Sindikata e Policisë paralajmëron: Nuk do të shkojë gjatë bllokada në veri

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Imer Zeqiri nga Sindikata e Policisë së Kosovës ka paralajmëruar se bllokadat në dy pikat kufitare në veri, në Jarinje dhe Bërnjak, nuk do të jenë edhe për një kohë të gjatë në këtë gjendje.

Në një intervistë në “Interaktiv”, ai ka thënë se janë duke pritur që kërkesat e menaxhmentit të Policisë të aprovohen nga organet shtetërore dhe ndërkombëtare, për të filluar me zhbllokimin e rrugëve.

“Nuk do të presim pa kufi. E them me përgjegjësi të plotë. Pavarësisht rreziqeve, Policia dëshiron të ketë rrugë të zhbllokuara dhe që si Polici të funksionojmë normalisht pa pengesa. Nuk do të shkoj gjatë kjo bllokadë. Presim që kërkesat e menaxhmentit të Policisë të pranohet nga organet tona shtetërore dhe ndërkombëtarët”, ka thënë Zeqiri.

Kreu i Sindikatës ka këmbëngulur se Policia ka kapacitetet njerëzore dhe logjistike t’i kryejë këto punë vetë. Shtoi se presin vetëm aprovimin e kërkesave të Policisë nga institucionet për të vazhduar me procedurat e tjera.

Ka thënë se policët e sëmurë që u larguan sot nga dy pikat kufitare kanë qenë me sëmundje kronike të vazhdueshme. Konfirmoi se ata nuk janë zëvendësuar nga policë të tjerë.

Pas dorëheqjes së serbëve nga institucionet e Kosovës, situata në veri ka ngelur e tensionuar. Policia dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u sulmuan në përpjekjet e tyre për t’i organizuar zgjedhjet në katër komunat e veriut. Pas tensioneve të shkaktuara, zgjedhjet janë shtyrë për në prill.

Serbët po protestojnë kundër arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës, të dyshuar për sulmet ndaj Policisë dhe KQZ-së.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-