Qendrat kulturore të diasporës të domosdoshme për fuqizimin e raporteve me diasporën

Opoja.net Opoja.net Kultura

Institucionet e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bashkëpunojnë ngushtë për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me diasporën.

Kështu u tha sot në tryezën diskutuese me temë “Organizimi i Qendrave Kulturore në Diasporë”, organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), në bashkëpunim me Drejtorinë për Hulumtime Parlamentare, Arkiv dhe Bibliotekë të Kuvendit të Republikës së Kosovës.

Në hapje të kësaj tryeze është prezantuar një hulumtim parlamentar nga Liza Gashi nga OJQ Germin, që ka analizuar organizimin e qendrave kulturore të shteteve që kanë diasporë më të madhe. Po ashtu janë prezantuar edhe praktikat që kanë ndjekur shtetet si Armenia, Gjermania, Irlanda, Izraeli dhe Britania e Madhe rreth funksionimit të qendrave të ngjashme.

Fitore Pacolli, deputete nga Lëvizja Vetëvendosje, njëherësh anëtare e Komisionit për Punë të Jashtme, tha se Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë ngushtë për çështje që kanë të bëjnë me diasporën dhe duhet të mendohet një model funksional për të mos shkëputur shtetin nga diaspora.

Ndërsa, Isni Kilaj, zëvendësministër i Ministrisë së Drejtësisë, tha se sa i përket çështjes së organizimeve kulturore të diasporës shqiptare ka shumë probleme të trashëguara me dekada.

“Tash kemi Ministrinë e Diasporës të dyja vendet dhe jemi në rrugë të mbarë që të kemi një Ligj të përbashkët për diasporën”, tha ai.

Pjesë e këtij diskutimi ishin deputetë të Kuvendit të Kosovës, përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile, të cilët u pajtuan se ngritja dhe funksionimi i mirëfilltë i qendrave të tilla është jetik për fuqizimin e raporteve me diasporën por edhe promovimin e Kosovës nëpër botë.

Ndryshe, tryeza u organizua në kuadër të projektit për përkrahje të hulumtimeve parlamentare në Kosovë, që mbështetet nga USAID. Qëllimi i këtij projekti është që përmes hulumtimeve parlamentare të rritet cilësia e ligjeve në vend

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-