Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim vendi do të përballet me ndryshime të theksuara atmosferike dhe ulje të ndjeshme të temperaturave.
Të mërkurën, Kosova do të jetë nën ndikimin e fushave të presionit në rënie, të cilat do të favorizojnë zhvillimin e vranësirave të dendura. Moti parashihet kryesisht i vranët, me mundësi për riga të dobëta dhe lokale shiu. Temperaturat mbeten relativisht stabile, ndërsa fusha barike do të vazhdojë të bjerë gradualisht. Era do të fryjë nga jugperëndimi me shpejtësi 1–9 m/s. Temperaturat minimale do të luhaten nga –1°C deri në 7°C, ndërsa maksimalet ditore pritet të arrijnë nga 8°C deri në 11°C. Sipas IHMK-së, e mërkura do të sjellë vlerat më të larta termike të javës, pasi menjëherë më pas pritet një ndryshim i dukshëm i motit.
“Nga e enjtja deri të shtunën, në vend do të depërtojë një masë e ftohtë ajrore me origjinë veriore, e cila do të sjellë ulje të konsiderueshme të temperaturave dhe mot të vranët me reshje. Në zonat malore parashihet të ketë reshje të vazhdueshme bore, ndërsa në ultësira reshjet fillimisht do të shfaqen si riga të dobëta shiu, për të kaluar gradualisht në borë me rënien progresive të temperaturave”, njofton IHMK.
Sipas këtij instituti, reshje bore me intervale të shkurtra mund të paraqiten edhe në disa zona të ulëta, kryesisht gjatë pasdites dhe mbrëmjes së së enjtes dhe të premtes, varësisht nga intensiteti i masës së ftohtë dhe profili termik i shtresës së ulët të atmosferës.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

