Policia e Kosovës ndalon garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës

Opoja.net Opoja.net Sport

Pas shkrimeve në media dhe reagimit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Policia e Kosovës ka lëshuar urdhër për të ndaluar garat ilegale të Serbisë në territorin e Kosovës. Për vendimin është njoftuar e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” që funksionon në kuadër të Federatës së Futbollit të Serbisë.

Në Kosovë, e ashtuquajtura “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”, funksionon ilegalisht.

Në media të hënën u shkrua për fillimin e ashtuquajturës “Ligë e Anamoravës”, në të cilën garën e nisën dhjetë ekipe të serbëve lokalë. Por liga është ilegale, sipas ligjeve të Kosovës.

Të martën reagoi FFK-ja, ndërsa më pas ka ndërhyrë edhe policia e Kosovës.

“Me urdhër të drejtorit gjeneral të Policisë së Kosovës, kolonelit Gazmend Hoxha, kërkohet që: TË NDALOHEN të gjitha aktivitetet sportive të klubeve që NUK janë të regjistruara/licencuara në federatat në Republikën e Kosovës, ku aktivitetet e tyre janë në kundërshti me ligjet në fuqi të Republikës së Kosovës. Kërkohet nga drejtoritë regjionale që përmes personelit të tyre të angazhohen në terren dhe të marrin të gjitha masat ligjore dhe policore për të ndaluar zhvillimin e ngjarjeve që janë në kundërshti me ligjin”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Policisë së Kosovës, që i është dorëzuar të ashtuquajturës “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë” . Vendimin e ka publikuar sajti “kosovo-online.com”.

Për sajtin në gjuhën serbe pranimin e letrës e ka konfirmuar Igor Ulareviq, kryetar i të ashtuquajturës “Federatë e Futbollit e Kosovës dhe Metohisë”.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-