Vëllazëria Islame

Opoja.net Opoja.net Uncategorized

Para se të nderoheshin me Islam fiset vendase në Medinë, “Eus” dhe “Hazrexh”, kishin luftuar me njëri-tjetrin për më tepër se njëqind vite. Madje, përplasja e tyre e fundit kishte ndodhur pesë-gjashtë vjet para hixhretit/emrigrimit. Këto beteja, njiheshin me emrin “Betejat Buas”.

Në aspektin etnik, këto dy fise ishin vëllezër, por në fakt ata ishin armiq të njëri-tjetrit. Me ardhjen e Islamit në Medinë, në sajë të ndjenjave dhe parimeve të vëllazërisë islame, si cilësi e një identitetit të lartë që solli Islami, në fillim u bënë vëllezër feje me njëri- tjetrin, pastaj ndërmjet muhaxhirëve/emigrantëve, me ç’rast morën edhe emrin Ensar. Shoqëria dhe civilizimi Islam me të gjitha veçoritë dhe bukuritë e tij, u ndërtua pikërisht mbi këtë truall shoqëror, themelet e të cilit i hodhi vëllazëria islame.

Bashkimi dhe uniteti i Ensarëve, në mënyrë të veçantë brenda tyre, i shqetësoi shumë hebrenjtë e Medinës. Ata filluan të kërkonin taktika të ndryshme për të shkaktuar probleme dhe për të përçarë në një farë mënyre shoqërinë islame të Medinës, e cila ishte treguar e suksesshme në vëllazërimin islam.

Një ditë, një hebre i moshuar dhe ngatërrestar, Shas Ibn Kajs, pa një grup prej fiseve Eus dhe Hazrexh që bisedonin me dashamirësi dhe sinqeritet midis tyre, gjë që e shqetësoi pa masë atë. Për këtë arsye, ai thirri një të ri prej hebrenjve dhe i tha: “Shko hyr midis tyre dhe folu për luftërat e vjetra të “Betejave Buas”… Recitoju poezitë që kanë recituar dikur poetët e të dyja palëve në lidhje me njëri-tjetrin dhe nxiti ndjenjat e nacionalizmit tek ta!”

I riu hebre veproi pikërisht ashtu siç iu tha. Si rezultat i kësaj, tek ata njerëz u rishfaqën ndjenjat e krenarisë dhe epërsisë. Për rrjedhojë, ata e lanë bisedën e ëmbël dhe filluan t’i mburreshin njëri-tjetrit. Të dyja palët filluan të shpalosnin dhe të numëronin virtytet dhe cilësitë e larta të popullit dhe fisit ty tyre. Madje, ata recituan edhe poezi në mënyrë reciproke. Më në fund, dy të rinjtë u ngritën mbi gjunjë dhe filluan të ofendoheshin, duke e sfiduar njëri-tjetrin në duel. Ndërsa të tjerët, e mbështetën këtë sfidë si të verbër. Për rrjedhojë, ata dolën jashtë Medinës në një vend të quajtur Harre, me qëllim që të luftonin. Përveç kësaj, të dyja palët u çuan fjalë edhe pjesëtarëve të tjerë të fiseve të tyre. Kur fiset Eus dhe Hazrexh u mblodhën në vendin e përmendur dhe ishin gati të përplaseshin me njëri-tjetrin, Profeti ynë (a.s.), i cili ishte lajmëruar më parë për gjendjen, arriti në kohë në vendngjarje së bashku me një grup myslimanësh të përbërë prej muhaxhirëve dhe ensarëve dhe iu drejtua të pranishmëve:

“O myslimanë! Kini frikë Allahun, Allahun!.. Ende e ushqeni kauzën e injorancës, ndërkohë që unë jam midis jush, Allahu ju ka nderuar me Islam, ju ka gostitur me Islamin, ju ka çrrënjosur botëkuptimin e injorancës me Islamin, ju ka shpëtuar prej humnerës së mohimit dhe ju ka bashkuar zemrat?”[1]

Pas këtyre fjalëve të Rasulullahut (a.s.), pjesëtarët e të dyja fiseve e kuptuan se kjo punë ishte një hile e ngatërrestarit hebre dhe një mashtrim i shejtanit. Ata i hodhën armët dhe e përqafuan njëri-tjetrin duke qarë. Kështu, ata vazhduan të jetonin përsëri lumturinë e vëllazërisë Islame.

