Shkolla e Mesme e Lartë “Ruzhdi Berisha” shënoi sot 56-vjetorin e themelimit me një sërë aktivitetesh të veçanta, të cilat sollën në vëmendje historinë, përkushtimin dhe kontributin e këtij institucioni arsimor në edukimin e brezave të rinj.
Ceremonia filloi me homazhe në nder të dëshmorit Ruzhdi Berisha, emrin e të cilit e mban me krenari kjo shkollë. Stafi, nxënësit dhe përfaqësues të institucioneve lokale vendosën kurora lulesh pranë bustit të dëshmorit, duke kujtuar me respekt jetën dhe veprën e tij.
Më pas, në ambientet e shkollës u organizua një aktivitet përkujtimor dhe një program artistik i përgatitur nga vetë nxënësit, ku përmes këngëve, recitimeve dhe pjesëve teatrale u pasqyrua rruga e gjatë dhe suksesi që ka ndjekur shkolla ndër vite.
Drejtori i shkollës, në fjalën e tij, theksoi rëndësinë e ruajtjes së vlerave arsimore dhe kulturore që kjo shkollë ka ndërtuar gjatë dekadave, si dhe vlerësoi angazhimin e mësimdhënësve dhe nxënësve në përgatitjen e kësaj dite të veçantë.
Festimi i 56-vjetorit shërbeu jo vetëm si një moment reflektimi për të kaluarën, por edhe si një motivim për të ardhmen, duke synuar që shkolla “Ruzhdi Berisha” të vazhdojë të jetë një vatër e dijes dhe vlerave të larta qytetare.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.