Opoja.net

Të jetosh sikur gjendesh ballë për ballë me Allahun

Islame

Hoxha jonë i nderuar, i ndjeri Musa Topbashi (k.s.), jep këto të dhëna në lidhje me dijen e marifetull-llahut / njohjes së Zotit (xh.sh.), në veprën e tij me titull “Tasavvufi dhe marifetull-llahu”:

“Dija e marifetull-llahut është si një oqean që nuk ka kufij, skaje dhe fund. Kjo është një dije hyjnore që e përfshin të gjithë universin. Kjo nuk mund të përkufizohet, por çdokush mund të flasë për të sipas dijes, të kuptuarit dhe gradës së tij.”

“Edhe përparimi në dijen e marifetull-llahut është i lidhur me pastërtinë dhe dëlirësinë e zemrës dhe të botës shpirtërore. Nëse udhëtari i rrugës së vërtetë (i rrugës së Zotit) ka këto katër cilësi, fshehtësitë hyjnore zbresin në botën shpirtërore me të gjithë begatinë dhe mëshirën e tyre. Këto cilësi janë:

Sinqeriteti i madh, orientimi i drejtë, përpjekja e vendosmëria dhe nënshtrimi i plotë kundrejt Zotit (xh.sh.).

Sjelljet e miqve të Zotit që e kanë arritur diturinë e marifetull-llahut, e cila nuk ka kufij dhe skaje, janë shembuj shumë të vyer për ne. Përveç të tjerash, ato janë të mbushura plot me ngjarje mësimdhënëse.

Mahmud Sami Ramazanogllu (k.s.), nga Adana, i cili ishte njëri prej miqve të Zotit (xh.sh.), që ka jetuar në periudhën e fundit të perandorisë osmane dhe vitet e para të republikës së Turqisë, është njëri prej këtyre shembujve të vyer.

Ja disa tablo, ja disa fragmente nga jeta dhe sjelljet e jetës së tij si reflektime të një zemre që e ka arritur marifetull-llahun:

KËRKIMI I KËNAQËSISË SË ALLAHUT NË ÇDO VEPËR

Tregon i nderuari Ali Hysrevogllu:

Hz. Mahmud Sami Ramazanogllu (k.s.), nuk ia ka sugjeruar askujt diçka që nuk e ka përjetuar vetë. Nëse diçka ia ka sugjeruar dikujt, para të gjithëve e ka praktikuar vetë atë që e thoshte dhe këtë e ka bërë vetëm për hir të Allahut Teala dhe me sinqeritet. Një dashamirësi të tij që kishte ardhur për ta vizituar, ia tregoi gotën në tavolinë duke e marrë në dorë dhe i tha:

“Hafiz Fehmi Efendiu! Ne duhet të kërkojmë kënaqësinë e Allahut Teala edhe në lëvizjen e kësaj gote nga këtu për ta vendosur atje.”

Sa perceptim i thellë që është kërkimi i kënaqësisë së Allahut Teala në çdo vepër tonën, qoftë e madhe apo e vogël!.. Sa mendim i thellë dhe i zgjuar!.. Sa jetë e mrekullueshme dhe e mbushur plot me meditim!

KRIJESA MË E DOBËT

Hoxha i nderuar gjithmonë e shikonte veten si krijesa më e dobët. Ai ndjente një turp të thellë prej mysafirëve që vinin për ta vizituar në periudhën e fundit të jetës së tij dhe duke e mbyllur fytyrën me duart, thoshte: “O Zot! Unë nuk u them këtyre robërve të Tu që të vijnë këtu. Ndërsa këta mendojnë mirë për këtë të varfër. Unë nuk e kam në dorë që t’i refuzoj ata.” Sa shembuj të bukur që janë këto përgjërime dhe ndjesi shpirtërore për reflektimin e një zemre që e ka arritur marifetull-llahun!

MEQË KËRKON, DUHET T’I JAPIM

Një herë, ndërsa po prisnin namazin e jacisë në Qabe, një lypës erdhi shtatë herë. Hoxhës së nderuar ia zgjati dorën duke i thënë: “Më jep për hir të Allahut!” Shoqëruesit e hoxhës që gjendeshin pranë tij, nuk e duruan dot këtë situatë dhe deshën ta ndalonin duke i thënë:

“I nderuar! Ky person sapo merr diçka prej jush, kalon prapa. Pas pak kohe, përsëri vjen dhe ju zgjat dorën. Kjo është hera e shtatë që po vjen.” Hoxha i nderuar buzëqeshi duke thënë: “Ashtu, ë?, për t’ua qetësuar zemrat shoqëruesve të tij dhe pastaj tha: “Meqë kërkon, duhet t’i japim. Më mirë të japim pak se sa të mos japim fare.”

Kur drita e Islamit të vendoset në zemër, kraharori i njeriut zgjerohet. Për shkak të kësaj, ai fillon t’i shohë krijesat me shikimin e Zotit (xh.sh.). Atij i shtohet durimi, vendosmëria, bujaria, dhembshuria dhe mëshira. Mjafton që njeriu t’i vendosë në lëvizje xhevahiret që ka në kraharorin e tij.

