UNDP dhe ADA ndajnë grante për ndërmarrjet e vogla

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Lajme Opoja

Programi i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim (UNDP), përmes projektit “INTERDEV 2”, dhe komuna e Vitisë organizuan sot një ceremoni nënshkrimi të granteve me sipërmarrës të ndërmarrjeve të vogla.

Përmes një komunikate për media bëhet e ditur se përfitues të granteve me këtë rast ishin tre fermerë të vegjël dhe shoqata që punojnë në bletari, përpunimin e mishit dhe përpunimin e perimeve. Kjo asistencë do të ju ndihmojë atyre të rrisin punën dhe zgjerojnë prodhimtarinë.

“Ngjarja dëshmoi bashkëpunimin e suksesshëm në mes të komunës, Agjencisë Austriake për Zhvillim dhe UNDP-së ku, nevojat e komunitetit vihen në radhë të parë dhe ofrohet kontribut që është në përputhje me prioritetet e zhvillimit lokal të integruar. Përfundimi i këtij aktiviteti do të përmirësojë jetën e 28 grave dhe burrave në Viti. Fondi për Zhvillim Lokal do të fillojë edhe një raund tjetër grantesh në fillim të vitit 2018 në Viti, Dragash dhe Shtërpcë për të stimuluar ekonominë lokale”, thuhet në komunikatë, transmeton Koha.net. .

Të pranishëm në ngjarje ishin Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, kryetari i komunës së Vitisë, Sokol Haliti, këshilltari dhe shefi i Zyrës së Vendit/Zyrës për Bashkëpunim Teknik të Ambasadës Austriake, Gunther Zimmer; shefi i administratës/këshilltar për sektorin privat, Arsim Aziri dhe menaxherja e projektit të UNDP-së INTERDEV 2 Vlora Elshani.

Me këtë rast, kryetari i komunës, Haliti i dorëzoi ambasadorit Pfandler një mirënjohje për punën e tij dhe përkrahjen që i jep Kosovës, thuhet në komunikatë.

Projekti INTERDEV 2, që financohet nga Bashkëpunimi Austriak për Zhvillim (ADA), promovon në mënyrë aktive fuqizimin e grave, të rinjve dhe personave që rrezikohen të anashkalohen, me mundësi për punësim, zhvillim të aftësive dhe ndërmarrësi rurale. Në tri vitet e ardhshme projekti do të krijojë mbi 700 vende pune dhe do të përmirësojë jetën e të paktën 3,800 banorëve në tri komunat ku ky projekt implementohet.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-