Komuna e Dragashit për nga pozita gjeografike që ka mund të realizohen projekte të ndryshme, një projekt i tillë “Komunë-BIO për turizëm, sport, relaks e rekreacion” e ka prezantuar dhe përpiluar, Hamdi Muhameti kandidati i cili do të konkurojë i pavarur në zgjedhjet e ardhshme komunale në komunën e Dragashit.
“Duke u bazuar në pozitën gjeografike që ka Komuna e jonë, është alternativa e vetme që mundëson mirëqenie sociale – ekonomike dhe perspektivë të sigurtë për brezat që vijnë. Realizimi i projektit kërkon qasje dhe mbështetje serioze institucionale, duke filluar nga Komuna e deri në nivelet më të larta shtetërore”, ka thënë për Portalin “Opoja.net”, Hamdi Muhameti kandidati i pavarur për kryetar të Dragashit dhe vazhdoi.
“Përkrahja, mbështetja dhe besimi që duhet t’i jepet projektit, nuk është interes ose përkrahje e individit për një mandat apo afat të caktuar, por qëllimi kryesor është që të arrihet edhe institucionalizimi i këtij projekti dhe vurja e tij në binarë të shëndoshë, si dhe jetësimi i tij për ardhmëri dhe jetë dinjitoze në vendlindjen tonë të dashur”, ka thënë ndër të tjera Muhameti.
Projekti “Komuna e Dragashit, Komunë – BIO për TURIZËM, sport, relaks e rekreacion”:
Me emrin – ndihmën e Zotit.
Me: besimin, përkrahjen, përfshirjen, punësimin e Juaj të nderuar qytetarë të Dragashit, premtojmë realizimin e projektit.
Premtimet, shpresat dhe ardhmërinë individuale do t’i gjeni, prekni e shijoni vetevetiu, në brendi të tërësisë së projekteve.
Na lejoni, mundësoni, obligoni, detyroni të punojmë; duke iu shërbyer qytetarëve të Komunës pa dallim!
Duke u bazuar në pasuritë, resurset e veçanta që posedojnë qytetarët dhe mrekullitë e natyrës që na ka dhuruar Zoti, me tërë potencialin do të mundohemi që ta ringjallim jetën, për ta kthyer optimizmin dhe për ta zhvilluar Komunën tonë.
Me përkushtim, punë e dashuri për vendlindjen; duke punuar në mënyrë paralele në arsim, shëndetësi, kulturë, sport, siguri qytetare (fizike) e materiale, bujqësi e blegtori do ta përdorim çelësin që nuk është aktivizuar deri më tani (të pa përdorur nga mospuna, apo ndoshta edhe nga injoranca), “TURIZMIN” veror, dimëror, sportiv, agriturizmin, turizmin rural.
Disa nga Projektet;
– Farm School- Projekti publiko-privat, ka për qëllim hapjen e një shkolle të mesme profesionale 3 vjeçare, në përgaditjen e të rinjve kosovarë për kultivimin e frutave të pyllit, transformimit të tyre në lëngje frutash bio, marmalata, shirupe, etj. dhe përgaditjen profesionale të sipërmarrësve agrar me marrjen e Diplomës.
– Kosova Verde ( Kosova e gjelbër) – 2 impiante të prodhimit të energjisë së ripërtëritshme nga mbeturinat; urbane, industriale, bujqësore e blegtorale. Një në Opojë dhe një në Gore, me qëllim e planprogram te qartë te ndikon në zhvillimin e bujqësisë e blegtorisë,
– SHARRI AGROTURISTIK- hapjen e 4 qëndrave agroturistike ( 2 në Opojë dhe 2 në Gore). Krijimi i fermave biologjike, ku në to vizitorët (turistet) mund të ndjekin nga afër të gjitha ambientet e prodhimit në fermë dhe të konsumojnë më tej mes qetësisë dhe gjelbërimit, produktet e fermës dhe kuzhines tradicionale Opojare e Gorane.
– Qendra sportive turistike “SHARRI LIFE”,
Projekti i qendres sportive-turistike, e cila parasheh ndërtimin e disa fushave sportive të atletikës; një stadium futbolli me përmasa olimpike; një stadium atletike; disa qendra stërvitore (palestra) për gjimnastikë, disa fusha të tenisit, basketboll, volejboll, dhe peshëngritje, dy pishina të mbuluara, dy qendra fizioterapeutike, hotel me salla konferencash, të cilat do të ofrojnë shërbime për sportistët dhe sportdashësit, si dhe shumë ambiente dhe shërbime të tjera, përfshirë këtu restorantet, dyqanet sportive, parking, etj.
Qëndër sportive në shërbim të sportit vendor e ndërkombëtar.
– Përkrahje, mbështetje serioze dhe promovim të qendrës turistike “ARXHENA” në Brod dhe realizim të qendrës turistike për Skijim “ZAPLLUXHE SKI”,
-projekti “DRATEX-2”, ne bashkëpunim te ngushtë me qeverinë e Kosovës do te angazhohemi që fabrika/ industria e vetme e Komunës te riaktivizohet. Ka ide, projekte, interesim, ka edhe mundësi,
– Përpunim i “Gurit të Dragashit” (Kuklibeg, Restelicë, etj.) – për këtë ka interesim nga ekspertë dhe investitorë konkret e serioz,
– E të tjera, në të ardhmën do të jeni në dijeni.
Ky projekt që ka përmasa shumedimensionale të zhvillimit në nivel shtetëror. Parasheh investime deri në 40 milion euro, të përfunduara në afat kohor deri në 7 vite maksimum.
Për të realizuar projektin; Komuna do të punojë e investojë 10%, qeveria e Kosovës, BE, dhe institucionet relevante të obliguara të investojnë deri në 40-50%, investime individuale, kompani të ndryshme private 40-50%.
I bindur se do të vlerësohet, përkrahet, mbështetet e votohet nga Ju qytetarë të dashur të Dragashit (Opojë e Gore), pas 4 muaj nga dita e dhënjes së votës, me përkushtim e profesionalizëm do të organizohet konferenca për prezantim dhe mënyra e realizimit te projekteve ne fjalë nga Profesoret dhe personat gjegjës, para; qytetarëve, individeve e kompanive vendore e të huaja tani më të interesuara ne investime, para institucioneve relevante të Kosovës e Shqipërisë.
Pasi që ky projekt është për të mirën e gjithë hapësirës së Komunës tonë dhe për të gjithë qytetarët e saj pa dallim, që të realizohet: “është më me vlerë dhe më drejtë të ju prezantohet i pavarur (jo partiak, jo politik)” dhe me shpresë që të fitojë në raundin e parë pa balotazh, që mos të kushtëzohet dhe mos ta humbë asnjëherë qëllimin dhe realizimin komplet të tij.
Bindja, mbështetja, mirkuptimi, bashkangjitja e juaj në këtë iniciative të re dhe ndryshe,mundëson realizimin e projektit në tërsi.
Me respekt,
Hamdi Muhameti
© Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.