Qeveria e Kosovës hesht ndaj kërkesës së Hovenierit për Asociacionin

Opoja.net Opoja.net Kosova

Më 29 shkurt, ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, i bëri edhe një herë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta përcjellë draft-statutin te Gjykata Kushtetuese.

Radio Evropa e Lirë e pyeti Qeverinë e Kosovës se pse nuk e ka përcjellë ende dhe kur do ta bëjë këtë, por nuk mori përgjigje.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, tha të premten se BE-ja nuk është kompetente t’i propozojë Kosovës draft- statut për formimin e Asociacionit, por se e kupton kërkesën e ambasadorit amerikan për t’ia përcjellë atë Gjykatës Kushtetuese.

“Ndoshta, zoti Hovenier e ka pasur fjalën që Kosova të propozojë një draft për Asociacionin. Kjo është një temë tjetër. Unë nuk e kam kuptuar ashtu siç e keni kuptuar ju”, tha Konjufca pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës.

Çfarë tha Kurti për draft-statutin?

Rreth dhjetë ditë pasi të dërguarit ndërkombëtarë u dorëzuan palëve draft-statutin, në tetor të vitit të kaluar, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se dokumenti është shkruar me kujdes, në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës.

Po ashtu theksoi se Gjykata Kushtetuese e Kosovës do ta shqyrtojë atë.

Por, në fund të dhjetorit të vitit 2023, Kurti tha se Kosova duhet të jetë autore e statutit dhe sugjeroi që atë ta shkruante vetë, në bashkëpunim me ministrin e tij për Komunitete dhe Kthim, Nenad Rashiq, dhe me ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.

Kjo deklaratë ishte reagim ndaj një mesazhi të të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, se çështja e statutit është çështje e brendshme e Kosovës.

Përndryshe, draft-statuti që iu dorëzua Kosovës dhe Serbisë, u hartua nga BE-ja, pasi palët e pranuan paraprakisht Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve, e cila, po ashtu, u propozua nga BE-ja si ndërmjetësuese e dialogut.

Më pas, në janar të këtij viti, Kurti tha se Asociacioni i komunave me shumicë serbe “nuk është prioriteti kryesor” për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se çështja e statutit nuk duhet të ndahet nga marrëveshja.

Hovenier pret hapin e parë

Në një bashkëbisedim me gazetarët e disa mediave në Kosovë, përfshirë ekipin e REL-it, më 29 shkurt, ambasadori amerikan, Hovenier, tha se pret që Qeveria e Kosovës ta iniciojë procesin e formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

“Hapi i parë është që ta përcjellim statutin, që tashmë e kemi, në Gjykatën Kushtetuese për shqyrtim dhe konfirmim”, tha ai dhe shfaqi shpresën që diçka e tillë të ndodhë sa më shpejt.

“Do të merrej përgjigjja nëse [statuti] është kushtetues ose jo, a ka kompetenca ekzekutive apo jo… Ne mendojmë se këtë vlerësim mund ta japë vetëm Gjykata [Kushtetuese]. Kjo do të krijonte një dinamikë tjetër, si dhe përkushtimin e Kosovës për t’i përmbushur obligimet e saj”, tha Hovenier.

Ai ia dërgoi këtë mesazh Qeverisë së Kosovës në kohën kur marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Uashingtonit nuk janë më të mirat, sepse Kurti refuzon ta pezullojë zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës që e ndalon përdorimin e dinarit serb në Kosovë.

SHBA-ja dhe vende të tjera perëndimore shprehën shqetësimet e tyre se kjo rregullore mund të ndikojë negativisht te komuniteti serb në Kosovë, i cili pranon në dinarë të ardhura të ndryshme nga buxhet i Serbisë.

Çka parasheh draft-statuti për Asociacionin?

Draft-statuti për formimin e Asociacionit u hartua nga zyrtarët evropianë dhe parasheh që serbët në Kosovë të kenë një nivel të caktuar të vetëmenaxhimit, ashtu edhe siç u ra dakord me Marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve.

Në atë dokument thuhet se Asociacioni nuk do të ketë kompetenca ekzekutive dhe se nuk do të kërcënojë pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.

Megjithatë, dokumenti i referohet, mes tjerash, Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ky draft-statut, gjithashtu, parasheh mundësinë e mbështetjes financiare të Asociacionit nga ana e Serbisë, si dhe “një kanal efektiv të drejtpërdrejtë të komunikimit ndërmjet komunitetit serb të Kosovës dhe Qeverisë së Kosovës, përmes Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal”.

Pjesa e draft-statutit që u referohet kompetencave të Asociacionit, saktëson se ky organ ka të drejtë të marrë vendime, rregullore, udhëzime dhe deklarata.

Po ashtu do të ketë autoritet të plotë, në nivel lokal, në fushat e zhvillimit ekonomik, planifikimit hapësinor, shëndetësisë, arsimit dhe mbrojtjes së identitetit kulturor dhe fetar.

Kur bëhet fjalë për financimin, parashihet që Asociacioni ta ketë buxhetin e tij, të cilin do ta menaxhonte “me përgjegjësi dhe në mënyrë transparente”.

Gjithashtu, specifikohet se Asociacioni duhet të ketë llogari në një bankë të licencuar nga Banka Qendrore e Kosovës.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-