Sot në objektin e Shkollës Profesionale në ‘Mejdan’ të Shajnes u mbajt edicioni i dytë i Panairit ne Produkte Vendore Lokale, ku u ekspozuan dhe promovuan produkte, biznese dhe veprimtari të shumta ekonomike që operojnë në Komunën e Dragashit.
Panairi i Produkteve Vendore Lokale ‘EXPO SHARRI’ u organizua nën patronatin e kryetarit të Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, nga Shoqata e Afaristëve “SHARRI”.
Nga Qeveria qendrore e pranishme ishte ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari.
Kryetari Xheladini i falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe organizatorët e këtij Panairi, të cilin e cilësoi si ngjarje me rëndësi të madhe për komunën tonë dhe një mundësi të shkëlqyer për të promovuar shumëllojshmërinë e prodhimeve autoktone të zonës tonë të pasur me burime të shumta natyrore.
Të pranishmëve me nga një fjalë rasti iu drejtuan edhe kryetari i Shoqatës së Afaristëve “SHARRI”, afaristi z.Burim Piraj, përfaqësuesi i Këshillit të Grupit “Besa-Besë”, z.Smajl Balaj, si dhe ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, znj.Rozeta Hajdari, e cila i përmendi edhe të arriturat e ministrisë që ajo udhëheq në fushën e tregtisë, industrisë dhe ndërmarrësisë.
Pas vizitës që i bënë Panairit, Kryetari Xheladini e priti ministren e MINT në një takim në zyrën e tij, me ç’rast patën një bashkëbisedim lidhur me nevojën për bashkëpunim më të thellë në mes të Komunës së Dragashit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës, sa i përket realizimit të projekteve të rëndësishme siç janë Ujësjellësi kryesor, rruga Dragash – Brod dhe projekte të tjera.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.