Policia e Kosovës ka njoftuar se kapacitetet e saj janë të rritura me qëllim të ofrimit të sigurisë në pjesën veriore të vendit.
Institucioni primar përgjegjës për sigurinë thekson se situata është e qetë aktualisht në këtë pjesë, transmeton KlanKosova.tv.
“Situata vazhdon të jetë stabile dhe e menaxhueshme nga ana policore, por e përcjellë me incidente të natyrave të ndryshme, ku individ apo grupe kriminale të orientuara për interesa të caktuara, përmes formave të ndryshme po kryejnë vepra kriminale me qëllim të frikësimit dhe cenimit të sigurisë së qytetarëve në komunat veriore”, thekson ky institucion.
“Edhe përkundër incidenteve dhe sulmeve të tilla të drejtuara ndaj institucioneve me mjete shpërthyese, sulmit ndaj zyrtarëve policorë siç ishte rasti i mbrëmshëm “Vrasje e Rëndë në Tentativë dhe Shkaktim i Rrezikut të Përgjithshëm” si dhe rasti i ndodhur sot “Kanosje” ndaj dy gazetarëve të mediumit Kallxo.com, Policia e Kosovës do të vazhdojë me angazhimet e saja policore në interes të mbajtjes së rendit dhe sigurisë publike si dhe mbrojtjes së rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”.
Policia njofton se është duke zhvilluar hetime intensive drejt identifikimit të personave të dyshuar të involvuar në vepra kriminale si dhe sjelljen e tyre para organeve të drejtësisë.
Qytetarët ftohet që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë ne organet e rendit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.