Opoja.net

Tre mrekulli

Allahu i Madhëruar urdhëron:

“Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej atyre që kemi krijuar.” (Isra, 70)Një nga çështjet ku njeriu është ngritur lart prej krijesave të tjera, është edhe fakti se njeriut i janë dhënë cilësitë si mendja, zemra, logjika, urtësia dhe shpirti. Në sajë të këtyre, njeriu përfiton prej tre mrekullive të veçanta që interpretojnë dhe shpjegojnë njëra-tjetrën:

1. Përbërja, thelbi, esenca e vet njeriut…

89
SONDAZH / Zgjedhjet Lokale
A mendoni se ka keqpërdorime gjatë zgjedhjeve në Dragash ?

2. Shkolla e universit që është një Libër Gjithësie…

3. Fjala e Allahut, ajetet e Kuranit Fisnik…

Njeriut i është dhënë mendja që ai të mund të sodisë me ëndje dhe të meditojë këto mistere dhe urtësi hyjnore. Për këtë arsye, urdhri i parë i Kuranit Fisnik është:

 “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijon!..” (Alak, 1)

Kur i Dërguari i Allahut (a.s.), u përball me këtë urdhër hyjnor, ishte në gjendjen e meditimit dhe përkujtimit në Shpellën Hira. Domethënë, para se t’i jepej profecia, zemra e Muhamedit (a.s.), që ishte mërzitur jashtë mase brenda mizorive dhe errësirës së injorancës, duke marrë pak ushqim me vete, u tërhoq në vetmi dhe qetësohej me meditime të gjata ndërkohë që sodiste Qaben nga lart. Me urdhrin e parë hyjnor, “Lexo me emrin e Zotit tënd që krijon!..”, u bë e qartë edhe detyra e parë, që ishte meditimi. Kjo, sepse meditimi, është çelës i besimit, adhurimit, moralit dhe çdo gjëje tjetër…

Meditimi, çelës i besimit

Në fakt, qëllimi i krijimit të njeriut, është “adhurimi i Allahut të Madhëruar”, pra devotshmëria. Mirëpo, adhurimi është i pranueshëm vetëm nëse bëhet me një besim të vërtetë. Dhe, për të arritur një besim të vërtetë, është e domosdoshme të njohësh Allahun me zemër. Të njohësh Allahun e Lartëmadhëruar, i Cili është përtej çdo gjëje dhe është i pastër nga ngjashmëria me krijesat e Tij, është e mundur vetëm me anë të leximit me zemër të ajeteve në Fjalën e Tij (Kuranin) dhe të manifestimeve madhështore hyjnore që zbukurojnë gjithësinë.  Ky lexim, mund të arrihet vetëm në sajë të meditimit të një mendjeje të edukuar me shpalljen hyjnore dhe me ndjenjën e një zemre të shëndoshë, të pastruar prej gjendjeve dhe cilësive negative. Një meditim i tillë, është çelësi i besimit. Ajeti që vjen menjëherë pas urdhrit “Lexo!”, i kujton njeriut veten dhe krijimin e tij:

(Ai) e krijoi njeriun nga një droçkë  gjaku (alaka)!” (Alak, 2)

Në të njëjtën mënyrë, edhe në shumë ajete të tjera njeriu ftohet të meditojë mbi përbërjen e vetes së tij:

 “Le të meditojë njeriu se prej çfarë është krijuar!” (Tarik, 5)

Kush është Ai që e krijoi njeriun prej një uji pavlerë? Kush është Ai që i dha formën më të bukur, e furnizoi dhe i dha jetë?

“O njeri, ç’të mashtroi ty që nuk i besove Zotit tënd bujar, i Cili të krijoi ty, të dha përmasa të rregullta dhe të harmonizoi dhe, që të ka mbrujtur në çfarëdo forme që ka dashur?!” (Infitar, 6-8)

Biri i njeriut, e ndjen të nevojshme të falënderojë edhe atë që i jep qoftë edhe një gotë ujë. Për rrjedhojë, nëse ai nuk mediton mbi Krijuesin e vet dhe nuk falënderon për krijimin e vetes, kjo është një indiferencë dhe një injorancë e madhe!

