Libri “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” shënon një kontribut mjaft domethënës të Dr. Nuridin Ahmetit në ndriçimin e një teme shumë të rëndësishme, por pak të trajtuar në studimet tona historike. Punimi në fjalë është fryt i një pune kërkimore sistematike e të gjithanshme të autorit në arkiva e biblioteka, një pasqyrë e qartë e formimit të shëndoshë dhe e kompetencës së tij të admirueshme për të shtruar e analizuar, në pajtim me kërkesat e një metodologjie rreptësisht shkencore, të gjitha çështjet e ndërlikuara që rrok përmbajtja e këtij libri.
Prof. dr. Ferit Duka, dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe të Edukimit në
Universitetin Europian të Tiranës
Libri “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare” i Dr. Nuridin Ahmetit në qendër të studimit dhe të analizimit ka ndërlidhjen dhe kontributin e elitave fetare në kapërcimin e dallimeve religjioze përbrenda etnitetit shqiptar, si dhe afrimin e besimtarëve me një kauzë të re dhe të domosdoshme për kohën, pra me atë të identitetit të përbashkët kombëtar, aq shumë të luftuar nga grupacionet e tjera etniko-fetare përbrenda Perandorisë Osmane dhe shteteve të reja ballkanike, si: Mali i Zi, Greqia, Serbia dhe pjesërisht nga Bullgaria. Ndërsa merita kryesore e autorit, Dr. Nuridin Ahmeti, është se ai me këtë vepër ridëshmon, edhe njëherë, se procesi i vetëdijesimit kombëtar shqiptar, ashtu si te popujt e tjerë, ka filluar gjithashtu, ndonëse me shumë pengesa dhe vështirësi, me përkthimet dhe ushtrimin e veprimtarisë religjioze në gjuhën amtare, për t’u shndërruar më pastaj në elitën e saj politike dhe kulturore.
Dr. doc. Memli Krasniqi, shef i Degës së Historisë në Institutin Albanologjik-Prishtinë
Prijësit tanë fetarë, të cilët edhe pse me vokacion nuk ishin politikanë, me vetëdijen e tyre morale e politike – si sintezë e dy komponentëve kryesorë: patriotizmit dhe besimit, – u vunë në krye të ngjarjeve të mëdha të kombit. Ndonëse roli i tyre ishte vendimtar në këto ngjarje, megjithëkëtë, historiografia jonë nuk i ka trajtuar drejt dhe meritueshëm. Libri “Krerët fetarë në Lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, i autorit Dr. Nuridin Ahmeti, i shkruar me kompetencë dhe akribi shkencore e në mënyrë objektive, të paanshme, reale, përmes gjuhës së fakteve e argumenteve të shkruara dhe si rezultat i një pune disavjeçare nëpër arkiva e biblioteka të vendit dhe jashtë, – përbën një kontribut me vlerë dhe plotëson zbrazëtirën e krijuar në zbardhjen dhe ndriçimin e rolit të krerëve fetarë në Lëvizjen tonë Kombëtare.
Dr. sc. Sadik Mehmeti, punonjës shkencor në Arkivin Shtetëror të Kosovës