Allahu i Madhëruar urdhëron:
“Në të vërtetë, besimtarët janë vëllezër, andaj pajtojini vëllezërit tuaj midis tyre dhe kijeni frikë Allahun, në mënyrë që të mëshiroheni.” (Huxhurat, 10)
Pra, për shkak se besimtarët janë të gjithë të mbledhur nën flamurin e teuhidit, ata janë si vëllezër të lindur prej një nëne dhe një babai. Prandaj, nëse midis vëllezërve shfaqen grindje dhe debate, atëherë pajtojini ata.
“…Mos e nënçmoni dhe mos e qesëndisni njëri-tjetrin me nofka (të këqija)! Sa e shëmtuar është të thirresh me emër të keq pas (pranimit të) besimit!..” (Huxhurat, 11) Nisur nga kjo, nëse dikush e shan ose i thërret vëllait të vet me një emër të papëlqyeshëm, ai duhet të nxitojë të bëjë teube, të pendohet tek Allahu.
Pra, o besimtarë, nëse bëni gabim dhe shani njëri-tjetrin me fjalë të këqija, është njësoj sikur keni sharë veten tuaj, sepse besimtarët janë si një person i vetëm në vëllazërinë islame. Për rrjedhojë, nëse një besimtar shahet ose përçmohet me diçka, është njësoj sikur janë sharë dhe përçmuar të gjithë besimtarët.
Shkaku i zbritjes së ajetit fisnik në lidhje me përgojimin, ishin përgojimet ndaj Selman Farisiut (r.a.):
Në disa udhëtime, i Dërguari i Allahut (a.s.), e caktonte Selman Farisiun (r.a.), si ndihmës të dy personave që përgatitnin ushqimin. Njëherë, Selman Farisiun (r.a.), e kishte marrë gjumi dhe nuk e kishte përgatitur ushqimin. Dy personat e dërguan Selman Farisiun (r.a.), te Profeti (a.s.), që të merrte ndonjë ushqim që mund të kishte tepruar. Selman Farisiu (r.a.), shkoi tek Usame bin Zejdi (r.a.), i cili përgatiste ushqimin e të Dërguarit të Allahut (a.s.). Kur Usame bin Zejdi (r.a.), i tha se nuk kishte ngelur më ushqim, Selman Farisiu (r.a.), u kthye dhe u tha se nuk kishte ngelur më asgjë për të ngrënë.
Më pas, këta dy persona filluan ta përgojonin Selman Farisiun (r.a.), duke thënë: “Edhe nëse e çon në një pus me ujë, kthehet pa ujë!”. Madje thanë edhe se, gjoja i Dërguari i Allahut (a.s.), paska pasur ushqim, por Usame bin Zejdi (r.a.), nuk i paska dhënë.
Kur këta dy persona erdhën para të Dërguarit të Allahut (a.s.), ai tha:
“Ç’po ndodh me mua, që po shoh copa mishi jeshile në gojën tuaj!?” Ata thanë:
“Ne nuk kemi ngrënë mish o i Dërguar i Allahut!” Mirëpo, Profeti u tha:
“Keni përgojuar Selmanin. Nëse një besimtar përgojon vëllain e tij, është njësoj sikur i ka ngrënë mishin!”
Ja pra, sipas Haizit dhe Bejdaviut, pas kësaj ngjarjeje u zbrit edhe ai ajet fisnik.
Njëherë, Ebu Dherri (r.a.), i foli rëndë Bilal Habeshiut (r.a.), duke e thirrur: “O biri i gruas së zezë!” Menjëherë pas kësaj, Bilali (r.a.), u ankua tek i Dërguari i Allahut (a.s.), i cili tha:
“O Eba Dherr! A po e shan për shkak të nënës së tij? Domethënë, ti paske ende prej moralit të injorancës brenda teje”Më pas vazhdoi e tha:
“Ka nga ata vëllezër që janë nën urdhrat tuaja, të cilët Allahu i Madhëruar ua ka besuar juve!” (Buhari) Pra, Profeti (a.s.), ka urdhëruar që edhe pse janë ende robër, me ta duhet të silleni si vëllezër!
Më pas, për t’i fituar përsëri zemrën Bilal Habeshiut (r.a.), Ebu Dherri (r.a.), e vendosi faqen në tokë dhe tha: “Nuk do të ngrihem nga këtu derisa Bilali të më shkel me këmbën e vet në fytyrë!”
Ja pra, në këtë hadith fisnik, ka shumë këshilla mësimdhënëse për ne, umetin e Muhammedit (a.s.).
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.