Që kur janë shpallur zgjedhjet e parakohshme parlamentare 2021, nëpër studio televizive e rrjete sociale janë prezantuar sondazhe nga më të ndryshme. E shpeshherë, rezultatet e këtyre sondazheve nuk janë pranuar nga subjektet politike, të cilat i kanë cilësuar si sondazhe të porositura.
Megjithatë, edhe përfaqësues të subjekteve politike kanë dhënë parashikimin tyre për zgjedhjet e 14 shkurtit, përcjell Telegrafi.
Lëvizja Vetëvendosje;
Kandidati për deputet nga Lëvizja Vetëvendosje, Armend Muja, ka thënë se partia e tij në këto zgjedhje do të dalë e para, duke siguruar kështu 62 ulëse në Kuvend.
“LVV 62 ulëse, komunitetet 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 15 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës 15 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 ulëse”, thotë Muja në parashikimin e tij në RTV Dukagjini.
Partia Demokratike të Kosovës;
Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, ka dhënë parashikimin e tij sa i përket zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Sipas Tahirit, PDK në këto zgjedhje do të dalë e para, me 32 ulëse në Kuvend.
“Partia Demokratike e Kosovës 32 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 28 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës 24 ulëse, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 8 ulëse”, ka pohuar Tahiri.
Lidhja Demokratike të Kosovës;
Kandidati për deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, ka pohuar së partia e tij do të dalë fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit, duke siguruar 31 ulëse në Kuvend.
“Lidhja Demokratike e Kosovës 31 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 27, Partia Demokratike e Kosovës 25, komunitetet 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 10, Nisma Socialdemokrate 7”, ka deklaruar Veliu.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës;
Kandidati për deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Dardan Islami, ka dhënë parashikimin e tij për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Sipas Islamit, LVV do të jetë partia e parë, pastaj LDK, transmeton Telegrafi.
“Lëvizja Vetëvendosje 44, Lidhja Demokratike e Kosovës 21, komunitetet 20, Partia Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 15”, është shprehur ai.
Nisma Socialdemokrate;
Kandidati për deputet nga Nisma Socialdemokrate, Bilall Sherifi, ka dhënë parashikimin e tij për zgjedhjet e së dielës, duke pohuar se LVV do të sigurojë 44 ulëse.
“Nisma Socialdemokrate 7 ulëse, Lëvizja Vetëvendosje 44 ulëse, komunitetet 20, Lidhja Demokratike e Kosovës 20, Partia Demokratike e Kosovës 20, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës 9”, ka potencuar ai.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentarë do të mbahen më 14 shkurt, ku në garë për kryeministër janë katër kandidatë: Albin Kurti (LVV), Enver Hoxhaj (PDK), Avdullah Hoti (LDK), Fatmir Limaj ( Nisma Socialdemokrate).
Ndërkohë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ( KQZ) është duke bërë përgatitjet finale për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare, më 14 shkurt.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për Telegrafin se kanë arritur fletëvotimet, dhe të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve.
“Mund t’iu konfirmoj se fletëvotimet kanë arritur në Kosovë. Të shtunën do të shpërndahen në depot e Komisioneve Komunale të Zgjedhjeve, ndërsa të dielën në mëngjes për në 888 qendra të votimit të cilat kanë gjithsej 2 mijë e 382 vendvotimet”, theksoi Elezi.
Në Listën Përfundimtare të Votuesve, votues me të drejtë vote për këto zgjedhje janë 1 milion 794 mijë e 862 votues, ndërsa janë shtypur 1 milion e 617 mijë e 200 fletëvotime përfshirë fletëvotimet rezervë.
Sot (12 shkurt) është afati i fundit që të mbërrijnë votat nga diaspora, po ashtu sot përfundon edhe fushata zgjedhore e subjekteve politike. /Telegrafi/
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.