Është hera e tetë që Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), kthen në rivlerësim projektin e ujësjellësit në komunën e Dragashit, duke konsideruar që komisioni vlerësues nuk ka bërë vlerësimin e duhur edhe pas ankesave të shumta të operatorëve ekonomik.
Mirëpo qytetarët e Dragashit, kërkojnë nga komuna dhe OShP-ja, të zhbllokohet kjo procedurë urgjentisht.
Kjo çështje ishte temë e debatit në tryezën e diskutimit të organizuar nga KDI në Dragash, me kryetarët e këshillave të fshatrave, kryetarin e komunës së Dragashit Shaban Shabani, ekspertin nga OShP-ja Daut Retkoceri si dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
Kryetari i komunës së Dragashit, Shaban Shabani, theksoi se komuna në vazhdimësi është duke i zbatuar vendimet e OSHP-së dhe për momentin projekti është pikën në zero. “Si pasojë e kësaj, 1/3 e popullsisë po i vuajnë pasojat e këtij projekti, ndërkaq komuna mjetet që po i ndanë po kalojnë në suficit, ndërkaq kjo po ndikon në vlerësimin e performancës së komunës”, ka thënë ai.
Daut Retkoceri nga OShP, theksoi se OShP-ja ka vlerësuar se prapë ka pas mospërputhje ndërmjet referencave dhe vlerësimit, dhe kanë kthyer rastin në rivlerësim.
Ndërkaq qytetarët që po i vuajnë pasojat e kësaj vonese kërkuan që palët t’i tejkalojnë këto mos marrëveshje, dhe kërkuan nga komuna që urgjentisht të gjej një zgjidhje për këtë projekt.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.