Skandali i Konsullit kosovar, shqelmat e djalit të tij dhe ndjekja e protestuesit nga policia

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Konsulli i Kosovës në Sofje të Bullgarisë, Lulzim Rifaj kishte shkuar “rastësisht” të premten për ta vizituar djalin e tij në kompaninë “Eurokos” ku ai punon si koordinator, në Vranishtë të Dragashit. Si rastësi, në po atë ditë banorët e fshatit kishin organizuar protestë kundër ndërtimit të një hidrocentrali në nga kompania “Eurokos”.

Kur protesta kishte eskaluar në dhunë ndërmjet protestuesve dhe zyrtarëve të kompanisë, aty ishte përfshirë djali i konsullit kosovar, Granit Rifaj, derisa vetë konsulli ishte parë me një mjet të rëndë në duar.

“Aty është punëtori. Ka edhe druna edhe sëpata, kështu që mund të them se nuk kam qenë unë tek protestuesit”, ka thënë Rifaj të shtunën për Insajderin, duke mohuar të ketë qenë i përfshirë në protestë.

Por, të kundërtën e ka thënë sot djali i konsullit të Kosovës në Bullgari, Granit Rifaj. Ai thotë se protestuesit janë vërsulur në drejtim të babait të tij, dhe për këtë arsye ai është përleshur me ta.

Granit Rifaj, i cili është edhe asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Dragash, ka thënë për Gazetën Insajderi se një person nga ana e protestuesve ka nxitur përleshjen.

“Personi në fjalë nxit urrejtje, kërkon të nxirremi me dhunë që aty, fjalë kundër shtetit e gjithë institucioneve, pastaj e sulmoi fizikisht inxhinierin tonë për arsye se po incizonte videon që ta drejtojmë në institucione, për këtë arsye policia deshi ta arrestojë dhe po aty fillojë të eskalojë situata, protestuesit pengonin policin në punën e tyre, ndërsa personi i dyshuar ishte vërsulur nga babai ime. Kështu që, ishim të detyruar të vetëmbrohemi”, deklaroi Granit Rifaj, koordinator i “Eurokos” dhe djali i konsullit.

Vetë Lulzim Rifaj thotë se nuk është aksionar i kompanisë që po synon të ndërtojë hidrocentralin në Vranishtë, por për Insajderin deklaroi se ka biseduar me banorët e fshatit për të gjetur një zgjidhje.

“Unë jam takuar me protestuesit, ata më kanë kërkuar falje për këtë që ka ndodhur dhe unë i kam siguruar atyre qetësi, dhe se shteti do t’i ndihmojë atyre. Ka qenë një takim shumë frytdhënës me protestuesit”, ka thënë Konsulli i Kosovës në Bullgari.

Pas këtij skandali të konsullit kosovar, ku ai iu drejtua protestuesve me një mjet të rëndë në duar, Policia e Kosovës në një deklaratë për Gazetën Insajderi ka thënë se është vënë në ndjekje të një personi.

Ky person, ka thënë policia, vjen nga radhët e protestuesve.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës në Rajonin e Policisë në Prizren, Hazir Berisha, ka thënë se protesta ka qenë pasive dhe se një prej protestuesve është në kërkim.

“Ka qenë protestë pasive kështu. Një qytetarë ka thirrur për rezistencë aty, nuk kemi arritur ta kapim, por e kemi identifikuar atë”, ka thënë Berisha.

Berisha ka thënë se policia vetëm e ka respektuar urdhrin e Gjykatës Themelore të Prizrenit, pasi punëkryesit e hidrocentralit në lumin Brod e kanë dokumentacionin në rregull.

“Ai i thërret qytetarët për të dalë në protestë për të bllokuar punën, por aty punëkryuesi e ka një dokumentacion dhe një urdhër të gjykatës që duhet të vazhdohet puna, dhe puna e policisë është që të respektojë vendimet e gjykatave”, ka thënë Berisha për Insajderin. /Insajderi.com

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-