Plavës së Opojës, i bën hije vetëm Koretniku

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Fshati Plavë është një prej fshatrave pitorske të krahinës së Opojës. Përveç natyrës së bukur, ajo ka edhe objekte karakteristike, si tyrbja. Burim Piraj, kryetar i fshatit, shprehet për “Kosova Sot” se Plava është e shtrirë në pjesën perëndimore të Opojës, rrëzë malit të Koretnikut, dhe është një nga fshatrat më të mëdha të trevës së Opojës me një traditë të lashtë të ruajtjes dhe kultivimit të vlerave kombëtare dhe fetare. Sipas tij, karakteristike është se fshati është si një rrafshnaltë në pllajë, që ngrihet mbi 1000 metra lartësi, nga mendohet se rrjedh dhe emri i fshatit. Ndryshe, fshati ndodhet rreth 7 km në veri të qendrës komunale të Sharrit. Në anën lindore të fshatit kalon lumi me të njëjtin emër Lumi i Plavës. Ky fshat gjithashtu konsiderohet edhe si udhëkryq që lidh fshatrat e Opojës me ata të Gorës e të Prizrenit. Ky fshat kufizohet me fshatrat Buçe, Brezne, Brrut, Zym, Rrenc, Shajne dhe Krahinën e Gorës. Dikur thuhet se ka qenë fshati më i madh në regjionin e Opojës ku edhe sot e kësaj dite shumë vende si p. sh. në Brrut thirren Barqet e Plavës ose Mali i Plavës që lë të kuptohet se kufijtë e Plavës kanë qenë në lindje deri në fshatin Zaplluxhë e Bresanë, në veri me fshatin Zhur e Billushë në perëndim me rrëzat e Koretnikut dhe në jug me fshatin Rapq. Ndryshe historia e këtij fshati në dokumentet e shkruara daton qysh në kohën e Perandorisë Osmane (1515), ku përmenden vendbanimet e Opojës dhe të ardhurat në akqe (njësi monetare e Perandorisë Osmane) e mes tjerash edhe Plava. Por, sipas Pirajt, gjurmët e banimit të këtij fshati shkojnë edhe më tej në lashtësi, pasi janë gjetur gjurmë të një kishe gjatë hapjes së themeleve të një shtëpie afër vendit të quajtur “Kroi i Madh”.

“Kjo le të kuptohet se ky vendbanim është edhe më i hershëm”, ka thënë Piraj. Po ashtu, gjatë hapjes së një kanali për kullimin e arës tek vendi i quajtur “Larza”, një banor i këtij fshati ka gjetur portretin e kokës së Aleksandërit të Madh të shkrirë në bronz, e që sot gjendet në muzeun e Kosovës. Këtë artefakt e ka gjetur Dyn Bojaxhiu dhe ia ka dhuruar historianit Enver Baftiut. Sipas këtij të fundit, nga ky fshat kanë dalë edhe figura të njohura. “Në kujtimet e Spiro Kosovës, Shqipëria e viteve 1912-1964 nga dr. Marenglen Verli, përmendet se Fetah Din Plava (Cenaj), ka qenë përfaqësues i Opojës gjatë viteve 1940 në kohën e Qeverisë Shqiptare”, shpjegon Baftiu.

“I vjetër sa xhamia e Plavës”

