Opoja.net

Qeveria ndan 6 milionë euro për bizneset, 8.5 milionë për skemat sociale dhe mbi 5 milionë për policët e mjekët

Qeveria ndan 6 milionë euro për bizneset, 8.5 milionë për skemat sociale dhe mbi 5 milionë për policët e mjekët

Qeveria e Kosovës ka ndarë 6 milionë euro për bizneset që janë prekur nga masat e fundit nga 7 deri më 18 prill për parandalimin e përhapjes së virusit Covid-19. Ndërsa, 8.5 milionë për skemat sociale dhe mbi 5 milionë për policët e mjekët, raporton Ekonomia Online.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati ka thënë me këtë rast se subvencionimi do të bëhet deri në 50%.

“ Ndahen 6 milionë euro për subvencionimin e pagave dhe qirave të bizneseve që janë prekur nga disa prej masave të vendosura nga Qeveria për periudhën 7 prill deri 18 prill. Subvencionimi i pagave dhe qirave bëhet deri në 50 për qind. Në vendim janë të detajuara llojet e bizneseve”, ka thënë Murati.

Sipas tij, subvencionimi do të bëhet në bazë të aplikimit të dorëzuar nga bizneset ku janë të vendosura kufizimet dhe kriteret për të përfituar nga ky subvencionim.

“Detaizimi i kritereve për të fituar nga këto masa do të bëhet me një vendim të veçantë të Ministrisë”, ka thënë ministri Murati.

Qeveria e ka ndarë po ashtu mbi 5 milionë euro për sektorin e shëndetësisë dhe sigurisë për muajt prill-maj .

” Ndajmë mjete financiare shtesë për muajin prill dhe maj në vlerë totale deri në 5,255,565 euro. Për sektorin shëndetësor publik në vlerë prej 4,680,225 euro në kategorinë e shpenzimeve paga dhe shtesa për pagesën e shtesës mujore për 13 mijë e 802 persona që kanë pasur angazhim shtesë për menaxhimin e pandemisë. 150 euro bruto për mjekët dhe infermierët dhe 100 euro bruto për stafin mbështetës teknik në institucione shëndetësore publike në tri nivelet e kujdesit shëndetësor. Për sektorin e sigurisë 1,187,340 në kategorinë e shpenzimeve paga dhe shtesa për organizatën buxhetore Ministrinë e Punëve të Brendshme, për pagesën e shtesës mujore në pagë për zyrtarët policorë me angazhim shtesë në terren. Për muajin prill dhe maj për secilin muaj veç e veç në vlerë prej 100 euro”, ka thënë Murati.

Në mbledhje e saj Qeveria ka ndarë 8.5 milionë euro për përfituesit e skemave sociale. Ministri i Financave, Hekuran Murati tha se deri në qershor asnjë pension nuk do të jetë nën 100 euro në muaj.

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve ka thënë se përfituesit e skemave të ndihmës sociale do të përfitojnë një pagesë shtesë prej 30 për qind mbi shumën e rregullt që marrin ndërkaq për përfituesit e skemës pensionale do të aplikohet një shtesë mujore në mënyrë që pensioni bazë dhe shtesa të arrijnë shumën prej 100 euro në muaj për këta tre muaj.

“Për përfituesit nga skema e ndihmës sociale që do të përfitojnë një pagesë shtesë prej 30 për qind mbi shumën e rregullt që marrin bazuar në numrin e familjeve përfituesit të muajit përkatës. Do të jetë synim i ynë që një ndihmë e mirë të mundohet të mirëmbahet gjatë tërë vitit 2021 Për përfituesit e skemës pensionale që marrin më pak se 100 euro në muaj do të aplikohet një shtesë mujore ashtu që pensioni bazë dhe shtesa të arrijnë shumën 100 euro në muaj. Arrihet që së paku deri në muajin qershor asnjë pension të mos jetë nën 100 muaj”, ka thënë Murati.

Në vazhdim të gjitha vendimet që u morën në mbledhjen e Qeverisë:

E drejtuar nga Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mbajtur mbledhja e tetë e qeverisë, në të cilën janë miratuar vendime të fushës së përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore.