Sa domethënëse janë këto fjalë të Burseviut të nderuar:

“Sa i madh është Allahu, i Cili e bën të dëgjojë një copë delli si veshi, e bën të shohë një copë dhjami si kokërdhoku i syrit, e bën të flasë një copë mishi si gjuha… Ai që i ka pajisur bimët me fruta e fara, kafshët me mish e me dhjam, tokën me pemë e lumenj dhe qiellin me yje dhe dritën e tyre… Ai që e ka caktuar natën për të pushuar njerëzit dhe që dhuron aq sa dëshiron prej mirësive të panumërta të ditës!

Megjithëse ti, nuk arrin të bëhesh rob i Tij i merituar, Ai, sikur nuk ka rob tjetër përveç teje, të vlerëson dhe të furnizon materialisht dhe shpirtërisht. Ndërsa ti, je aq indiferent ndaj adhurimit të Atij, sikur të kishe ndonjë tjetër (strehim, mbështetje) përveç Tij. (Sa injorancë e madhe dhe mosnjohje e vetes është kjo!)”[1]  Ajetet në vijim të sures Alak, tërheqin vëmendjen në mirësitë e Allahut të Madhëruar ndaj njeriut:

“Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, ia mësoi njeriut penën dhe ato që nuk i dinte.” (Alak, 3-5)

Allahu i Madhëruar i ka dhënë njeriut duar me të cilat mund të mbajë lapsin, e të kryejë punë delikate dhe i ka dhuruar mendje të aftë me të cilën do t’i përdorë ato duar dhe do të zhvillojë mjete shkence dhe meditimi, si lapsi e të tjera të ngjashme.

Allahu i Madhëruar urdhëron:

 “(Rrahmani) i ka mësuar atij të folurit e qartë.” (Rrahman, 4)

Mistere dhe urtësi

Fjala arabe, “bejan”, e cila përdoret në ajetin e mësipërm, ka kuptimin; të kuptosh fjalën e Allahut të Madhëruar, të mund ta shprehësh atë, ta flasësh, ta mendosh dhe të meditosh mbi të. Mësimi i bejanit/të folurës së qartë, do të thotë që njeriu të jetë i aftë për të gjitha këto fizikisht dhe shpirtërisht.  Njeriut i është dhënë mirësia e të folurit me një pasuri të madhe fjalësh dhe shprehjesh. Ndërsa hapi i parë i të folurit, është shndërrimi i mendimit në simbole, të cilat i quajmë fjalë. Këto simbole thirren prej thellësive të memories me anë të një mekanizmi, misterin e të cilit as nuk mund ta imagjinojmë dhe radhiten njëra pas tjetrës brenda një fjalie. E, fjalive u shtohen fjalë, kuptime dhe ndjenja.  Më pas, ajri që e ka përfunduar detyrën e vet në trup dhe del prej mushkërive si dyoksid karboni, kthehet në fjalë, në sajë të kordave të zërit, gjuhës, dhëmbëve dhe buzëve. Në momentin e veprimit të të folurit, lëvizin edhe 44 muskuj të fytyrës, duke i ardhur në ndihmë fjalëve që shprehin qëllimin, edhe me mimikën e fytyrës. Ajri i merr këto fjalë dhe i transmeton në daullen e veshit të personave përreth në miliona kopje. Në një vend ku nuk ka ajër, nuk transmetohet as zëri. Po ashtu, edhe në trupin e dëgjuesit, në sajë të një udhëtimi po aq madhështor sa tek folësi, deshifrohet kuptimi i këtyre fjalive dhe fjalëve dhe kuptohet mendimi dhe ndjenja që përmbajnë ato. Shkurtimisht, edhe kuptimi i atyre që fliten, është një hallkë po aq e rëndësishme sa mrekullia e të folurës.[2]

