Bexhet(Safet) Xheladini u lind më: 11.03.1956 në fshatin Bresanë të komunës së Dragashit.
Me profesion është mjek – Specialist i Mjekësisë së Punës Ultrasonist Abdominal. Përveç detyrës si mjek – i njohur në trevën e Opojës ‘doktor Bexheti’, pra nga mjekët e parë – shqiptar të vendlindjes së tij (meqë viteve të më hershme mjekët ishin: serbë, malazezë, maqedonë,…), ka qenë edhe aktivist dhe veprimtar i çështjes kombëtare, sidomos gjatë viteve 1990 – 1999, pra gjatë periudhës më të rëndë nëpër të cilën po kalonte populli shqiptar i Kosovës.
Gjithashtu edhe me funksione të ndryshme, po themi ‘nderi’, ndonëse në atë kohë ata që ia patën mësyrë të merren me çështje të rëndësishme, njëkohësisht edhe të rrezikshme, qenia e tyre ishte në pikëpyetje të madhe, prandaj ajo është më shumë se nder. Meqë kanë shpëtuar, sot mund t’iu themi ‘heronj të gjallë’.
Doktor Bexheti ka qenë kryetar i komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, anëtar i komisionit të solidaritetit.
Pasi viteve: 1990 – 1991, pushteti i dhunshëm serb dëboi nga puna minatorët e Trepçës, mjeku Bexhet Xheladini themeloi shoqatën – “Familja ndihmon familjen”, ku me vullnetin e 500 familjeve opojane, u ndihmuan materialisht 500 familje minatorësh të: Magurës, Kishnicës, Novoberdës, etj..
Humanizmi i mjekut Bexhet Xheladini ishte në piedestale të larta, ngase ka bërë edhe mjekime e shërime të fshehta, madje në gjysmë të natës, sidomos të atyre që ndiqeshin nga okupatori serb, iu doli në ndihmë edhe luftëtarëve të lirisë. Jo vetëm kaq.
Gjatë viteve 1991 – 1992 ishte një inciativë e fshehtë, madje nga celulat e para që t’bëheshin përgatitje për vetëmbrojtje dhe rezistencë të armatosur. Edhe në këtë aspekt mjeku Bexhet Xheladini pranoi detyrën e caktuar. Për shkak të aktivitetit të tij në formimin e Shërbimit Sanitar të Shtabit Komunal në kuadër të Mbrojtjes Territoriale të Republikës së Kosovës (Forcave të Armatosura të Republikës së Kosovës), më:
11. 10. 1993 është arrestuar nga forcat serbe, është torturuar dhe është mbajtur për 51 ditë në procedurë hetimore në burgun e Prizrenit.
“Bazuar në aktakuzën e PPQ në Prizren PP. Nr. 101/93, të datës 05. 11. 1993, si dhe në Aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut në Prizren, P. Nr. 27/93, të mbajtur më datën 22. 11. 1993. Nga organet serbe është akuzuar për atë se gjatë viteve 1991-1993 ka bërë vepër penale: ‘cenim të tërësisë territoriale’, sipas nenit 116. al. 1. LP RFJ, ndëshkuar sipas nenit 138 LP RFJ, vepër kjo, që kishte të bënte me mbrojtjen
popullore, për formimin e formacioneve ushtarake dhe paramilitare në Dragash dhe për organizimin e popullatës për vetëmbrojtje në rast të ndonjë konflikti të armatosur, e me qëllim për të shkëputur ‘Territorin e Kosovës dhe Metohisë’, nga RFJ dhe nga Republika e Serbisë, ndërsa ‘Kosovën për ta bërë shtet të veçantë’. Duke qenë mjek, Bexhet Xheladinit i ishte caktuar detyra që të bëjë ‘Organizimin e
Njësitit Sanitar’ për komunën e Dragashit”.
Për kontributin e tij, në detyrën e mbrojtjes, gjatë viteve të vështira 1992 – 1993, Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës e gradoi me gradën “toger”.
Edhe pas daljes nga burgu, doktor Bexheti nuk u ndalë së vepruari. Në vitin 1995, themeloi shoqatën “Handikos”, të cilën e udhëhoqi pa pagesë deri në përfundim të luftës.
Doktori qe njëri ndër organizatorët e hapjes së Shkollës së Mesme të Mjekësisë në Bresanë – paralele e ndarë fizike e shkollës “Luciano Motroni” të Prizrenit 1993/1994 – 1999/2000, ku punoi pa pagesë si mësimdhënës i Anatomisë.
Ai gjithashtu qe edhe njëri ndër themeluesit e ambulancës “Nënë Tereza”, ku punoi si mjek pa pagesë.
Ndërkaq, në ambulancën e tij private nga viti 1990 e deri në vitin 1999, u ofroi shërbime shëndetësore falas puntorëve të arsimit me familjet e tyre dhe rasteve sociale.
Më 14 prill të vitit 1999, u mobilizua si mjek në rradhët e UÇK-së.
Edhe pas përfundimit të luftës në Kosovë, ka qenë me disa funksione, si dhe ka marrë pjesë në shumë mbledhje e simpoziume. Është nderuar me shumë mirënjohje, ndërsa për sukseset e merituara i janë dhënë certifikata.
Me qenë se ka arritur moshën 65-vjeçare, doktor Bexhetit i dëshirojmë rehati pranë familjarëve, shokëve e miqve të tij. Ndërsa punën në ordinancën e tij private “ARTMEDICA” në Bresanë, shpresojmë se do ta vazhdojë pa përtesë. Gjithashtu kemi shpresë se humanizmin e tij do ta tregojë edhe më tej, ashtu siç ishte human edhe viteve të kaluara, pra edhe më të vështira.
Është baba i tre djemve. Jeton në vendlindje – Bresanë, me: bashkëshorten, vëllezërit, djemt, nipërit dhe mbesat e tij. Lusim Zotin e Madh për shëndetin dhe sukseset e më tejshme të doktorit.
P.S.
Sa herë që shkruajmë e flasim për personalitete të ndryshme, nuk kemi për qëllim që t’i lëvdojmë, sepse ata nuk kanë nevojë për lëvdata e fjalë miradije, por në këtë mënyrë duam që të tregojmë respekt ndaj tyre, gjithashtu edhe për t’mos e harruar mundin e sakrificën e tyre. Ndërsa, veprimtaria dhe kontributi disa vjeçar i tyre, në rrethana të jashtëzakonshme – lufte, veç të tjerash, duhet të jenë shembull për ne dhe brezat e ardhshëm.
___________
Disa të dhëna janë marrë edhe nga:
Bedri Halimi “Dhuna serbe në Opojë 1912 – 1999)”. Botoi Shoqata Kulturore Ymer Prizreni – SHKYP, Sharr, 2020, f. 176.
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.