Vetëm dy policë hetojnë përdhunimet e kohës së luftës

Opoja.net Opoja.net Kosova

Ndër krimet më të mëdha të kohës së luftës, Kosova i heton me dy policë – më shumë kapacitete nuk ka.

Aktualisht, janë 78 raste të raportuara në polici për dhunë seksuale në luftë – gjashtë prej tyre të paraqitura këtë vit.

Shifrat e sakta nuk dihen, por llogaritet se numri i përgjithshëm i personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës së viteve 1998/99 në Kosovë sillet në rreth 20.000.

“Aktualisht, në Njësinë e Hetimit të Krimeve të Luftës janë të caktuara dy hetuese, të cilat hetojnë dhe dokumentojnë rastet e dhunës seksuale/dhunimeve gjatë luftës”, thuhet në një deklaratë me shkrim të Policisë së Kosovës, dhënë Radios Evropa e Lirë.

Aty bëhet e ditur se kjo njësi është e centralizuar, që do të thotë se mbulon të gjitha rajonet e Kosovës, por detaje të tjera nuk jepen.

Në Ministrinë e Drejtësisë thonë se Kosova, aktualisht, “nuk ka kapacitete të mjaftueshme për adresimin e krimeve të luftës brenda sistemit të drejtësisë”, por zotohen se prioritet i tyre mbetet “shtimi i këtyre kapaciteteve”.

“Numri i hetuesve policorë, por edhe i prokurorëve dhe gjykatësve për hetimin dhe adresimin e rasteve, të cilat cilësohen si krime të luftës apo krime ndaj popullatës civile, është i pamjaftueshëm”, thotë MD-ja në një deklaratë për REL-in.

Në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës kanë në proces mbi 1.250 raste të krimeve të luftës, përfshirë 50 raste të dhunës seksuale.

Nga ky institucion thonë se trajtimi i lëndëve bëhet “me përkushtim”, por zvarritjet në trajtimin e rasteve, sipas tyre, lidhen me mbledhjen e ngadalshme të dëshmive nga policia hetuese në terren.

Tahiri-Sulimani: Për gati tre vjet, asnjë informacion nga drejtësia

Shyhrete Tahiri-Sulimani, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ngritur kallëzim penal për rastin e saj qysh në tetor të vitit 2019.

Edhe pse kanë kaluar gati tre vjet nga ajo kohë, Tahiri-Sulimani thotë se nuk ka asnjë informacion nga sistemi i drejtësisë.

“Asnjë gjë nuk ka ndryshuar, njëjtë… Por, e kam ndërmend që aty ku jetoj, në Perëndim, ta paraqes rastin”, thotë Tahiri-Sulimani për REL-in.

Ajo është gruaja e dytë në Kosovë, pas Vasfije Krasniqit, që ka folur publikisht për përjetimet e dhunës seksuale në luftë.

Ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, e cila shpesh është bërë zë i këtyre viktimave, thotë se është e domosdoshme që të rritet numri i stafit si tek organet e rendit, ashtu edhe tek ato të drejtësisë, që merren me këto raste.

Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës.
Atifete Jahjaga, ish-presidente e Kosovës.

“Nuk e di se si janë të rregulluara çështjet brenda sistemit në polici, por, në aspektin e përgjithshëm, mendoj se dy zyrtarë [policorë] janë nën minimumin e së nevojshmes për adresimin e këtyre rasteve”, thotë Jahjaga për Radion Evropa e Lirë.

“Jemi 23 vjet nga përfundimi i luftës, 14 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës dhe Kosova është dashur të ketë kapacitete shumë më të mëdha sa i përket adresimit të krimeve të luftës, por veçanërisht të dhunës seksuale, që është përdorur si mjet lufte nga forcat serbe në Kosovë”, thotë ajo.

Vetëm një i dënuar për dhunë seksuale në luftë

Mbi dy dekada pas luftës, autoritetet në Kosovë kanë dënuar vetëm një person për kryerje të dhunës seksuale në luftë.

Ish-rezervisti i policisë serbe, Zoran Vukotiq, është dënuar në korrik të vitit 2021 me dhjetë vjet burgim.

Sada thotë se organizata e saj është në kontakt të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për rastet e viktimave të përdhunimit dhe shton se “është e pakuptimtë” që vetëm dy policë të merren me hetime.

“Absolutisht nuk ka kuptim. Edhe numri i prokurorëve, edhe i policëve është shumë i vogël”, thotë ajo.

Me krimet e kohës së luftës në Kosovë, aktualisht, merren katër prokurorë.

Nga Ministria e Drejtësisë thonë se kanë ndarë buxhet për shtimin e kapaciteteve me prokurorë dhe shprehin bindjen se ata do të mund të bëjnë më shumë në “sjelljen e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës”.

Deri atëherë, efektet e vazhdueshme të dhunës seksuale, por edhe të krimeve të tjera do të vazhdojnë të mbeten plagë edhe më të hapura për viktimat.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-