Opoja.net

Terrori serbosllav gjatë luftërave ballkanike në Opojë (1912-1913)

Lajme Opoja
Terrori serbosllav gjatë luftërave ballkanike në Opojë (1912-1913)

Pas Marrëveshjes Bullgare-Serbe, e cila u mbajt në mars 1912, si çdo shtet ballkanik, edhe populli shqiptar ishte i interesuar për t’u çliruar nga zgjedha osmane. Kjo gjë nuk u realizua ashtu siç duhej ngaqë shtetet ballkanike kishin si synim t’i pushtonin tokat shqiptare dhe si pushtues i tmerrshëm ishte Serbia, e cila marshoi drejt Kosovës. Kështu filloi mospajtimi i shqiptarëve kundër serbëve.
Organizimi i kosovarëve, në veçanti i Prizrenit me rrethinë Sharr (Dragash), kishte filluar më 14 tetor 1912. Ishte parashikuar që në Prizren të ngriheshin në luftë rreth 15 mijë veta. Në Opojë ishin ngritur rreth tre mijë vullnetarë. Vijat bazë për qëndresën ishin dy: ajo e Carralevës-Qafës së Duhles-Lipushës dhe ajo e Qafës së Prushit, Qafa e Zhurit – Guri i Zi në Sharr (Dragash). Më 24 tetor 1912 armata e tretë serbe niset nga Prishtina për Shkup e Kumanovë. Në këtë drejtim u nisën edhe bajraqet e Perëndimit, Ostrozupit, Hasit e Opojës. U rreshtuan në Gryken e Carralevës, Qafë Duhle e Lipushë. Në krye ishin Ahmet Qahaja, Qazim Lika etj. Pavarësisht rezistencës dhe trimërisë së jashtëzakonshme të forcave shqiptare, ata u mposhtën, ndërsa ushtria serbe kishte arritur në Opojë e Lumë. Në lumë i bashkëngjiten edhe forcat e Isa Boletinit; rreth 25 mijë luftëtarë. Në krah të Sharrit dhe në pjerrtësinë e Pashtrikut dhe të Gjallicës, të gatshme për qëndresë, në krye të këtyre ishin Kapllan Opoja, Jahja Prizreni, Sheh Hasani etj.
Kapllan Opoja me trima ishin vënë përballë grupit të armatosur serb në Opojë, ku armata serbe kishte marshuar nga Zhuri deri në Gurin e Zi (në territorin e Zaplluxhes). Në vendin e quajtur Llapushnik zhvillohej lufta e ashpër mes serbëve e shqiptarëve, ku krejt Opoja ishte mbuluar me zi nga tymi. Pas rezistencës që i kishte bërë Opoja, armata serbe korri fitore në këtë betejë, ku u mbytën qindra veta.
Armata serbe kishte marshuar tri herë në Opojë, ku i dogji disa fshatra. Në Bellobrad 45 deri në 70 shtëpi, kurse janë bërë shkrumb e hi, janë vrarë 80 deri në 87 veta. Në fshatin Renc janë djegur 30 deri në 40 shtëpi dhe janë plagosur 40 deri 45, po asnjë i vrarë. Fshati Bresanë është sulmuar dy herë. Herën e parë 30 shtëpi janë bërë shkrumb e hi dhe janë vrarë 40 veta, kurse herën e dytë janë djegur 25 shtëpi dhe janë vrarë 25 veta. Fshati Zym kishte të djegura 30 shtëpi, kurse janë plagosur 27 veta, ndërsa në fshatin Brrut bëhen shkrumb diku 90 shtëpi dhe vriten 60 veta.
Plaku 90-vjeçar nga fshati Brrut i Opojës, Vahit Beshiri, ende i mban të freskëta tregimet e babait të vet, Ymerit, që i kishte treguar për ngjarjen e armatës serbe që kishte bërë si në shtëpi ashtu edhe në banorë, ku tregon vërtet një histori të tmerrshme për fshatin Brrut dhe banorëve të fshatit. Pasi i marrin disa fshatarë nga fshati dhe i tubojnë te vendi i quajtur Vidhi, aty i nisin drejt rrugës për tek vendi i quajtur Brijë (arat e poshtra), por gjatë rrugës ikën një nga ata dhe shpëton, kurse të tjerët i sigurojnë fort dhe i çojnë te Brija për t’i pushkatuar. Vetëm Tafili kishte shpëtuar nga pushkatimi. Më pas armata serbe ishte tërhequr nga vendi i ngjarjes. Tafili largohet dhe mundohet të ikë. Ai u mbulua me gjethe të malit por, për fat të keq, e vërejti armata serbe dhe e pushkaton. Edhe pse armata serbe e digjte fshatin, fshehtazi nëna me kushërira e marrin Tafilin dhe e varrosin te vendi i quajtur Ograde. Pasi u largua armata serbe nga fshati Brrut, banorët shkojnë te Brija dhe i varrosin të pushkatuarit. Sipas Ymerit, babait të Vahitit, vetëm njërit ia kishin njohur dorën dhe tjetrit xhamadanin, ndërsa të tjerët ishin bërë shkrumb e hi. Aty ishin të vrarë rreth 46 veta.