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për emërimin e drejtorëve në Bordin Drejtues të Ndërmarrjes Publike Qendrore, Telekomi i Kosovës Sh. A., në këtë përbërje:

  1. Shpetim Dobra, kryesues;
  2. Sajmije Thaçi;
  3. Mimoza Vila;
  4. Florina Jerliu;
  5. Agim Muqaj;
  6. Remzi Kelmendi;

Bordi Drejtues i Drejtorëve të emëruar sipas këtij vendimi i kryejnë detyrat dhe përgjegjësitë në pajtim me Ligjin për Ndërmarrje Publike dhe shërbejnë me mandat tre vjeçar.

Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe Projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Plotësimi dhe ndryshimi eviton të metat dhe problemet e hasura në praktikë lidhur me zhvillimin e procedurës, përkatësisht lidhur me shqiptimin e suspendimit për gjyqtarët dhe prokurorët.

Me propozimin e Ministrisë së Drejtësisë është miratuar vendimi për emërimin e anëtarëve të Komisionit për dhënien e provimit të Jurisprudencës në përbërje:

  1. Albert Zogaj, kryetar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta civile, zëvendës anëtare Drita Rexha;
  2. Valbona Disha, anëtare e komisionit, pyetëse në lëndën E drejta penale (material procedural), zëvendës anëtar Afrim Shala;
  3. Zenel Leku, anëtar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta tregtare, zëvendës anëtare Edije Sezairi;
  4. Halide Reka, anëtare e komisionit, pyetëse në lëndën E drejta kushtetuese, organizimi i sistemit gjyqësorë, bazat e sistemit të Bashkimit Evropian dhe të drejtat e njeriut, zëvendës anëtar Hajrip Krasniqi; dhe
  5. Hajriz Hoti, anëtar i komisionit, pyetës në lëndën E drejta e punës dhe e drejta administrative, zëvendës anëtar Nenad Lazic.

Vendimi do t’i procedohet Kuvendit të Republikës së Kosovës për shqyrtim dhe miratim.

Qeveria ka themeluar Grupin Punues ndërministror për bashkërendimin e punëve për zbatimin e marrëveshjes “për mobilitetin në punë” të nënshkruar mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë. Grupi Punues do të ketë këtë përbërje:

  1. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Brendshme –kryesues;
  2. Përfaqësues nga Zyra e Kryeministrit – anëtar;
  3. Përfaqësues nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve; dhe
  4. Përfaqësues nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës.

Grupi Punues është obliguar që brenda 30 ditëve të identifikojë, përpilojë, harmonizojë të gjitha aktet, anekset dhe kërkesat që dalin nga marrëveshja në fjalë me qëllim të zbatimit të plotë të marrëveshjes.

Në mbledhjen e sotme me vendimin e miratuar nga kabineti qeveritar është themeluar Komisioni Ndërministror për Investime Strategjike për vlerësimin, përzgjedhjen, zbatimin dhe mbikëqyrjen e projekteve për investime strategjike, në këtë përbërje:

  1. Rozeta Hajdari, Ministre e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, kryesuese;
  2. Hekuran Murati, Ministër i Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, anëtar;
  3. Liburn Aliu, Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, anëtar;
  4. Faton Peci, Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, anëtar;
  5. Artane Rizvanolli, Ministre në Ministrinë e Ekonomisë, anëtare;
  6. Elbert Krasniqi, Ministër në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal, anëtar;
  7. Kryetari i Komunës në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar;
  8. Ministri i Ministrisë në të cilën realizohet investimi strategjik, anëtar; dhe
  9. Sami Istrefi, Avokati i Përgjithshëm Shtetëror, anëtar.

Sipas fushës, nevojës dhe rrethanave, Komisioni mund të thërras në takime edhe ministrin, organe tjera shtetërore dhe përfaqësues të grupeve të interesit.

