Në udhëkryqin e Plavës në Opojë është ngritur tyrbja që i përket periudhës paraosmane, kohës kur nëpër Opojë kishte ardhur Sari Salltëku si misionar i përhapjes së islamit. Njerëzit besojnë se kjo tyrbe i shëron të gjitha sëmundjet dhe i zgjidh problemet njerëzore, kurse është traditë që në tyrbe duhet lënë diçka, sidomos para. Muharrem Qaflleshi, njohës i historisë nga Opoja, shprehet se ndonëse për Sari Salltëkun në botë është shkruar mjaft, kjo nuk ka ndodhur edhe në historiografinë tonë shqiptare. Sipas tij, aspekti historik i personalitetit të tij dhe veprimi i tij misionarist ka mbetur i pandriçuar, i mbështjellë me elemente mistike.
Njeriu me 72 varre
Studiuesi Nexhat Çoçaj e shpjegon se misionari i parë i përhapjes së besimit islam thuhet se ishte Sari Salltëku. “Ai një ditë para se të vdiste tregojnë se i ka mbledhur 72 nxënës, aq sa ka pasur, dhe u ka thënë se unë nesër vdes, kurse e di se ju secili keni dëshirë të më varrosni në vendlindjet tuaja. Prandaj në arkivolin që ka lule aty do të jetë trupi im. Mirëpo, të nesërmen thuhet se ai ka vdekur dhe në 72 arkivole ka pasur lule. Secili nga nxënësit e ka marrë arkivolin me bindjen se e ka trupin e Sari Salltëkut, prandaj thuhet se në botë janë 72 vende ku bëhet vizitë (izaret), në kujtim të këtij misionari. Hulumtimi i fenomenit dhe personalitetit të Sari Salltëkut na imponohet, për arsye që të ndriçohet personaliteti dhe roli i tij dhe i nxënësve të tij në histori, të ndriçohen lëvizjet e tyre, kontributi i tyre për fenë dhe për historinë e tesavufit – mistikës islame”, pohon Çoçaj. Sipas tij, në biografinë e këtij misionari ka shumë elemente mistike. Biografia e këtij misionari na ndihmon para së gjithash në ndriçimin e shumë çështjeve në lidhje me përhapjen e islamit në Ballkan, veçanërisht ndër shqiptarët para depërtimit të osmanlinjve në këto vise.
E solli islamin para se të vinte ushtria osmane Në shkrimet e tij teologu Nexhat Ibrahimi thotë se paraqitja e Sari Salltëkut në skenën historike dhe aktiviteti i tij misionarist konsiderohet se paraqesin një periudhë shumë të rëndësishme në përhapjen e besimit islam në Perandorinë Bizantine, Bullgare e Hungareze përgjithësisht, e në trojet iliro-shqiptare veçanërisht, para ardhjes së osmanlinjve. Shkencëtari Kemal H. Karpat konsideron se “banorët e parë myslimanë në Ballkan qenë me prejardhje turke”, kurse “grupi i parë mysliman me rëndësi paraqitet në shekullin XIII, edhe pse grupe më të vogla kanë ardhur qysh edhe në shekullin X apo XI. Sipas tij, kjo ndodhi në periudhën e paraqitjeve të herezive të ndryshme, sikur paraqitja e bogumilizmit, maniheizmit dhe në periudhën kur shtetet e atëhershme ndërmerrnin të gjitha masat e mundshme për çrrënjosjen e pikë- pamjeve heretike.
Edhe shkrimtari i njohur shqiptar Ismail Kadare në romanet e tij e thekson ardhjen e grupeve të ndryshme misionariste, ndër ta edhe të Sari Salltëkut, duke e përshkruar se si dervishët turq endacakë kishin ardhur në trojet tona përgjatë rrugës së vjetër e të njohur që nga antika Via-Egnatia, në grupe të vogla, nga dy veta, por shumë shpesh të vetmuar e të zbathur. “Edhe historiani e diplomati shqiptar i dikurshëm Ekrem bej Vlora pohon se në periudhën paraosmane në tokat shqiptare erdhën misionarë, dervishë shëtitës, që nuk qëndronin në një vend, por bënin përgatitjen e vendit për pushtimin ushtarak të Turqisë. Ndër ta duhet përmendur edhe Sari Salltëku. Vlora ata i quan pararojë të ushtrisë turke në Ballkan”, shkruan Ibrahimi.
Tyrbja ndodhet afër rrugës Një tyrbe e hershme është edhe ajo në fshatin Plavë të Opojës. Sipas Bashkim Sylejmanit, tashmë kjo tyrbe ekziston vetëm si relikt, pasi nuk është funksionale. Isak Elezi shprehet se kjo tyrbe konsiderohet si një prej objekteve të moçme historike në Opojë.
“Aty thuhet se është tyrbja e Sari Salltëkut. Dikur për këtë tyrbe janë përkujdesur familja Piraj e dajave të mi. Por, tash ajo është pa përkujdesje e bile mund të thuhet se nga vendasit edhe nuk vizitohet më për ndonjë besim”, tregon ai. Muharrem Qaflleshi, njohës i historisë nga Opoja, pohon se në udhëkryqin e Plavës është i ngritur në katër shtylla objekti që quhet tyrbja e Plavës, që i përket kohës paraosmane, periudhës kur nëpër Opojë kishte ardhur Sari Salltëku si misionar i përhapjes së islamit. “Pra, i përket periudhës së Sari Sallëtukut. Njerëzit besojnë se i shëron të gjitha sëmundjet dhe i zgjidh problemet njerëzore, por në tyrbe duhet lënë diçka sidomos para.” shprehet ai për “Kosova Sot”. I moshuari Alajdin Bego tregon se në atë tyrbe të Baba Sari Salltëkut vijnë më shumë për vizitë qytetarët e Gorës “Ne qytetarët e Gorës të ardhur në Prizren i kemi besuar edhe i besojmë asaj. Ajo gjendet skaj rruge dhe është e lehtë për ta vizituar. Ne më herët asaj tyre i kemi besuar për rehati familjare, kur kemi dashur rehati familjare në atë tyrbe ne si kalimtarë kemi vendosur aty ndonjë monedhë të hekurt dhe është besuar se ajo shtëpi pastaj do të ketë rehati”, tregon ai për gazetë.
(Kosova Sot)
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.