Rënia e Kosovës brenda vitit 2021

Opoja.net Opoja.net Sport

Jemi në prag të përfundimit të vitit 2021, derisa Kombëtarja e Kosovës nuk ka qenë shumë e suksesshme brenda këtij viti.

“Dardanët” dështuan në kualifikimet për Kupën e Botës duke u renditur në pozitën e fundit në tabelë, atë prapa Kombëtareve si Gjeorgjia dhe Greqia, të cilave veçse kishim fuqi t’iu bënim ballë, shkruan lajmi.net.

Kosova ishte në grupin B në kuadër të kualifikuesve për Kupën e Botës, në grupe me shtetet si Spanja, Suedia, Greqia dhe Gjeorgjia. Kualifikimi ishte thjeshtë ‘ëndërr’, mirëpo askush nuk e priti që të përfundojmë në fund.

Fillimisht, “Dardanët” morën dy humbje radhazi në mars, duke pësuar nga Spanja (3-1) dhe pastaj në shtëpi nga Suedia (0-3).

Pas këtyre dy humbjeve, nisën kritikat e mëdha mbi përzgjedhësin e atëhershëm, Bernard Challandes, që kërkoi nga FFK të zhvillojë miqësore me Kombëtaret si San Marino, të cilën e mposhtën bindshëm 4 – 1 dhe Kazakistanit, ndeshje që pastaj u anulua.

Pas dy humbjeve radhazi, në shtator vazhduan kualifikueset, ku Kosova mori një fitore, një barazim dhe një humbje. Fillimisht me 2 shtator e mposhtëm Gjeorgjinë si mysafir (0 – 1), ndërsa tre ditë më vonë barazuam ndaj Greqisë, ndeshje që u dominua plotësisht, por një gol nga Vedat Muriqi në fundin e takimit na shpëtoi nga humbje (90+2), ndërsa me 8 shtator u takuam me një tjetër shtet që nuk na njeh, fjala është për Spanjën që zbarkoi në “Fadil Vokrri” dhe arriti të largohet me pikët e plota (0-2).

Një muaj më vonë, edhe pse ishim të motivuar për këto rezultate të arritura në shtator, ndodhi ajo që më se paku pritej. Pësuam dy humbje të njëpasnjëshme që edhe dolën të ishin vendimtare për shkarkimin e Bernard Challandes, që u largua nga stoli i Kosovës pas një kohë të gjatë.

Së pari, Kosova nuk ishte në nivelin e duhur ndaj Suedisë me 9 tetor, ku pësuan humbje me rezultat të njëjtë si në Prishtinës, pra 3 – 0. Kur pritej që të merrnim pikët e plota ndaj Gjeorgjisë dhe të shpresonim për një gabim të Greqisë për të mbyllur kualifikueset në vendin e tretë, Gjeorgjia bëri befasinë duke triumfuar me rezultat 1 – 2 midis “Fadil Vokrrit”.

Me këtë humbje, mbaroi gjithçka për teknikun zviceran, ngase FFK vendosi ta përfundojë marrëveshjen dhe Challandes në konferencë u largua me lot në sy, derisa edhe njoftoi se u pensionua.

Me largimin e Challandes, nisi një epokë e re te Kosova, ku stolin për një kohë të përkohshme e mori Pramoz Ghila, që drejtojë dy ndeshje. Një miqësore ndaj Jordanisë në Prishtinë, ku prapë pësuam humbje 0 – 2 dhe në fund barazuam me Greqinë në Athinë 1 – 1.

Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi në një intervistë për lajmi.net, deklaroi se përzgjedhësi i ri do konfirmohet para ndeshjeve të marsit në Ligën e Kombeve.

Problemi kryesor te Kosova

Kombëtarja e Kosovës ka futbollistë të mirë që luajnë në disa klube të mira, mirëpo problemi kryesor veçse dihet që është mesfusha.

“Dardanët” ende vazhdojnë të ftojnë lojtarë si Herolind Shala e Mirlind Kryeziu, futbollistë të cilën e kanë humbur formën që kishin para disa viteve, derisa shpesh herë as nuk luajnë për skuadrat e tyre momentale.

Gjëja pozitive për Kosovën për momentin është i riu i Schalke 04, Blendi Idrizi që është duke zhvilluar paraqitje të mira, mirëpo me patjetër nevojiten përforcime të reja.

Një ndër yjet e talentuar që mund t’i bashkohet Kosovës, është Elvis Rexhbecaj, që duket që është ‘lodhur’ duke pritur ftesën e Gjermanisë dhe tani ka vendosur të veshë fanellën “Dardane”, mirëpo për detaje më të shumta do mësohen gjatë muajve në vijim, ngase në ditët e ardhshme edhe mund të këtë takim mes Ademit, Elvisit dhe prindit të futbollistit.

Lojtarët e tjerë me prejardhje kosovare që kanë të drejtë t’i bashkohen Kosovës

Me ardhjen e Toni Domgjonit, Kosovës i është hapur dera që futbollistë të tjerë pavarësisht që kanë luajtur për U-21 e ndonjë Kombëtare tjetër mund të vijnë të veshin fanellën “Dardane”.

Nuk është vetëm Elvis Rexhbecaj që lidhet me stolin e Kosovës, pasi që edhe yjet si Mërgim Berisha i Fenerbahce apo Bastien Toma i Genk kanë të drejtë nëse duan që të vijnë te Kosova.

Dy lojtarët e lartë përmendur kanë deklaruar se ende nuk kanë vendosur për të ardhmen, por viti i ardhshëm pritet të jetë vendimtar për të dy.

Liga e Kombeve në vitin 2022

Kosova ka rastin e artë që të ngritët një grup më lartë në Ligën e Kombeve, falë një grupi të vështirë.

Me 16 dhjetor, u hodh shorti për Ligën e Kombeve, ku u renditëm në grupin C me Greqinë, Irlandën e Veriut dhe fituesi i ndeshjes Qipro – Estoni.

Ndeshjet e këtij edicioni në Ligën e Kombeve do të zhvillohen në qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm.

Gjatë këtij viti, Kosova ka pasur vetëm diçka pozitive që është renditja në FIFA, ku me dallim nga nëntori i vitit 2020, ku u rendit në pozitën e 117-të, brenda vitit 2021 është ngritur për gjashtë pozita, pra tani renditët në pozitën e 111-të./Lajmi.net/

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-