Qeveria ka plotësuar dhe ndryshuar vendimin për masat e zbatimit të Programit të Rimëkëmbjes Ekonomike për vitin 2021. Sipas plotësimit dhe ndryshimit shfuqizohen të gjitha pikat e këtij vendimi për të cilat nuk ka pasur ndarje dhe alokime të mjeteve buxhetore, me vendime të veçanta. Vendimi nuk prek zbatimin e masave për të cilat janë ndarë mjetet dhe ka filluar zbatimi i tyre.

Në arsyetimin e vendimit thuhet se disa prej masave të përcaktuara nuk janë zbatuar dhe nuk janë ndarë mjete për zbatimin e masave përkatëse dhe rrjedhimisht përmes këtij vendimi shfuqizohen masat e pazbatuara.

Qeveria ka ndarë gjashtë milionë euro nga Programi i Rimëkëmbjes Ekonomike me qëllim të subvencionimit të shoqërive tregtare për pagën e punëtorëve dhe të pagesës së qirasë. Kjo bëhet me qëllim të mbështetjes së kategorisë së bizneseve që kanë pësuar rënie të ndjeshme në të hyrat për shkak të vendosjes së kufizimeve për mbrojtjen nga pandemia COVID-19. Sipas vendimit, për subvencionim të pagës së punëtorëve mund të aplikojnë bizneset:

  • Me aktivitet të vetëm të gastronomisë;
  • Bizneset me nën-sektorë të gastronomisë, vetëm për stafin e angazhuar në gastronomi;
  • Bizneset që ushtrojnë aktivitete në qendrat tregtare të tipit të mbyllur;
  • Bizneset me aktivitete të fitnesit dhe palestrave; dhe
  • Bizneset me linja aktive të licencuara të transportit ndër urban të udhëtarëve.

Për subvencionim të qirasë mund të aplikojnë:

  • Bizneset me aktivitet të vetëm të gastronomisë;
  • Bizneset që ushtrojnë aktivitet në qendrat tregtare të tipit të mbyllur.

Janë ndarë mjete shtesë financiare për pagesën e shtesave në sektorin e shëndetësisë dhe të sigurisë për muajt prill dhe maj 2021, në vlerë prej pesë milionë e dyqind e pesëdhjetë e pesëmijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e pesë euro (5,255,565.00). Mjetet ndahen për kompensimin e angazhimit të shtuar në punë në përballje me pandeminë COVID-19 të pjesëtarëve të sektorit shëndetësorë dhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Tetë milionë e pesëqind mijë euro ka ndarë Qeveria në mbledhjen e sotme për mbulimin e kostos së shtesave për skemat sociale dhe pensionale, për pagesën e shtesës 30% mbi shumën mujore për skemat e ndihmës sociale dhe për përfituesit e skemave pensionale që marrin më pak se 100 euro.

Në mbledhjen e sotme Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar metodën e pagesës direkte në formë të avansit tek UNOPS, për llogari të Ministrisë së Shëndetësisë, për pagesa direkte të huamarrjes, në vlerën prej katër milionë e njëqind e gjashtëdhjetë e nëntë mijë e gjashtëmbëdhjetë euro e gjashtëdhjetë e tre cent (4,169,016.63). Kjo është pjesa e dytë në bazë të kredisë së ratifikuar për Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim lidhur me financimin e projektit emergjent anti-COVID-19 për Kosovën.

Me vendimin e aprovuar nga Qeveria në mbledhjen e sotme është kërkuar nga Presidentja e Republikës së Kosovës dhënia e autorizimit për Ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit për nënshkrimin e marrëveshjes për financimin dhe zbatimin e projektit Heras+ Arsimi i Lartë, Hulumtim dhe Shkencë Aplikative me Agjencinë Austriake për Zhvillim – ADA.

Qeveria ndan 6 milionë euro për bizneset, 8.5 milionë për skemat sociale dhe mbi 5 milionë për policët e mjekët

Pse autostradat e Kosovës janë pa pagesë?

Opoja.net

Mërgimtarët kthehen në shtetet ku jetojnë, kolona vetëm në Merdare

Opoja.net

Ministria e Infrastrukturës kërkon që sonte të ketë kujdes të shtuar në trafik

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net