Zyra e Presidentit të Kosovës ka bërë të ditur se Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ka marrë parasysh pjesërisht komentet të dërguara nga kjo zyrë për tarifat e energjisë elektrike.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh shqetësimin e saj për faktin se vendimi final i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e energjisë elektrike për vitin tarifor 2022 ka marrë parasysh vetëm pjesërisht komentet e dërguara nga ZPRK-ja në Raportin Konsultativ të Zyrës së Rregullatorit për Energji mbi Shqyrtimin e Strukturës Tarifore për Konsumatorët e Rregulluar të Amvisërisë të Shërbyer nën FSHU”, është thënë në njoftim.
Kjo zyrë shpreh shqetësimin se vendimi i ZRRE-së është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës.
“Edhe pse rritja e tavanit të bllok tarifës nga 600 kWh në 800 kWh paraqet progres ne krahasim me propozimin fillestar, pasi që do të lehtësoj pjesërisht barrën e rritjes së çmimit të energjisë elektrike për qytetarët e Kosovës, hezitimi për të rikthyer 3 bllok tarifa siç ka qenë praktika deri më vitin 2017, është një vendim kundër shpërndarjes akoma më të drejtë e më të barabartë të barrës së gjithmbarshme të shtrenjtimit të rrymës. Për më tepër, një vendim i tillë do të kontribuonte drejtpërdrejt edhe në krijimin e incentivave shtesë për investim në masa të efiçiencës se energjisë, e që përfundimisht do të duhej.Vendimmarrja inkluzive dhe vendosja e konsultimit publik në qendër të politikave rregullatore efektive duhet të jetë gjithnjë parimi i marrjes së vendimeve strategjike të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien qytetarëve”, thuhet tutje.
Sipas ZPRK-së, synimi kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike.
“Ritheksojmë që për ZPRK, objektiv kryesor mbetet respektimi i parimit të përballueshmërisë, qasjes së barabartë, dhe furnizimit të rregullt me energji elektrike. Nisur nga kjo, i bëjmë thirrje institucioneve relevante të prioritizojnë angazhimin strategjik në këtë drejtim. Përfundimisht, pavarësisht cilitdo skenar final të shqyrtimit të jashtëzakonshëm të tarifave, ZRRE-së i bëjmë thirrje që shqyrtimin e radhës të rregullt të tarifave ta bazoj duke u thirr në strukturën e deritashme tarifore dhe jo në rezultatet e rishikimit të jashtëzakonshëm tarifor”, theksohet në njoftim.
Ndryshe, nga sot do të hyjnë në fuqi tarifat e reja të energjisë elektrike të cilat u miratuan të martën në mbledhjen e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).
Këto tarifa do mbesin deri në vitin 2023.
Konsumatorët e tarifës mbi 800 kilovat në orë do të kenë tarifën e lartë prej 12.5 cent për kilovat dhe 5.9 cent për tarifën e ulët.
Për konsumatorët që shpenzojnë deri në 800 kilovat në orë, tarifa e lartë do të jetë 7 cent, ndërsa ajo e ulët, 3 cent.
Nga data 1 tetor deri më 31 mars, në Kosovë aplikohet tarifa e ulët e rrymës, prej orës 22:00 deri në 07:00. Ndërsa, nga data 1 prill deri më 30 shtator, tarifa e ulët vlen nga ora 23:00 deri në 08:00.
Sipas ZRRE-së, bllok-tarifa nuk është diskriminuese pasi “zbatohet njëtrajtësisht për të gjithë konsumatorët”.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.