Presidentja e Republikës së Kosovës, znj. Vjosa Osmani, ka realizuar sot një vizitë zyrtare në Komunën e Dragashit, ku është pritur nga kryetari i komunës, Bexhet Xheladini. Vizita u vlerësua si një kënaqësi dhe nder i veçantë për drejtuesit lokalë.
Gjatë takimit, Presidentja Osmani dhe kryetari Xheladini diskutuan për projektet aktuale që po ndikojnë drejtpërdrejt në përmirësimin e jetës së qytetarëve, si dhe për potencialet e mëdha zhvillimore që Dragashi ofron për të ardhmen. U theksua rëndësia e bashkëpunimit të ndërsjellë për të adresuar sfidat që kërkojnë angazhim të përbashkët institucional.
Kryetari Xheladini falënderoi Presidenten Osmani për vlerësimin dhe urimet e saj me rastin e fitores në zgjedhjet lokale, si dhe për gatishmërinë për të ofruar mbështetje institucionale në politikat që synojnë zhvillimin ekonomik, forcimin e institucioneve lokale dhe përmirësimin e jetës së banorëve të Dragashit.
Vizita u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të bashkëpunimit mes nivelit lokal dhe atij qendror, me fokus të veçantë në zhvillimin e komunës dhe avancimin e projekteve në dobi të komunitetit.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