Sigurisht që, kuptimi i fjalës “bejan”, nuk është thjesht, “të flasësh”. Në krye të sures Rrahman, pasi urdhërohet: “I Gjithëmëshirshmi ua ka mësuar Kuranin (robërve të Tij). E ka krijuar njeriun!”[3], shprehet se njeriut i është mësuar edhe “bejani/e folura”. Kjo tregon se, ajo që Allahu dëshiron të thotë me fjalën “bejan”, është se në meditimin dhe botëkuptimin e njeriut gjendet aftësia për “të kuptuar dhe shprehur” Fjalën e Allahut dhe mesazhet hyjnore në gjithësi. Allahu i madhëruar, i ka mësuar “emrat” babait të njerëzimit, Ademit (a.s.). Krijesat e tjera veprojnë në bazë të instinkteve dhe nevojave që janë vendosur në natyrën e tyre dhe nuk mund të dalin jashtë rrethit që është përcaktuar për to. Një qen, nuk mund ta dijë përbërjen, emrin apo llojin e një maceje. Ai nuk mund të meditojë mbi urtësitë e saj. Ndërsa një mace, nuk e njeh as emrin e një mali, as dobinë e tij në sistemin ekologjik, sepse vullneti hyjnor, nuk ua ka mësuar atyre “bejanin”, por njerëzve. Gjithashtu, “bejan”, nuk do të thotë vetëm njohje dhe shprehje e shkaqeve fizike. Por me ngritjen e nivelit shpirtëror të besimtarit, para syve të tij të zemrës hapen horizonte të gjera. Për rrjedhojë, i Dërguari i Allahut (a.s.), ka thënë.

“Betohem në Allahun se, nëse do të dinit atë që di unë, do të qeshnit pak, e do të qanit shumë, do të derdheshit nëpër rrugë e shkretëtira dhe do t’i përgjëroheshit Allahut (që t’ju largonte fatkeqësitë).” (Ibn Maxhe, Zuhd, 19; shih. Muslim, Fedail, 134.)

Domethënë se, “bejani” që na ka mësuar Allahu i Madhëruar, ndryshon sipas nivelit të çdo zemre.  Ky “bejan”, pra, aftësia e kuptimit të ajeteve dhe mesazheve të Allahut dhe familjarizimi me misteret dhe urtësitë, ishte në kulmin e saj tek i Dërguari i Allahut (a.s.)… Tek njerëzit e mirë dhe të dashurit e Allahut, kjo manifestohet sipas nivelit të zemrës që zotërojnë. Ndërsa tek njerëzit e thjeshtë, është në nivelin e kuptimit të të dukshmes, të dëgjimit dhe të shprehjes. Të gjithë ulen para një rahleje të Kuranit, shohin të njëjtën pamje dhe përballen me të njëjtat rreshta. Mirëpo, prej mesazheve në gjithësi dhe në Kuran, gjithkush përfiton sipas nivelit të zemrës që ka.

Këtu duhet të theksojmë edhe se:

Nëse mirësitë si mendja, kuptimi dhe e folura, të cilat Allahu ia ka falur dhe ia ka përsosur njeriut, përdoren për të kundërshtuar madhështinë hyjnore që i ka falur ato, kjo është një poshtërsi dhe paturpësi shumë e madhe! Sot, njerëzit e devijuar që e refuzojnë krijimin dhe i besojnë “evolucionit” dhe “rastësisë”, e shohin njeriun si një gjallesë të dalluar për zgjuarsinë e tij të jashtëzakonshme ndër të gjitha kafshët. Dhe, duke ia atribuuar këtë, jo Krijuesit, por natyrës, ata tregojnë një arrogancë dhe injorancë të tepruar.  Kur pyetet për evolucionin, i cili është thjesht një teori, se, “pse nuk formohen më gjallesa të reja?”, ata ia hedhin topin “kohës”, duke thënë: “Gjithçka u bë vetvetiu dalëngadalë brenda miliona viteve!”. Kështu thoshin edhe ata që kishin të njëjtën logjikë shterpë në periudhën e injorancës:

