Për fermerin Masar Piraj thënia “Pastërtia është gjysma e shëndetit” nuk vlen vetëm për njeriun, por edhe për kafshët. Ai përveç higjienës së kafshëve rendësi të madhe i kushton edhe vendit të mbajtjes së tyre. Ndërkaq, sipas ekspertëve të blegtorisë, shëndeti i kafshëve dhe cilësia e qumështit varen shumë nga higjiena e stallës.
Blegtori Masar Piraj nga fshati Plavë i Dragashit, është një nga fermerët më të mëdhenj të kësaj komune. Ai në fermën e tij moderne, të ndërtuar me mjete vetanake, ka 75 krerë lopë qumështore, mëshqerra dhe vica. Lopët janë të racës Holshtejn i kuq (Red Holstein) të njohur ndryshe edhe si “makineria” e prodhimit të qumështit. Piraj ndoshta nuk është fermeri më i madh në Kosovë, por ai është një nga fermerët e pakët në vendin tonë, që për nga pastërtia në stallën e tij, mund të konkurroj edhe me fermat e fermerëve nga vendet perëndimore.
I pyetur nga portali “Ferma Ime” për arsyen e kujdesit të veçantë për pastërtinë e lopëve dhe stallës, fermeri Piraj deklaron se aty ku është pastërtia është jeta dhe shëndeti. “duke u nisur nga njerëzit, por edhe nga gjithë bota e gjallë aty ku është pastërtia është jeta” thotë ai.
Niveli i lartë i pastërtisë si tek lopët ashtu edhe tek stalla ku i mban lopët sipas fermerit Piraj ka ndikuar shumë në cilësinë e qumështit dhe shëndetin e mirë të lopëve. Siç tregon ai, qumështi në fermën e tij në bazë të analizave të bëra edhe nga Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë klasifikohet në kategorinë ekstra klasë.
“Shumë e ndiej veten të kënaqur, kur në analizat e bëra qumështit, që unë e dorëzoj në piken grumbulluese qumështi klasifikohet në kategorinë ekstra klasë”, thekson Piraj. Por, siç tregon ai, kategorizimi në ekstra klasë i qumështit që ai e dorëzon në pikën grumbulluese nuk e bënë të mburret vetëm për të ardhurat e tij materiale, por edhe për sigurinë që nga ai qumësht i pastër do të ushqehen fëmijët dhe pjesa tjetër e popullatës.
Edhe eksperti i blegtorisë, Medin Zeqiri, tregon se higjiena e qumështit varet nga pastërtia e stallës ende pa u mjelë lopa dhe gjatë punës së mjeljes. “Disa nga procedurat që duhet të ndjekin fermerët para, gjatë dhe pas mjeljes së lopëve janë: Pastrimi i gjinjve, tharja e gjinjve pas pastrimit me ujë, vendosja e gotave mjelëse, dezinfektimi i gjirit pas mjeljes dhe në fund behet pastrimi i mirë i makinës mjelëse”, tregon Zeqiri.
Procedurat që duhet të ndjekin fermerët para, gjatë dhe pas mjeljes së lopëve e ilustruara me foto.
Ai më tejë shton, se papastërtitë në qumësht vijnë nga ajri i stallës, kafsha mjelëse, gjiri, personi që kryen mjeljen e lopës, enët dhe pajisjet për mjelje, shtroja e stallës, ushqimi, uji i ndotur, insektet etj.
Vlen të përmendet që këtë vit krahas mbështetjes përmes subvencionimit me nga 50 euro për krerë të lopëve qumështore, Ministria e Bujqësisë ka filluar edhe me subvencionimin për cilësinë e qumështit. Janë planifikuar 1.5 milion euro, përmes të cilave do të subvencionohet çdo litër qumështi e kategorizuar në nivele të ndryshme. Për kategorinë e qumështit ekstra klasë, prodhuesit do të subvencionohen me 0.06 euro, për klasën e parë me 0.04 euro dhe për klasën e dytë me 0.02 euro për litër të qumështit të dorëzuar në qumështoret e licencuara./FermaIme/
Disa foto nga ferma e fermerit Masar Piraj në Fshatin Plavë në Komunën e Dragashit
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.