“Ata, që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë në grupe, e ku çdo grup është i kënaqur me atë që ka”.
Një fe sipas qejfit të personave, një fe sipas qejfit të grupeve, një fe sipas qejfit të popujve… Si rezultat i kësaj, përveç tjetërsimit të botëkuptimit dhe mendimit tonë në lidhje me fenë dhe përplasja midis tyre, del në pah edhe përplasja e egove individuale e shoqërore nën identitetin e fesë. Për shembull, një baba mund të njohë të drejtat që i garanton feja babait, por nuk i njeh fare ose i neglizhon detyrat që ka babai ndaj fëmijës së tij.
Një bashkëshort i njeh të drejtat që i ka garantuar feja burrit në gjirin familjar, por nuk i njeh të drejtat e bashkëshortes ose nuk u jep rëndësi atyre. Një bashkëshorte i njeh të drejtat që i ka garantuar feja gruas në gjirin familjar, por tregohet e shkujdesur ndaj të drejtave të burrit ose ndaj përgjegjësive familjare. Një fëmijë i njeh të drejtat që ia garanton feja mbi prindërit e tij, por ai nuk i njeh përgjegjësitë e fëmijës ndaj prindërve.
Ndërkohë që një punëdhënës i njeh mirë të drejtat e veta, ai tregohet indiferent ndaj të drejtave të punëtorëve të tij ose ndaj të drejtave të njerëzve që konsumojnë produktet që ai prodhon. Ndërkohë që një kryetar shteti apo një drejtues tregon kujdes shumë të madh në lidhje me të drejtat që ka për të menaxhuar apo për të urdhëruar, i mbyll sytë ndaj shërbimit që duhet të bëjë, ndaj llogarisë që duhet të japë apo nga drejtësia që duhet të mbajë. Një punëtor kërkon gjithçka prej drejtorit të tij, por përgjegjësitë që ka mbi vete, nuk i shpie kurrë nëpër mend. Ka popuj që mendojnë se Krijuesi ua ka dhënë atyre të gjithë nderin, fisnikërinë dhe superioritetin ose besojnë se të gjitha krijesat e tjera janë nën nivelin e tyre dhe se ato janë krijuar vetëm për t’u shërbyer atyre.
Një kriminel e kërkon të drejtën për t’u falur, por nuk bën kujdes ndaj përgjegjësive që ka në kaosin shoqëror, që vjen si pasojë e krimit të tij. Ka dijetarë, që me mendimin se dinë gjithçka, kujtojnë se kanë edhe autoritetin të veprojnë si të duan me fenë. Mirëpo, harrojnë se edhe mendjen, edhe memorien, edhe diturinë e kanë nga Zoti dhe se “dijetarët” janë ata që duhet të jenë më të kujdesshëm ndaj ligjeve të Allahu të Madhëruar…
Ndërkohë që një rob kërkon pafundësisht prej Allahut, ai harron se është rob i Tij, se është i krijuar dhe se të gjithë ekzistencën e vet ia ka për borxh Krijuesit, duke mos e çuar nëpër mend asnjë prej përgjegjësive që i ka ngarkuar Allahu. Çfarë fshihet poshtë këtyre? Fshihet dëshira e pavetëdijshme e leximit të Kuranit për të prodhuar fakte në lidhje me interesat tona. Fshihet dëshira për të jetuar duke harruar “ndjesinë e dorëzimit” ndaj Islamit. Po, në thelb, Islami është dorëzim. Është një dorëzim pa kushte dhe me zemër të pastër ndaj ligjeve të caktuara nga Allahu për birin e njeriut. Ky është sinqeriteti me të cilin përkufizojmë “përkushtimin ndaj Allahut”.
Jo t’i dorëzohemi egos sonë, “jo ta kthejmë egon në idhull e t’u bindemi shkronjë për shkronjë komandave të saj, duke u bërë robër të saj”, por t’i dorëzohemi Allahut dhe fesë së tij. Nëse prej Islamit marrim atë që i vjen përshtat interesit tonë, do të thotë se ne adhurojmë interesin tonë, çfarëdo qoftë ai.
Përktheu dhe përgaditi: Kushtrim Guraj / © Opoja.net
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.