“Ata thonë:

«Nuk ka tjetër veç jetës së kësaj bote, vdesim e jetojmë dhe vetëm koha na shkatërron!» Ndërsa Allahu i Madhëruar, u përgjigjet:

“Ata nuk kanë kurrfarë dijenie për këtë, ata vetëm hamendësojnë ashtu!” (Xhathije, 24)

Pyetje për Darvinistët

Meqenëse njeriu paska dalë në ekzistencë në sajë të evolucionit, -siç thonë ata-… Sot ekzistojnë shumë lloje majmunësh, prej llojit më të vogël, e deri tek më të mëdhenjtë si gorillat dhe orangutangët. Sikur ata të gjejnë majmunin më të afërt me njeriun -sipas pretendimit të tyre-, e t’i japin atij majmuni prej gjeneve njerëzore me anë të mundësive të avancuara të mjekësisë dhe ta shndërrojnë atë në njeri!.. A është e mundur? Ose t’i japin njeriut prej gjeneve të majmunit, e ta kthejnë në majmun!.. E pamundur! Ja pra kjo është rrënoja e mendimit që solli filozofia e broçkullave!.. Për fat të keq, sot, për shkak të armiqësisë ndaj fesë, me miliona njerëz shkojnë pas një rryme negative dhe injorante që quhet “evolucion”. Përveçse tregohen fanatikë, si njerëzit në kohën e injorancës, të cilët thoshin, “kjo është tradita e të parëve tanë”, ata lidhen edhe verbërisht pas ideve të tyre. Ata përpiqen vazhdimisht të mohojnë faktin se, gjallesat janë krijuar nga Allahu para miliona viteve dhe ta lidhin këtë krijim me shkaqe rastësore. Ata shpikin lloj-lloj skenarësh me anë të forcës së imagjinatës dhe vizatimeve të rreme, duke abuzuar me respektin që kanë njerëzit e thjeshtë ndaj shkencave pozitive. Mirëpo, këtyre pyetjeve nuk mund t’u japin përgjigje: Meqenëse evolucioni është baza, atëherë përse ekzistojnë gjallesa, të cilat janë vërtetuar me anë të fosileve, që nuk kanë ndryshuar, por janë të njëjta prej mijëra vitesh? Përse këto gjallesa nuk ndryshojnë? Meqenëse evolucion do të thotë të ndryshosh drejt së përsosurës dhe në përputhje me kushtet, atëherë përse krijesat ekzistojnë në forma të llojllojshme? Përse të njëjtat kushte shfaqin me miliona ndryshime, ku tek njëri dalin krahë, tek një tjetër këmbë, e tek një tjetër brirë? Meqenëse evolucioni vazhdon në një formë shumë të ngadaltë, a nuk do të duhej të dukej dhe të provohej qoftë edhe në formë mikroskopike? Gjithashtu, po sipas këtij botëkuptimi, çdo qenie duhet të ishte “gjysmë”, pra ende e paplotësuar, në gjendje zhvillimi të vazhdueshme. Mirëpo, mekanizmi i cilësdo gjallesë të analizohet, vihet re se është në formë të përsosur dhe nuk shihet asnjë mangësi, e metë apo kotësi në të.  E kur edhe ky zhvillim i ngadaltë nuk është arritur të vërtetohet, nxirren teori të pabaza, të cilat pretendojnë se gjallesat e reja krijohen përnjëherësh. Mirëpo, edhe kjo nuk arrihet të vërtetohet, sepse gënjeshtra s’mund të vërtetohet.  Kur Allahu i Madhëruar dëshiron të bëjë diçka, Ai thotë “Kun/Bëhu!” dhe ajo bëhet.  Ndërkohë që asnjë sistem rastësie që është produkt njerëzor, nuk rezulton i mirë, i saktë, me domethënie dhe dobi, atëherë si mund të besohet se në natyrë kanë ndodhur herë pas here me triliona rastësi të suksesshme? Shkaku i besimit të këtyre pallavrave është mohimi i një Krijuesi. Dhe mohimi është një besim negativ dhe jorealist. Një zemër besimtare, beson në ekzistencën e Krijuesit të vet dhe, çelësin e meditimit e përdor në shërbim të besimit të vet. Ndërsa mohuesi, për të mbështetur besimin e tij të “mohimit”, shkëputet prej së vërtetës dhe çdo gjë e sheh me iluzion dhe dyshim. Të gjitha këto përçartje evolucioniste, janë për të mohuar “Autorin e Vërtetë”! Për të mohuar “Autorin e Vërtetë” me dituri të pakufishme, pretendohet se çdo gjallesë, madje çdo qelizë është e pajisur me një mendje të përsosur dhe një aftësi përshtatjeje të jashtëzakonshme.

