Shqetëson ndotja e lumenjve të Opojës (Foto&Video)

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Gazetari dhe publicisti nga Bresana, Demir Reshiti në një postim në facebook ka ngritur shqetësimin e tij për ndotjen e lumit te Bresanës përgjatë tërë rrjedhës së tij nëpër fshat. Këtë e ka ilustruar me rreth 30 fotografi e video të bëra në disa pika ku shihen mbeturina të llojllojshme të hedhura në shtratin e lumit nga qytetarë të pandërgjegjshëm…

Ky postim ka nxitur shumë reagime dhe debate dhe pothuajse të gjithë reaguesit kanë shprehur shqetësimin e tyre e madje kanë postuar edhe fotografi në të cilat dëshmohet se gjendje e tillë shqetësuese paraqitet edhe në lumenjtë e fshatrave tjera të Opojës.

Demiri përveq  shqetësimit të ngritur, ka dhënë edhe disa propozime për ta evituar këtë dukuri të shëmtuar…
Lexoni në vazhdim shqetësimin e ngritur nga Demiri bashkë me propozimet konkrete për masat që duhet ndërmarrë:

TURP… TURP… TURP!
Kështu duket sot lumi i Bresanës. Mbeturina nga të gjitha llojet gjenden te hedhura në këtë lum nga njerëz të pandërgjegjshëm. Këto mbeturina janë rrezik potencial për shëndetin e banorëve…
Edhe pse kompania e pastrimit një herë në javë e mbledh bërllokun, disa familje që nuk paguajnë i hedhin mbeturinat në lum. Ata arsyetohen se kompania ka shtrenjtuar shërbimet gati 200% pa paralajmërim a konsultim paraprak me banorët andaj nuk po paguajnë!
Mendoj se duhet të ndërmerren urgjentisht masa që lumi të pastrohet dhe të ndëshkohen ata që hedhin mbeturina e gjithashtu edhe kompania që bën grumbullimin e mbeturinave t’i kthej çmimet në nivelin e mëparshëm…

Bëra fotografi në disa pika përgjatë tërë rrjedhës se lumit nëpër fshat dhe konstatova se gjendja në përgjithësi ishte trishtuese…
Mendoj se urgjentisht duhet ndërmarrë këto masa:
1. Të angazhohet një kompani e pastrimit e cila do të ndihmohej nga të rinj vullnetarë të fshatit për pastrimin e lumit përgjatë tërë rrjedhës nëpër fshat;
2. Të mbahet një mbledhje e karakterit vetëdijesues me banorët e fshatit në të cilën udhëheqësit e fshatit (nëse ka të tillë), imamët e të dy xhamive, mjekë, intelektualë si dhe përfaqësues të subjekteve politike nga fshati Bresanë t’ju flasin banorëve për rrezikun që përbën hedhja e mbeturinave në lum. Në mbledhje të ftohen edhe përfaqësues të kompanisë së autorizuar për heqjen e bërllokut si dhe të inspektoratit komunal dhe të merren vendime për ndëshkimin e personave të pandërgjegjshëm që bëjnë hedhjen e mbeturinave në lum;
3. Të vendosen urgjentisht kontejnerë nëpër secilën lagje të fshatit;
4. Të vendosen tabela me mbishkrimin “Ta ruajmë ambientin” dhe “Ndalohet rreptësishtë hedhja e mbeturinave në lum”;
5. Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, arsimtarët orën e parë të mësimit t’ia kushtojnë këtij problemi dhe t’i sensibilizojnë nxënësit për ruajtjen e ambientit.

Mirëpresim edhe ndonjë ide tjetër e cila do të mund të materializohej në drejtim të mbrojtjes së ambientit.
Të gjitha këto të bëhen në interes të vetë popullatës!

© Opoja.net

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-