Kjo ndodhi, tregon qartë se, pa u ndërtuar në fillim vëllazëria islame përbrenda, është e vështirë ta jetosh këtë strukturë jashtë. Lidhur me këtë, një thirrje dhe paralajmërim i përgjithshëm i Profetit tonë (a.s.), që ka arritur deri tek ne me disa transmetime, urdhëron:

“O sahabët e mi! Mos e armiqësoni dhe mos e smironi njëri-tjetrin! Mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit dhe mos u shkëputni. O robërit e Allahut! Bëhuni vëllezër. Nuk është e lejuar që myslimani ta braktisë dhe të hidhërohet me vëllain e tij të fesë për më tepër se tri ditë.”[2]

Shprehjet “O robërit e Allahut” dhe “vëllezër”, të cilat janë përdorur në këtë thirrje dhe paralajmërim të Profetit tonë (a.s.), kuptohet qartë se janë përdorur si absolute dhe të përgjithshme. Në një transmetim tjetër ku përdoret shprehja “Siç ju ka urdhëruar Allahu”[3], shfaqet qartë para syve tanë se vëllazëria islame, është thelbi i kësaj çështjeje.

Në këtë transmetim dhe në transmetime të ndryshme të këtij hadithi, kufizimet dhe shënimet që janë radhitur si domosdoshmëri të “vëllazërisë”, janë të fokusuara të gjitha “mbi bindjen e Allahut” dhe tregojnë se çfarë niveli dhe çfarë pastërtie morale duhet të ketë umeti islam dhe struktura sociale e shoqërive.

Përveç kësaj, -në një transmetim tjetër- mënyra për të arritur “vëllazërinë islame”, është e lidhur me besimin e vërtetë dhe me ndjenjën e dashurisë dhe dashamirësisë ndaj myslimanëve të tjerë. Dhe, për të qenë vazhdimisht të vetëdijshëm për këtë lidhje dashurie dhe vëllazërie, është këshilluar një mënyrë shumë praktike, që është “përhapja e selamit”.[4]

Në civilizimin dhe kulturën Islame, ekzistojnë dy koncepte që i atribuohen Krijuesit të Madhërishëm në dy çështje: “Selami i Allahut dhe mysafiri i Allahut” Nëse i mendojmë dhe i vlerësojmë këto dy koncepte së bashku me këshillën: “O robër të Allahut! Bëhuni vëllezër!”, do të kuptohet qartë se sa ka funksionuar parimi i “vëllazërisë islame” në aspektin social të shoqërisë islame. Për këtë arsye, asnjë lidhje nuk del dhe nuk mund të dalë para virtytit të “vëllazërisë islame”.

Sjelljet që përbëjnë pengesë në realizimin e “vëllazërisë”, që përmendet në transmetimet e hadithit[5], na tërheqin vëmendjen për situatat që nuk përputhen me vëllazërinë, si përçarja, copëtimi, ftohtësia, shkëputja etj., të cilat vërehen në shoqëritë myslimane, si robër të Allahut ndaj të cilëve bëhet kjo thirrje. Atëherë, çdo mysliman duhet ta ndjejë mirë në shpirt se me myslimanët e tjerë është i lidhur me një lidhje të brendshme vëllazërore dhe se këtë e ka caktuar dhe deklaruar Allahu i Madhëruar, i Cili ka urdhëruar: “Me të vërtetë besimtarët janë vëllezër!”[6]

Për t’i bërë ballë çdo lloj zhvillimi pozitiv apo negativ që do të shihet me kohën në strukturën sociale të umetit islam, i cili është ndërtuar mbi themelet e vëllazërisë, është përcaktuar edhe “parimi i restaurimit”“Emri bi’l ma’ruf ue nehji ani’l-munker / Urdhërimi në punë të mira dhe ndalimi nga e keqja”. Padyshim se qëndrimi aktiv në mënyrë të vazhdueshme i këtij parimi midis myslimanëve si domosdoshmëri e lidhjes vëllazërore, nuk është aspak element presioni, por një metodë dhe thirrje për besim, përsosje dhe pjekuri.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-