Nga ana tjetër, Allahu i Madhëruar, në aspektin biologjik e ka krijuar njeriun të ngjashëm me kafshët në disa pika. Mirëpo, këto ngjashmëri kanë urtësitë e tyre:

1. Egoja njerëzore është frymëzuar me gjynah dhe me devotshmëri. Tek njeriu gjendet edhe aftësia për të rënë në “esfel-i safilin/më të ulëtin e të ulëtëve”, edhe mundësia për t’u ngritur në “ahsen-i takuim/krijesën më të mirë”. Domethënë, që të arrijë miqësinë e afërt me Allahun e Madhëruar. Për këtë arsye, nga mesi i njerëzimit kanë ardhur edhe profetë, edhe njerëz të mirë, e të dashur të Zotit, por edhe njerëz shumë të ulët, të egër, tiranë e të poshtër. Ja pra, në këtë kuptim, krijesat e tjera janë shembull domethënës për njeriun. Kjo, sepse bota e brendshme e njerëzve që nuk janë edukuar dhe bota e zemrës së të cilëve nuk ka arritur paqen, ngjan si një pyll me kafshë të egra. Sipas karakterit, tek çdo njeri prej tyre fshihet natyra e një kafshe. Dikush është dinak si dhelpër, dikush grabitqar si hienë, dikush ambicioz dhe grumbullues si milingonë, dikush të thith gjakun si shushunjë, e dikush të qesh përball por të bën gropën nga pas. Të gjitha këto një nga një, janë cilësi të natyrës së kafshëve.

2. Një urtësi tjetër e ngjashmërisë së njeriut me krijesat e tjera në aspektin e jashtëm, fshihet në faktin se ai ka marrë përsipër detyrën e të qenit halifja/mëkëmbësi i Allahut në tokë. Për rrjedhojë, në fillim, edhe melekët të cilët janë krijuar prej dritës, e kanë pritur me habi faktin që Allahu i Madhëruar ia dha detyrën e halifes një qenieje që e krijoi nga toka (dhe nga ana e jashtme ngjan me kafshët). Ndërsa Iblisi (shejtani) as që nuk mundi ta pranonte një gjë të tillë. Allahu i Madhëruar, njeriun, i cili është më i nderuari prej krijesave, nga një aspekt e krijoi me cilësi të njëjta me ato të krijesave më të ulëta. Mirëpo, Ai i dha atij edhe cilësi me të cilat mund t’i arrijë, e madje edhe mund t’i kalojë qeniet më të larta (si melekët). Ashtu si Iblisi, i cili nuk arriti ta kuptonte vlerën e njeriut, edhe evolucionistët dhe mohuesit e tjerë, nuk arrijnë ta ndajnë njeriun nga kafsha. Ata nuk arrijnë ta pranojnë aftësinë shpirtërore të njeriut.