Në këtë varrezë masive janë identifikuar mbetjet mortore të: Bislim Dervishit, Bazë Rexhës, Metë Bajrës, Bisë Seronit, pastaj të Azizit, djali i Tixhës, Behxhet Alisë, Sahit Beqës, Kadri Bajrës, Demë Bajrës, Sylë Nurës, Hasani i biri i Zylfës, Meleq Alisë, Ukë Shabanit, Sylë Alisë, Nur Misinit, Fetah Azerit, Islam Myrtës, Jakup Miftari, Shaqir Isufit, Seron Halimit, Shitë Kamberit, Pajazit Zhelës, Sahit Beqës, Avdi Hasanit, Pajazit Beshirit, Mahmut Sylës, Batë Makës, Agush Mazllumi, Abaz Rexhepi, Nuhi Xhema, Mursel Kamberi, Kolë Jak Gjoni, dhe Gjon Jak Gjoni (dyqanxhi në fshatin Brrut) etj.
Ndërsa Shasivari, Rizahu, Nuridini, Beqiri, Ukë Shabani, Qazim Jakupi, Ramadan Çaushi, Selman Rama, pastaj Tafil Sinani, Ismail Zeneli, së bashku me të shoqen, vajzën dhe dy djemtë, Hasan Zeneli, Zylfi Hasani e shoqja e Kadriut së bashku me tre fëmijë në gji, në mesin e tyre edhe halla Shena e Ymeri Beshirit, janë mbytur në pusin e Qamil Kadrisë. “Serbët në këtë fshat i zunë disa fëmijë të gjallë dhe i dogjën në sanë. Bademe Agush Mazllumi gjeti vdekjen në zjarrin e shtëpisë bashkë me katër vajzat e saj. E ëma e Tahir Sallës u dogj pranë pusit, ndërsa nëna e Ramiz Rrustemit mbytet në pus për të mos u rënë në dorë kriminelëve serbë”, tregon Vahit Beshiri.
Gjithashtu, Beshiri tregon edhe për një varrezë tjetër masive të së njëjtës kohë. “Varri gjendet te vendi i quajtur Livadhi i Kasos. Aty janë të vrarë e të bërë shkrumb e hi disa viktima. Po ashtu, edhe në këtë varrezë janë të identifikuar mbetjet mortore. Të gjithë ishin njerëz të shquar të asaj kohe (pasanikë e udhëheqës të fshatrave). Ata janë: Abdyl Xhelaludini, Haxhi Idriz Meleqi, Rexhep Sinani, Shaban Sylemani, Emin Halimi, Sali Musliu, Sahadat Rystemi, Muhamet e Adem Brruti. Të njëjtit varr janë edhe eshtrat e Shaban Shabanit, Qerim Halimit, Nebi Idrizit dhe bashkëpunëtorë të tjerë: Destan Destanit, Veli Vesalit dhe të Sinan Musliut”, tregoi Beshiri.
Ushtria serbe i zuri në fshatin Pobreg mbi 50 burra e djem të Pllavës dhe i pushkatoi në fshatin Vraniq të Gorës. Emrat e viktimave të identifikuar deri më tani janë: Elmaz Mehmet Tërshnjaku, Kasam Salë Tërshnjaku, Merxhan Kosum Tërshnjaku, Belul Kosum Tërshnjaku, Rahman Islam Tërshnjaku, Osman Rrahman Tërshnjaku, (si fëmijë shpëtoi i gjallë), Veli Selim Tërshnjaku, Aziz Selim Tërshnjaku, Sherif Ramadan Tërshnjaku, Destan Minir Tërshnjaku, Shasë Beluli (II) Tërshnjaku, Ajup Limon (II) Tërshnjaku, Myftar Ymer Tërshnjaku, Adem Ymer Tërshnjaku, Xhemshit Adem Tërshnjaku, Kasam Hajdar Bojaxhiu, Fazil Bojaxhiu, Xhelil Bojaxhiu, Qerim (Maksud) Bojaxhiu, Ymer (Maksud) Bojaxhiu, Tosun Hasan Piraj, Abdurraman Shaban Piraj, Milaim Piraj, Ibrahim Lekaj, Mulla Shabani Piraj, Kurtish Bati Hulaj etj.

Shkruan: Gëzim Beshiri

(Opoja.net)

Dëshmitë ndaj ish-drejtorit të Financave në Komunën e Dragashit, si dhe dy zyrtarëve komunal

Opoja.net

Dy raste të reja me Covid-19 në Dragash

Fari Kolloni

Në moshën 86-vjeçare ka ndërruar jetë Shaban Mejzini

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net