Prej mënyrës dhe nivelit të përgatitjes së tokës varet suksesi i prodhimtarisë së kësaj kulture. Për mbjelljen e kulturës së dredhëzës, por edhe kulturave të tjera, nevojitet që toka më parë të parapërgatitet . Përgatitja e tokës luan një rol vendimtar për arritjen e rendimenteve të larta.
Përgatitja e tokës përfshin rregullimin, përmirësimin, lëvrimin dhe asgjësimin e barojave të padëshiruara. Punët që duhet të ndërmerren rreth rregullimit të tokës varen nga ajo se çka ka pasur të mbjellë në te; nëse ka pasur dredhëza për disa vite me radhë ajo tokë duhet të dezinfektohet me kimikate të ndryshme për sterilizimin e tokës, të cilat janë mbytës për insektet, nematodët, kërpudhat, bakteriet dhe barojat e padëshiruara.
Në ditët e sotme përdoren preparate të ndryshme kimike nga persona të autorizuar për sterilizimin e tokës si: Bosamid granular, Vapam, Formalina, Kloripikrina, etj. Mënyrë tjetër është edhe përdorimi i folisë transparente në periudhën kur ka diell të fortë.
Folia lihet rreth 30 ditë, në mënyrë që toka të arrijë temperaturë rreth 50 gradë celzius, në 5 cm thellësi dhe rreth 40 gradë celzius në 20 cm thellësi. Këto temperatura janë fatale për të gjithë parazitët bimorë, si dhe për barojat e padëshiruara.
Nëse ka pasur të mbjella me kulturat, të cilat kanë sistem të cekët rrënjor, mund të fillohet të përgatitet toka. Mirëpo, nëse në tokë ka pasur dru të ndryshëm (shkurre, dru malor, pemë) që kanë sistem të thellë rrënjor, atëherë nevojitet një lëvrim më i thellë deri në 60 cm.
Pastaj duhet të pastrohet sipërfaqja nga rrënjët dhe të mbillen kultura të tjera, së pakut dy vjet, që toka të përgatitet për mbjelljen e dredhëzës. Me qëllim që t’i mënjanojmë mikrodepresionet për ta penguar akumulimin e masave të ftohta të ajrit, duhet të kryhet nivelizimi i sipërfaqës me mekanizëm të rëndë përkatës.
Sikurse pemët e tjera, edhe dredhëza si pemë e imët, i ka kërkesat e veta për lagështi, të cilës duhet t’i kushtohet kujdes i veçantë, pasi që dihet se në mungesë të lagështisë të gjitha proceset në kaçubë kryhen në mënyrë jo të rregullt. Andaj, duhet pasur kujdes edhe për praninë e lagështisë së tepërt të tokës, sidomos në kohë të gjatë.
Prandaj, drenazhimi (kullimi i ujit) duhet bërë, pasi që është një masë shumë e rëndësishme e cila duhet të kryhet para se të ngrihet pemishtja, veçanërisht në toka argjilore. Drenazhimi mundëson largimin e ujit të tepërt, plotësisht dhe të shpejt nga pemishtja.
Uji i tepërt i pranishëm në pemishte për një ose dy ditë ndikon në dëmtimin e bimës, sidomos gjatë periudhës së rritjes intensive. Edhe asgjësimi i barojave të padëshiruara e ka rolin e vet për përgatitjen e tokës për mbjellje, sepse dredhëzës dhe shumicës së barojave të padëshiruara, sistemi rrënjor u rritet në të njejtën thellësi.
Mirëpo, barojat e kanë sistemin rrënjor më aktiv, prandaj ia marrin ujin, si dhe lëndët minerale kaçubës së dredhëzës. Për eliminim të barojave preferohet të trajtohen me herbicide totale, p.sh. AMOK G me 7- 8 për ha (hektar) dhe duhet të bëhet së paku një muaj para se të mbillen fidanët e dredhëzës.
Varësisht nga lloji i barojave, shkalla e përhapjes, faza zhvillimore dhe gjendja fiziologjike e barojave, si dhe nga kushtet e temperaturave dhe të lagështisë së ajrit, eliminimi i plotë i tyre arrihet prej 10 deri në 30 ditë pas trajtimit.
Pas këtij operacioni mund të bëhet lëvrimi i thellë i tokës prej 40 deri 50 cm. Në bazë të analizave të tokës bëhet edhe plehërimi meliorativ, ndërsa nëse toka është e mangët me lëndë ushqyese dhe pH-ja është e ulët, preferohet toka të plehërohet me plehëra stalle pas lëvrimit të thellë prej 40 deri 60 t/h, në mënyrë që plehu të mbetet në shtresën e tokës, në të cilën gjendet edhe sistemi rrënjor i dredhëzës.
Plehërimi me plehëra organike është i domosdoshëm për përgatitjen e tokës, por jo i domosdoshëm gjatë frutifikimit, pasi që jetëgjatësia e pemishtes është relativisht e shkurtër (3 vjet), dhe përdorimi i kashtës dhe tallashit në mes të rendeve e shkakton kalbjen e tyre, kështu që krijohet masa organike.
Dredhëza si pemë e imët është më e suksesshme në tokat pjellore, pak të lehta, të shkrifta dhe humusore. Përmirësimi i përbërjes së elementeve ushqyese kryhet me shtimin e plehërave minerale komplekse, si NPK me kombinim përkatës. Për këtë qëllim përdoren më së shpeshti 300 deri 400 kg/ha superfosfat dhe 200 deri 400 kg/ha kalium fosfat ose NPK 10:12:26 plus 3% mg në sasi 800 deri 1000 kg/ha.
Nga kjo gjysma deri dy të tretat (500 deri në 700 kg/ha) shtohen në përgatitjen e tokës, kurse sasia tjetër shtohet para lëvrimit të dytë. Lëvrimi i dytë kryhet në thellësi 30 – 40 cm, saktësisht 30 ditë para mbjelljes, ashtu që toka të imtësohet dhe të teret.
Në Kosovë për mbjellje verore lëvrimi kryhet në periudhën maj-qershor. Edhe pas lëvrimit, toka nuk ngel e rrafshët, prandaj duhet pjatuar dhe trinuar, në mënyrë që ajo të imtësohet sa më shumë dhe të fitohet sipërfaqe sa më e rrafshët, ku mund të fillojë mbjellja e dredhëzës.
Menjëherë pas përfundimit të masave agroteknike, kur dheu është imtësuar mirë, fillohet përgatitja e lehëve. Kur lehët të përgatiten mirë, preferohet që me rule të ngjeshen, në mënyrë që mos të mbetet ajër në lehë, ndërsa drejtimi i tyre bëhet me litar.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.