Nën kryesimin e kryetarit të Komunës së Dragashit, z.Bexhet Xheladini, sot u mbajt mbledhja VII për vitin 2023 e Qeverisë Lokale, me këto pika të rendit të ditës:
1. Përgatitja e kërkesave për investime nga ana e shtetit të Izraelit,
2. Diskutim rreth përfundimit dhe fillimit të vitit të ri shkollor,
3. Përgatitja e ankandeve për shitjen e aseteve jashtë përdorimit në komunë dhe arsim,
4. Parapërgatitjet për konkurim në Grantin e Performancës, dhe
5. Të ndryshme.
Në këtë mbledhje u morën këto vendime:
– U obliguan të gjithë drejtorët e drejtorive komunale që të përgatisin listën e hollësishme me kërkesa specifike të cilat do t’i bëhen shtetit izraelit për ndihmë dhe investime në komunën tonë,
– U obligua Drejtoria Komunale e Arsimit që të bëjë me kohë të gjitha përgatitjet për konkurset për vendet e lira në arsim, konkurset për regjistrimin e nxënësve në shkollë, testin e arritshmërisë, testin e maturës dhe testet e tjera që organizohen për klasë të ndryshme,
– U formua Komisioni për vlerësimin e stoqeve dhe nevojave për furnizim me lëndë djegëse (dru dhe pelet) për institucionet arsimore dhe shëndetësore të Komunës së Dragashit,
– U formua Komisioni për hulumtimin e mundësive për hapjen e drejtimeve të reja në ShFMU “Ruzhdi Berisha”, të cilat do jenë në përputhje me kërkesat e tregut të punës,
– U formuan komisionet për shitjen e aseteve jashtë përdorimit dhe automjeteve të cilat janë pronë e komunës,
– U formua Komisioni për mbikëqyrjen e mbarëvajtjes, përmirësimin e performancës komunale dhe përgatitjet për konkurim për Grantin e Performancës.
Kryetari Xheladini i informoi zyrtarët e ekzekutivit lokal për nënshkrimin e kontratës për Ujësjellësin kryesor si dhe planifikimin që vitin e ardhshëm të shpallet tenderi për Fabrikën e ujit, marrëveshjen me MZhR-në për asfaltimin e rrugës së stadiumit të qytetit dhe marrëveshjen me FFK-në për bashkëfinancimin e projektit për ndërtimin e këtij stadiumi.
Sa i përket shëndetësisë, Kryetari Xheladini njoftoi se përveç angazhimit të neuropsikiatrit dhe oftamologut, shumë shpejt në QKMF do të angazhohen edhe internisti kardiolog dhe gjinekologu.
Në fund të takimit Kryetari i komunës kërkoi disiplinë, angazhim dhe azhuritet në punë, si për kabinetin qeveritar, ashtu dhe për stafin në arsim, shëndetësi dhe komunë.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.