Qetësia në familje

Opoja.net Opoja.net Artikuj

Si çdo gjë tjetër edhe marrëdhënia bashkërshortore është një nga mirësitë e shumta dhuruar njeriut nga ana e Krijuesit të gjithësisë. Sepse është Ai, që krijoi njeriun çift. Është Ai që mbolli dashurinë në zemrat e njëritjetrit. Është Ai që gdhendi mëshirën në qeniet e tyre. Në këtë mënyrë, ata bashkëshortët arritën qetësinë dhe lumturinë bashkëshortore dhe familjare. Familja është një institucion shumë i rëndësishëm, mbarëvajtja e të cilit i intereson gjithë shoqërisë. Në të gjitha këto ka mesazhe të qarta për mendimtarët.

Themeli i familjes sipas Islamit, është dashuria, mëshira dhe prehja. Ajeti kuranor i fton të gjithë të mendojnë dhe reflektojnë thellë mbi familjen. Nga ajeti kuranor kuptojmë që familja nuk është një dukuri individuale, që fillon dhe mbaron me një grup të vogël individësh. Përkundrazi, ajo është bërthama e shoqërisë, prej së cilës varet ekzistenca e shoqërisë. Prandaj Kurani e fton shoqërinë të mendojë thellë mbi familjen. Nëse në familje nuk ka dashuri, por urrejtje, shoqëria duhet të shqetësohet. Nëse në familje nuk ka mëshirë, por ashpërsi, shoqëria përsëri duhet të shqetësohet. Nëse familja ka një sëmundje, atëherë shoqëria është e rriskuar nga kjo sëmundje. Nëse familja vuan nga ndonjë sëmbim, atëherë duhen rishikuar koordinatat e tri pikave që prek ajeti kuranor. A ka probleme familja në ditët tona? Sigurisht që ka. Shenjat e sëmundjes së familjes janë të përhapura në të gjitha shoqëritë.

Në shumë shoqëri është vënë në rrezik vetë ekzistenca e familjes, kurse në disa shoqëri të tjera, duke përfshirë edhe shoqërinë islame, vihet re një çorientim i koordinatave të përcaktuara nga Kurani. Në vend që të jetë burim qetësie, familja është shndërruar në burim zënkash, grindjesh, krizash dhe divorcesh. Kjo gjendje është tregues i qartë i humbjes së dashurisë dhe mëshirës në familje. Kjo gjendje në fakt është tregues edhe i një problemi tjetër më të madh, kjo gjendje tregon që ka probleme në marrëdhënien e njeriut me Krijuesin e gjithësisë, burimin e mëshirës dhe dashurisë.

Në momentin që marrëdhëniet e njeriut me Krijuesin dobësohen, atëherë fillojnë problemet. Kjo është e vlefshme si për familjen, ashtu edhe për shoqërinë. Është gabim i madh të mendosh që këto probleme nuk kanë lidhje me marrëdhënien e njeriut me Krijuesin. Sepse dashuria dhe mëshira që ne kemi, burojnë prej emrave të bukur të Allahut, “El Vedud” dhe “Er Rahman, Er Rahim”. Nëse dëshirojmë që në familjet tona të mbjellim dashurinë dhe mëshirën, jemi të detyruar të lidhemi me burimin e tyre. Por cila është pika lidhëse e njeriut me burimin e dashurisë dhe mëshirës? Pika lidhëse është ibadeti. Pra, për të krijuar një atmosferë dashurie, dhembshurie dhe mëshire në familje, nuk duhet harruar në asnjë mënyrë ibadeti ndaj Allahut. Familja nuk duhet shndërruar në një arenë për sundim dhe pushtet. Familja është mjedisi ku gjithësecili është në statusin e adhuruesit. Në fakt, gjithë jeta shoqërore është e tillë. Të gjithë njerëzit, si i pasuri, i varfri, i shëndetshmi, i sëmuri, sunduesi, i sunduari etj., me gjithë statusin e veçantë që mund të kenë në shoqëri, përballë Allahut janë në statusin e adhuruesit.

