Sindikata e Policisë kërkon kushte më të mira për policinë

Opoja.net Opoja.net Kosova

Sigurimi shëndetësor është kërkesë e kamotshme e Policisë së Kosovës. Sindikata e Policisë po ashtu është duke kërkuar që një kohë të gjatë që policive t’u paguhen shtesat e rrezikshmërisë por edhe shujtat ditore. Madje, një pjesë e Policisë së Kosovës ka protestuar e pakënaqur edhe me nivelin e pagave për punën që bën.

Mungesa e sigurimit shëndetësor është problem të cilin Policia e Kosovës e adreson me vite. Po ashtu pagat e ulëta, mospagesa e rrezikshmërisë si dhe shujtave, janë disa nga problemet e tjera, për të cilat ata po kërkojnë zgjidhje. Kështu tha Imer Zeqiri, kryetar i Sindikatës së Policisë së Kosovës, në një bisedë për Radio Kosovën.

“Që nga viti i kaluar kam adresuar disa kërkesa edhe të kryeministri edhe ministri i brendshëm dhe ministri i financave. Unë propozova një sigurim shëndetësor alternativ derisa të bëhet ligji për sigurim shëndetësor. Çdo ditë e humbur pa sigurim shëndetësor,  është e paarsyeshëm përveç e turpshme”, theksoi ai.

Zeqiri tha se sigurimi shëndetësor është i domosdoshëm, sepse janë 322 zyrtarë që kanë vdekur në detyrë, kurse më shumë se 500 të tjerë janë me sëmundje kronike. Kostoja e sigurimeve shëndetësore për një vit, sipas Zeqirit, mund të jetë deri në 5 milionë euro.

“Kostoja për të gjithë pjesëtarë e PK-së në kohën kur ne kemi biseduar ka mundur të përmblidhet me 4.5 apo 5 milionë për një vit, duke llogaritur 9 mijë e 500 pjesëtarë të Policisë së Kosovës.  Unë mendoj se kjo shumë nuk është e papërballueshme për buxhetin e shtetit”, tha ai.

Sipas tij, problem tjetër që nga implementimi i Ligjit për paga është edhe mospagesa e rrezikshmërisë. Është muaji i shtatë që Policia e Kosovës nuk i gëzon këto të drejta. Po ashtu Zeqiri tha se shujtat ditore nuk janë duke ua paguar të gjithë punonjësve, teka sa shtoi  se janë shqetësuese dorëheqjet në Polici:

Ton “Është shqetësuese puna e dorëheqjeve në Policinë e Kosovës, kemi mbi 2 mijë 200 dorëheqje vullnetare nga themelimi deri në vitin e kaluar, ndërsa ketë vit kemi rreth 50 dorëheqje vullnetare, shumica për shkak të pakënaqësive në kushte.  Po dëmtohemi jo vetëm ne si PK-së por edhe shteti i Kosovës”, tha ai.

Sindikata e Punëtorëve të Policisë së Kosovës ka lutur Qeverinë dhe institucionet  e tjera relevante, të fillojnë të realizojnë cilëndo prej  kërkesave të tyre.

Ndryshe, pjesëtarë të Flotës Operative dhe Departamentit Mbështetës Operativ në Policinë e Kosovës, kanë protestuar këtë javë të pakënaqur me pagat. Kërkesa kryesore e policëve protestues, ishte rregullimi i vlerës së koeficienteve sipas pozicionit të efektivëve.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-