Ditën e djeshme Komuna e Dragashit organizoi takimin e parë publik me qytetarë, ku u diskutuan një sërë çështjesh. Qytetarët adresuan kritika të shumta ndaj udhëheqësve komunalë lidhur me çështjet që i shqetësojnë ata.
Në takim u hap edhe çështja e strukturave paralele të Serbisë në trevën e Gorës. Izet Aliu, qytetar nga fshati Brrut, tha se ushtrues i detyrës në komunën paralele të Gorës është Seljman Osmani, i cili njëkohësisht është edhe këshilltar komunal nga radhët e subjektit politik JGP dhe zëvendëskryesues i Kuvendit Komunal në Dragash. Aliu iu drejtua asambleistit të Nismës Socialdemokrate, Nexhat Isufit, duke i thënë se po të ishte në vendin e tij, ai nuk do t’i ‘rrinte përpara’ Seljman Osmanit.
‘’Unë me qenë asambleist këtu, unë nuk i rri përpara Seljman Osmanit, e as nuk ka shansë të më dalë përpara. Besoj që edhe e jashtëligjshme është kjo. Unë nuk e di qysh një kryetar i komunës paralele mundet me qenë nënkryetar i Komunë së Dragashit”, ka thënë qytetari Izet Aliu nga Brruti, në takimin publik i cili u mbajt në sallën e KK të Dragashit./Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.