Vetëvendosja në Dragash për vizitat studimore të asambleistëve: Ato janë pushime dhe luks në kurriz të qytetarëve

Merlinda Guraj Merlinda Guraj Opoja

Komuna e Dragashit edhe sivjet ka shpallur një tender për vizitë studimore për këshilltarët e Kuvendit Komunal, të cilët pritet t’i kryejnë këto vizita në Shqipëri dhe Maqedoni të Veriut. Buxhetit të komunës kjo vizitë e asambleistëve pritet t’i kushtojë rreth 9,900.00 euro.

Pas raportimit të djeshëm nga Opoja.net, në lidhje me këtë tender ka reaguar edhe Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Dragash. Në reagimin e saj thuhet se këto vizita jashtë vendit, të cilat janë bërë edhe disa herë të tjera nga kuvendarët e KK në Dragash, “kanë shërbyer për gjithçka tjetër, vetëm studimore asnjëherë nuk kanë qenë.”

“Si ndër komunat më të varfëra, ky vendim i K.K Dragash, veçanarisht në këtë situatë që gjendemi, është asgjë më shumë se lluks për pakicën në kurriz të qytetarëve, të cilët çdo ditë përballen me mungesën e gjërave elementare”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes së Dragashit.

Aty gjithashtu kritikohet edhe kërkesa e komunës që autobusët të jenë komod dhe me klimë, derisa, sipas LVV në Dragash, “shumica e mjeteve me të cilat çdo ditë nxënësit rrugëtojnë nga fshatrat për në shkollë, nuk plotësojnë as minimumin e kushteve elementare, se lëre më komoditet.”

Nga kjo qendër kanë thënë se asambleisti i tyre, Laurat Krasniqi, nuk do të merrë pjesë në këtë vizitë.

Më poshtë mund ta lexoni reagimin e plotë të LVV në Dragash:

“Vazhdohet avazi i “vizitave studimore” (që në fakt janë pushime) edhe këtë vit nga kuvendi komunal në komunën e Sharrit

Në këtë kohë pandemie e cila e ka rënduar jashtëzakonisht shumë jetën e qytetarëve në të gjitha aspektet, e veçanarisht në aspektin socio-ekonomik, kuvendi komunal në Sharr, njëjtë si viteve të kaluara, ka ndarë mjete në vlerë prej 9,900€ me qëllim të realizimit të së ashtu quajturës, vizitë studimore.

Siç e dimë nga vitet e fundit, këto vizita mund të kenë shërbyer për gjithçka tjetër, vetëm studimore asnjëjerë nuk kanë qenë.

“Të ketë autobusë komod dhe me klimatizim” është njëra ndër kushtet e kontratës.
Ua rikujtojmë se shumica e mjeteve me të cilat çdo ditë nxënës rrugëtojmë nga fshatrat për në shkollë, nuk plotësojnë as minimumin e kushteve elementare, se lëre më komoditet.

Si ndër komunat më të varfëra, ky vendim i K.K Dragash, veçanarisht në këtë situatë që gjendemi, është asgjë më shumë se lluks për pakicën në kurriz të qytetarëve, të cilët çdo ditë përballen me mungesën e gjërave elementare.

Asambleisti nga rradhët tona nuk do bëhet pjesë e kësaj vizite relaksuese dhe ne si Qendër e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Sharr e cilësojmë si skandaloz këtë vendim të kuvendit komunal.

Shumë shpejt në Sharr do të kemi një qeverisje që nuk keqpërdorë taksat e qytetarëve dhe që përmirëson mirëqenien e tyre.
Gjithashtu, jo shumë larg, për keqshfrytëzimet e vazhdueshme që i kanë bërë këta pushtetarë, do përgjigjen para organeve kompetente.

Qendra e LV Sharr,
17 nëntor 2020″

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-