i rënies graduale të Devletit Osman.

Roli i Ali Pashë Tepelenës, është shumë interesant dhe autori hedh dritë mbi faktin që intrigat e fanarit u bënë shkas që shteti osman t’i kundër vihej pashait të Janinës[4].

Qasja krahasimtare nuk mungon në libër. Një qasje e tillë është thelbësore për të kuptuar proceset historike. Kështu është me interest fakti që na kujton autori që sipas rregullave të Stefan Dushanit fshatarët duhet të punonin dy ditë në javë për pronarët e tyre, ndërkohë që osmanët iu kërkonin atyre të punonin vetëm 3 ditë në vit për spahiun.[5] Në këtë kontekst mund të kuptohet edhe konstatimi i autorit që në kohën e trazirave që përfshinë Shtetin Osman në dekadën e dytë të shek. XV dhe ndërkohë që osmanët ishin të angazhuar në luftën civile, nuk u zhvillua asnjë revoltë në territoret e reja të përvetësuar në rajonin e Europës.[6]

Nga të dhënat e autorit Prof. Dr. Maksudoglu vërejmë edhe fakte të cilat kalojnë pa u vlerësuar sa duhet në shqyrtimet që kanë të bëjnë me dinamikën e pushtetit osman në shek. XV. Një nga këto është fakti që zgjerimi i pushtetit osman pati peripecitë dhe pengesat e veta jo vetëm në Ballkan, por edhe në Anadoll, jo vetëm nga kundërshtitë e të krishterëve të Ballkanit por edhe nga ato të muslimanëve të Anadollit. Në Anadoll shquhej për kundërshtimin e pushtetit osman Bejliku i Karamanit. Në vitin 1451, Bejliku i Karamanit që kishte trashëguar Konjan, që ishte rivendosur nga Emiri Timur, vazhdoi përpjekjet për zgjerimin e territoreve. Kështu pushtoi edhe Bejlikun e Germijanit. Ushtria osmane u rifitoi Akshehirin, Saidlein, Bejshehirin dhe rrethuan Konjan, por nuk e morën. Në këtë vit 1451 u nënshkrua një traktat mes tyre sipas të cilit osmanët morën disa qytete dhe e futën Bejlikun e Karamanit nën vasalitet, duke paguar tribut.[7] Në këtë kontekst vendoset edhe aleanca serbo-hungareze me Karamanin. Despoti serb Vuk Brankovic, luajti një rol të rëndësishëm për lidhjen e aleancës midis Mbretit hungarez Sigismundit dhe Ibrahim Beut të Bejliku të Karamanit. Ushtria hungareze rrethoi Gyverxhinlikun (Kolombok) në brigjet e Danubit dhe Ibrahim Beu sulmoi dhe pushtoi Bejshehirin, por pa sukses dhe në vitin 1434 kështjella e Gyverxhinlikut shpëtoi nga rrethimi.[8]  Kur Murati II, u kthye nga fushata e tij në Karaman, Is’hak Beu, sanxhakbeu i Shkupit e kishte informuar sulltanin mbi rolin e despotit serb në lidhjen e aleancës midis Karamanoglut dhe mbretit të Hungarisë.[9]

Nga ana tjetër edhe aleatët e osmanëve përfshinin jo vetëm aktorë politikë nga myslimanët e Anadollit por edhe nga të krishterët e Ballkanit. Kështu, në vitin 1437, sulltan Muradi kaloi Danubin dhe hyri në territorin e Transiilvanisë. Brankovici (1427-1450) dhe pricni i Vllahisë, Vlad Drakul (1432-1446) u bashkuan me osmanët dhe morën gjashtë qytete. [10]

Autori pasi na bën të ditur se mbas marrjes së Kostandinopojës sulltani emëroi patriark të kishës ortodokse Genadiosin dhe u dha të gjithë jomyslimanëve liri të plotë besimi pohon  se një tolerancë e tillë ishte e paimagjinueshme për Evropën, madje nuk është e ligjërueshme as nga politikanët perëndimorë në ditët tona.[11] Paraprakisht sipas praktikës më të mirë islame dhe parimet e humanitetit, Sulltan Mehmet Fatihu kishte kërkuar nga sundimtari bizantin Konstantini XI që ta dorëzonte qytetin në mënyrë paqësore, në mënyrë që të evitohej gjakderdhja e panevojshme, kur fati i qytetit tashmë ishte i qartë.[12]Perandori  bizantin nuk pranoi dorëzimin paqësor të pushtetit duke rrezikuar në këtë mënyrë jo  vetëm banorët e rrethuar, por edhe të ardhmen e tyre nën sundimin e ri. Megjithatë, në vend të hakmarrjes që popullsia e qytetit priste, perandori i ri Mehmeti II Fatihu, në atë kohë i ri, energjik dhe vizionar, arriti të kryejë një tranzicion paqësor të pushtetit nga linja perandorake bizantine që ishte treguar e paaftë për të përmbushur detyrën e vet, si zotërues të urës lidhëse më të rëndësishme mes Europës dhe Azisë, mes Mesdheut dhe Detit të Zi, dhe si trashëgimtarë të perandorëve të shquar romakë.[1

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-