Reportazh: Sharri,aty ku natyra të imponohet

Opoja.net Opoja.net Lajme Opoja

Autore: Alma Baxhaku

Pasi lëmë pas qytet-muzeun e Prizrenit bashkë me historinë e lashtë të tij vazhdojmë udhëtimin drejt Dragashit përkatësisht Sharrit për ta plotësuar mozaikun e bukurive natyrore të Kosovës. Bjeshkët e Sharrit me madhështinë e tyre janë dëshmitare të qendresës së këtij populli të lashtë.

Historia e Komunës së Dragashit daton nga periudha e lashtë e ilirëve. Në këtë trevë jetoi popullata iliro-dardane që u pushtua gradualisht nga Perandoria Romake pas shekullit të II pas Krishtit, e më pas edhe nga ajo Bizantine e Turke, që lanë gjurmë në monumente historike-fetare. Aty janë dy treva me një natyrë piktoreske dhe me majat e larta të Bjeshkëve të Sharrit në një lartësi mbidetare rreth 1000 m, kufizohet me Prizrenin në veri, me Maqedoninë në pjesën jug-lindore dhe me Shqipërinë në pjesën jug-perëndimore. Treva e Opojës e banuar me popullësi etnikisht të pastër shqiptare dhe e Treva Gorës e pastër me goranë ,dy treva me dy etnitete me dy gjuhë te ndryshme dhe me dy kultura të pastërta e të mirëfillta që edhe sot ruhen me një fanatizëm të rrallë.

Për të vërtetuar të përkryerën e natyrës është e domosdoshme vizita në Brod, një fshat që shtrihet në fund të komunës së Dragashit. Bjeshkë të thepisura të prera si me thikë janë aq karakteristike dhe tërheqëse saqë njeriut humbet në horizontin e pikturuar me lumenj nën diellin shëndritës e në freskinë e natyrës. Bjeshka hijeshon me të gjithë potencialet e saj përrallore nga majat e larta e të thepisura, që zbret duke dhënë kështu imazhin e një lugine plot labirinte dhe të papritura, tek lëndinat që gjatë dimrit i lënë vendin bardhësisë së dëborës dhe në verë gjelbërimit. Emocionet janë të forta teksa bëhesh pjesë e magjisë së natyrës. Një ditë vere aty do të ishte e paharruar dhe dëshira për të vizituar dhe për të përjetuar e shijuar sërish ritmet e mrekullueshme të natyrës , është shumë e madhe. Një emocion që do të është vështirë të shprehet me fjalë.

Gjatë kësaj stine Brodi është i vërshuar nga vizitor që duan të kalojnë momente relaksi dhe qetësie, të ulur gjithandej nëpër natyrë, e shume të tjerë duke sfiduar veten me ngjitje në maje të kepit.

Brodi gjithashtu është një ndër vendet më të vizituara për qytetarët kosovar dhe jo vetëm. Është një vend atraksioni në të gjitha stinet për vizitoret që duan të largohen nga jeta e zhurmshme dhe e lodheshme e qyteteve. Së fundi në këtë vend është ndërtuar edhe infrastruktura e nevojshme për skijim, që ka munguar prej kohësh dhe që ka mundësuar që edhe gjatë stinës së dimrit, që Brodi të ketë po aq dhe ndoshta edhe më shume vizitor se në stinën e verës. Aty gjithashtu ka edhe hotele që ofrojnë kushte të mira, për pushime që do të mbahen mend.

Karakteristikë e kësaj pjese janë bjeshkët e thepisura në forma të ndryshme ku pjesa kryesore është maja e quajtur “Kepi i Nusës”. E veçantë jo e zakonshme që nuk mund të gjindet në asnjë pjesë tjetër.

Por, kjo nuk është e gjitha që ofron natyra e kësaj komune. Ajo plotësohet edhe më shumë me Liqenin e Breznës, i cili qëndron si syri i kaltër i natyrës përreth i karakterizuar edhe me bimë endemike. Ky liqe ndodhet në fshatin Breznë, fshat i cili shtrihet rrëzë malit të Koretnikut, në magjistralen Dragash-Prizren rreth 25 km larg Prizrenit. Një befasi e këndshme në mes të këtij peisazhi të mrekullive.

Për të gërshetuar artet e natyrës me ato të njeriut

Komuna e Dragashit veçohet edhe me kulturën e mirëfilltë islame dhe që banorët e saj janë të përkushtuar jashtëzakonisht ndaj këtij religjioni. Shembulli konkret është “Xhamia e Bresanës” e cila njëkohësisht është më e madhja në trojet shqiptare dhe jo vetëm. Ajo ndodhet në fshatin Bresanë, fshat ky i cili shtrihet rrëzë kodrave të Bjeshkëve të Sharrit. Por, ndertimi i kësaj xhamie ka një histori. Banorët e fshatit shiten tokat e tyre për ndertimin e saj, ku ka pasur edhe prej atyre që kanë dhuruar vlera deri në 30000 euro. Prania e kësaj xhamie lë pershtypjen e një vendi me kulturë orientale. Një vijëmsi e xhamiave të lashta të Prizrenit

Së fundi, Bjeshkët e Sharrit janë shpallur park nacional. Aty ka pasuri jo vetëm të bukurive natyrore por edhe një florë të pasur me bimë mjekësore, që kohët e fundit ka filluar t’iu kushtohet rëndësi edhe nga ana institucionale.
Përshtypjet emocionale që fiton njeriu në këtë panoromë piktoreske janë të papërshkrueshme me fjalë, kështu vizita në këto treva është më së e nevojshme.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-