NË NJË INSEKT TË VOGËL KA NJË JETË TË MADHE

Në çdo lëvizje të njerëzve që e kanë arritur marifetull-llahun ka mësime të thella dhe domethënëse. Këtë ngjarje që ka të bëjë me jetën e meditimit e pati treguar i ndjeri nga lagjja e Fatihut, xhaxha Hysejn Xhoshkuni:

“Një ditë shkova për të vizituar të nderuarin tonë, Hz. Sami Efendiun. Trokita në derën e shtëpisë së tij. Dera u hap dhe u urdhërova që të hyja brenda. Kur hyra në dhomë, hoxhën e pashë me laps në dorë duke shkruar diçka. Menjëherë shkova pranë tij dhe u ula, në mënyrë që të mos ia prishja qetësinë. Në ato momente, një insekt, u ul mbi fletoren e tij. Hoxha i nderuar e ktheu shikimin nga unë dhe më tha:

“Hysejn efendi! A e shikon këtë? Në këtë insekt të vogël ka një jetë të madhe. Te ai gjendet e gjithë jeta. Po sikur të mendojmë një herë për madhështinë e Allahut!”

Me të vërtetë, në një insekt të vogël gjendet gjithë ajo jetë madhështore!.. Mbi të gjitha, në këtë univers ka gjithë ato gjallesa!.. Të gjitha këto tregojnë madhështinë e Allahut Teala…

RRETHOJNË SHTATË KAT QIEJ

Ai e transmetonte shpesh këtë fjalë të Sami Efendiut në lidhje me zgjerimin e kraharorit.

Një ditë hoxha ynë e vendosi dorën mbi kraharorin e tij dhe më tha:

“Hysejn Efendi! Në kraharorin e njeriut ka aq shumë qeliza saqë mund të rrethojnë shtatë kat qiej. Sa i nderuar është njeriu, apo jo? Por për fat të keq, shumica prej nesh jemi në një shkujdesje të madhe ndaj Zotit (xh.sh.).”

DHURIMI I PARAVE TË BILETËS SË FURGONIT

Hoxha i nderuar çdo ditë shkonte dhe vinte nga puna. I hipte trenit në Erenkëj dhe shkonte në Hajdarpasha. Prej aty kalonte me vapor në Karakëj. Sipas kushteve të motit, nganjëherë hipte në furgon. Ndërsa nganjëherë tjetër ecte në këmbë. Kur koha ishte e mirë dhe pa reshje i pëlqente që ta kalonte Urën e Gallatës duke ecur. Atë ditë që ecte, paratë që do t’ia jepte biletës së furgonit ia dhuronte një të varfri. Ai e falënderonte Allahun Teala duke thënë:

“Elhamdulil-lah! Zoti na ka dhënë shëndet, andaj edhe po ecim.”

Miqtë e Zotit janë ushtarët e besimit që jetojnë duke e lavdëruar dhe falënderuar Allahun përgjatë gjithë jetës së tyre. Ata janë heronjtë që i ndihmojnë të varfrit, të vobektët dhe të vetmuarit me mirësitë që ua ka dhënë Allahu Teala. Ata janë fatlumë që kërkojnë mundësi për të dhënë vazhdimisht për hir të Allahut (xh.sh.), si sjellje që reflektojnë nga një zemër që e ka arritur marifetull-llahun.

TAKOHU ME TA AQ SA KE PUNË DHE PASTAJ LARGOHU

Hoxha i nderuar e pati paralajmëruar xhaxha Hysejnin në lidhje me mbrojtjen e pastërtisë së zemrës duke i thënë:

“Ju, për shkak të punës, gjendeni me njerëz të ndryshëm. Kini kujdes!.. Pasi të mbaroni punë, menjëherë largohuni prej tyre. Mos qëndroni bashkë me njerëzit e dhënë pas kësaj bote dhe të rënë në shkujdesje ndaj Zotit (xh.sh.). Mos rrini gjatë me ata. Qëndroni dhe takohuni derisa të mbaroni punën.”

Të qëndruarit larg njerëzve të dhënë pas kësaj bote e të rënë në shkujdesje ndaj Zotit (xh.sh.) dhe të larguarit prej atyre është një disiplinë jete për ta arritur marifetull-llahun. Hyrja në këtë edukim është e domosdoshme, në mënyrë që të bëhemi besimtarë të përsosur.

Mos i humb

Nëse njerëzit e mirë nuk bëjnë asgjë, e keqja me siguri do të fitojë

Kushtrim Guraj

Anatomia e brengës

Kushtrim Guraj

Për një vatër familjare të gëzuar

Kushtrim Guraj

Llogaria e namazit

Opoja.net

“Bëni kujdes! Zemrat qetësohen dhe kënaqen vetëm duke përmendur Allahun”

Kushtrim Guraj

Sensi i Jetës

Kushtrim Guraj
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net