Fshati Plavë përbehet nga nëntë lagje apo kryefamilje, siç janë: Bojaxhiu, Cenaj, Piraj, Hulaj, Tërshnjaku, Lekaj, Huqaj, Gjabali, Lepraj. “Nga të gjithë këto lagje ka edhe emra të njohur të mjekësisë dhe shkencave të tjera jo vetëm në Prizren e Sharr, por në Kosovë edhe jashtë saj”, pohon Burim Piraj. Po ashtu, fshati ka një traditë të gjatë të islamizimit. Besohet se xhamia e këtij fshati daton që nga shekulli 15. Këtë e vërteton edhe shprehja që përdorët në Opojë, Vërri e Has kur dëshirojnë të tregojnë diçka shumë të vjetër ata thonë: e vjetër sa Xhamia e Plavës. Po ashtu hoxhallarët më të hershëm që mbahen në mend të këtij fshati ishin: Mahmut Efendi Piraj, Jahja Jonuzi Piraj, Jonuzi i Biri Mahmutit, Aslloni i biri i Ymerit, pastaj Bejtulla Piraj, Shaban Piraj (doktor i Shkencave Kuranore në Stamboll 1913), Abdurraman Piraj etj. Aktualisht Mahir Berisha, është hoxhë në fshatin Plavë. Kryetari Burim Piraj shprehet se mikrotoponimet më karakteristike të fshatit janë: Livadhi Ecës, Topilla, Ligjinza, Ura e Rrencit, Mullini i Gjonit, Mullini i Selmonit, Shavaret, Bota Kuqe, Pazhiki i Madh, Shpati i Kreveqicës, Livadhi i Mullinit, Ara e Qyrit, Ara e Menit, Livadhi i Rreges, Bendi i Gjonit, etj. pra janë toponime shqiptare.

Fshati i blegtorëve

Shkolla e parë fillore në gjuhën shqipe u hap më 1945. Më vonë kjo godinë shkollore rinovohet dhe mësimi zhvillohet deri në vitin 1974. Banorët e kësaj ane pos bujqësisë e blegtorisë, njihen edhe për zejtari. Zeja e vetme që është bartur nga breznitë e mëhershme është zeja e këpucëtarit të familjes Lepraj. Pasardhësi i sotëm i kësaj zeje është Jahir Lepraj. Me këtë zeje është marr edhe Nexmedin Hulaj. Po ashtu disa prej tyre kanë zhvilluar edhe biznese industriale, siç është rasti me industrinë e mishit “Meka”. Ndryshe, blegtoria dikur ishte veprimtaria kryesore e këtyre anëve, andaj edhe në këtë fshat ka pasur blegtorë të njohur. Njëri prej tyre ishte edhe Ajdin Cenaj (Din Plava), i cili gjatë viteve 1900 përpos tufës së madhe me dele kishte edhe një mulli dhe një han (bujtinë) ku janë strehuar dhe kaluar natën tregtarët dhe jabanxhinjtë. Po ashtu ka pasur edhe tokë bukë, livadhe e male, për pasurin e tij, Ajdini ishte i njohur jo vetëm në Opojë e Gorë, por edhe në Lumë e Tetovë. Pas viteve ’60 të shekullit XX si blegtorë ishin edhe Mustaf Hulaj, Izet Cenaj, Mehdi Hulaj, Shefki Bojaxhiu, Feriz Lekaj, Karafil Gjabali. Sot me blegtori merret Masar Piraj, i cili në fermën e tij posedon 120 krerë lopë të racës cilësore. Dikur fshati ka pasur dy mullinj dhe atë “Mulliri i Gjonit” me dy gurë mulliri, i cili ndodhej në Lumin e Plavës dhe mulliri i “Selmon Tahirit”, ndërsa sot nuk ka asnjë mulli funksional.

Tradita vazhdon të mbetet e gjallë në fshat

Nysret Durmishi, banor i fshatit, shprehet se disa nga traditat vazhdojnë të mbeten ende të gjalla në këto anë. “Verza është njëra nga ato që ende shënohet atje, ku të rinjtë dhe të rejat e fshatit tubohen në vendin e quajtur “te lisi i vove”, ku i cakërrojnë vetë duke thënë fjalët: tak e tak u bafsha (bëfsha) sa lisi i gatë (gjatë). Në këtë fshat kremtohen edhe të gjitha festat e motmotit dhe atyre fetare, si në gjithë fshatrat opojare”, thotë Durmishi. “Dita e Verzës”, është një rit iliro-shqiptar, me elemente pagane dhe që tradicionalisht festohet më 12 e 13 mars. Durmishi tregon se aty gjendet njëri ndër monumentet më të vjetra në Opojë, Tyrbja e Plavës që është njëra nga tyrbet e vargut të varreve të supozuara të Sari Salltëtkut. Sipas tij, tyrbja vizitohet edhe në ditët e sotme, nga ata që vijën e lënë nezra, dhe luten për shëndetin e grave që nuk lindin apo për fëmijët shëndetligë.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-