Nëse ndërgjegjësimi për ibadetin vendoset në zemër, realizohet edhe diçka tjetër, siç është vetëdija për mbikëqyrjen hyjnore. Pra, njeriu fillon të jetojë me vetëdijen e plotë sikur e shikon Allahun. Pas kësaj, njeriu hyn në garë për të fituar dashurinë dhe pëlqimin e Allahut. Vetëdijësimi për ibadetin lind ndjeshmërinë për respektimin e të drejtave të tjetrit. Respektimi i të drejtave të tjetrit në mjedisin familjar është neglizhuar. Mirëpo, e vërteta është se çdo fjalë e rëndë, fyerje apo përdorim force ndaj njëri-tjetrit është objekt i gjykimit hyjnor. Dhe përballë gjykimit hyjnor nuk ka dallim midis femrës dhe mashkullit. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme për një shoqëri që mendon thellë.

Për të arritur qetësinë në familje, është e domosdoshme dashuria dhe mëshira. Nga ajeti kuptojmë që Allahu e ka krijuar njeriun të aftë dhe të prirur për të dashur dhe mëshiruar. Po ashtu, nga ajeti kuptojmë që, kur hyhet nën çatinë e familjes, Allahu e rrit përqendrimin e dashurisë dhe mëshirës në zemrat e njerëzve. Pra, njeriu që bën përpjekje për përmbushjen e qëllimit hyjnor, patjetër që do të drejtohet nga dashuria dhe mëshira. Kurse mungesa e dashurisë dhe mëshirës në familje sjell ndërprerjen e dashurisë dhe mëshirës në zemrat e njerëzve. Një mësim tjetër që nxjerrim nga ajeti, është se martesa është një rrugëtim drejt realizimit të dashurisë dhe mëshirës. Mbushja e zemrave me dashuri dhe mëshirë duhet të jetë mision i familjes, shkollës, xhamisë, medias etj. Dashuria dhe mëshira duhet të jenë pjesë e programeve edukative. Mbrujtja e zemrave me dashuri dhe mëshirë, do të sjellë manifestim të cilësive hyjnore në qenien tonë. Nevoja për dashuri dhe mëshirë është e domosdoshme më tepër se kurrë në ditët tona, kur dashuria dhe mëshira midis bashkëshortëve dhe individëve është rrënuar. Por në dashuri dhe mëshirë duhet të kërkojmë përmasën hyjnore të tyre. Prandaj zemrat duhet të përgatiten, në mënyrë që të jenë të përshtatshme për manifestimin e mëshirës dhe dashurisë. Gjuha dhe zemra duhet të jenë vazhdimisht në gjendje dhikri dhe lutjeje. Sepse dashuria dhe mëshira në familje kërkon përpjekje. Për zhvillimin dhe kultivimin e dashurisë dhe mëshirës, bashkëshortët së pari duhet të ndërtojnë ambientin e përshtatshëm për dashurinë dhe mëshirën.

Edhe fëmijët që do të rriten në një ambient plot dashuri, në të ardhmen do të krijojnë familje me bazë dashurinë dhe mëshirën. Nga kjo pikëpamje, familja është shkolla e dashurisë dhe mëshirës. Të mos harrojmë se qetësia dhe prehja në familje është një dhuratë hyjnore. Nëse nuk ia ndërpresim rrugën dashurisë dhe mëshirës, kjo dhuratë patjetër do të arrijë tek ne. Të mos harrojmë se lumturia e dy botëve fillon prej këtu. E lusim Allahun të kultivojë në zemrat tona dashurinë dhe mëshirën, me të cilat mund të arrijmë lumturinë në këtë botë dhe botën tjetër!

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

Fjalë kyqe:
- Reklama-
- Reklama-