3. Fakti që njeriu ngjan në një farë mase me krijesat e tjera në aspektin e ardhjes në jetë, nevojës për ushqim, vazhdimësisë së llojit dhe kthimit në dhe pas vdekjes, është një e vërtetë që do ta pengojë atë nga krenaria e tepërt. Ana “tokësore” e njeriut, ia lehtëson atij të jetë modest, shërbyes dhe të pendohet prej gabimeve. Ata që e refuzojnë faktin se njeriu është halifja/mëkëmbësi i Allahut të Madhëruar dhe i besojnë pallavrave të evolucionit, e tregojnë njeriun si gjallesën me nivelin më të lartë të zgjuarsisë, duke u kapluar nga mendjemadhësia. Ata tregohen aq arrogantë, saqë përsosmërinë në krijimin e tyre, nuk ia atribuojnë Krijuesit, por zgjuarsisë së tyre.

4. Krijesat e tjera janë vënë në shërbim të njeriut dhe janë përgatitur për të. Sot zhvillohen eksperimente mjekësore mbi gjallesa të ndryshme që i ngjajnë njeriut për nga struktura gjenetike, me qëllim që të vëzhgohen reagimet e trupit. Në këtë mënyrë, mund të zhvillohen shumë ilaçe dhe kura pa e kthyer njeriun në objekt eksperimentesh. Për shkak se Allahu është i Lartëmadhëruar dhe për shkak të sprovës së besimit, tek krijesat ekziston një perde e “jashtme”. Mirëpo, të ngecësh në perden e “jashtme” pa kaluar kurrë në brendësi, është një mangësi e madhe e të kuptuarit. E megjithatë, edhe në aspektin e “jashtëm” shihet qartë vula e artit madhështor të Allahut. Për rrjedhojë, të thuash që, gjithësia, e cila është një ekspozitë e jashtëzakonshme e artit hyjnor, është krijuar vetvetiu, do të thotë të braktisësh Krijuesin dhe të adhurosh krijesën e Tij. Si rezultat i kësaj, filozofia materialiste është bërë shkak që ateizmi të përhapet në të gjithë botën.

Ky botëkuptim i helmatisur:

– Në biologji lindi Darvinizmin. Një ideologji e mangët, e cila u përpoq ta mohojë krijimin me anë të evolucionit.

– Në psikologji lindi Frojdizmin, i cili e prezantoi njeriun vetëm si një qenie materiale dhe rob i ndjenjave të tij të ulëta.

– Në fushën ekonomike dhe politike lindi kapitalizmin dhe komunizmin, të cilat e shndërruan njeriun në një Karun i cili rend vetëm pas materiales. Qytetërimi perëndimor, ku mbizotëron ky botëkuptim, është bërë shkaktari i shkatërrimit të miliona njerëzve këto dy shekujt e fundit. Në ditët tona, edhe një filozofi mohuese e quajtur “Scientism”, e ka transformuar shkencën nga një instrument, në një qëllim më vete, duke adhuruar shkencat pozitive. Ky botëkuptim i pabazë, i cili merr shkas prej mizorive që kanë bërë të krishterët fanatikë në mesjetë ndaj njerëzve të shkencës, i konsideron fetë si ide të shpikura nga njerëzit dhe se rruga e vetme që do të udhëzojë njerëzimin, është shkenca, pra “mendja”. Mirëpo, mendja mund t’i bëjë dobi njerëzimit vetëm nëse përdoret në përputhje me shpalljen hyjnore, sepse mendja është një instrument si një thikë me dy presa. Ajo mund të përdoret edhe për dobi, edhe për dëm. Për shembull, me një thikë të mprehtë mund të kryhet një operacion që shpëton jetë, por mund të kryhet edhe një vrasje makabre. Energjia nukleare është e dobishme për ndriçimin e njerëzimit, ngrohjen e tij dhe dobi të tjera të ngjashme. Mirëpo, nëse prej saj bëhet bombë atomike, ajo kthehet në një monstër që zhduk të gjitha gjallesat dhe shkakton probleme gjenetike edhe tek brezat e mëvonshëm.

Arsyet për reduktimin e nafakës dhe për humbjen e vullnetit për ibadet dhe jetë

Opoja.net

Edhe heshtja është sëmundje!

Opoja.net

Nuk është me rëndësi se cfarë posedon, por çfarë zemre ke!

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net
Fokusi
Shiko
Zgjedhjet
Kontribo
Raporto