Opoja.net

Ndjeshmëria për të mos u përlyer

Islame

Si Jusufi (a.s.)… Kur dyert të mbyllen fort për të mos parë asnjë njeri dhe kur është përgatitur mjedisi më i përshtatshëm për të bërë mëkatin… Kur gruaja e famshme dhe e fuqishme përgatiti çdo gjë për t’ia shfaqur veten njeriut më të bukur, Jusufit (a.s.)… Domethënë, kur e përgatiti mjedisin dhe i mori të gjitha masat e sigurisë për të bërë mëkatin… Kur i tha: “Eja!” Jusufi (a.s.), tha: “Meadhallah / i kërkoj mbrojtje Allahut!” Të ikësh prej gruas që të fton… Madje, të ikësh në atë mënyrë, saqë të të griset edhe këmisha… Pastaj të bëhesh objekt shpifjesh… Ja, kjo është rezistenca ndaj mëkatit. Ja, kjo është ndjeshmëria për të mos u përlyer. Apo siç shprehet edhe Kurani Fisnik, kjo do të thotë që të jesh “prej atyre që i nënshtrohen vetëm Allahut”. Ajo që përjetoi Jusufi (a.s.), ishte prej vështirësive të mëdha… Dobësia që gjinitë e kundërta kanë kundrejt njëra-tjetrës, shqetësimi për familjen dhe fëmijët, dashuria ndaj pasurisë, pasioni për të udhëhequr etj., janë fusha që shejtani i mallkuar mund “t’ua zbukurojë” njerëzve. Kurthet… Intrigat… Lehtësimet për të kryer mëkatin… Gjendje dhe situata në të cilat epshi mund ta kapë njeriun për hunde dhe ta çojë majtas e djathtas. Gjendje dhe situata në të cilat njeriu mund të zvarritet pas epshit… Atëherë, si mund të frenohemi dhe të rezistojmë kundrejt këtyre? Si mund të themi: “Meadhallah / i kërkoj mbrojtje Allahut?”  Ah sikur t’i shikojmë pretekstet që i shfaqte për veten bashkëshortja e mbretit (Zylejha e kishte emrin, apo jo?), për anaforën në të cilën kishte hyrë! Ah sikur të shohim shprehjen e saj të fashme: “Ja, ky është djaloshi për të cilin më nënçmuat dhe më përgojuat.” – pasi grave u dha nga një thikë në dorë dhe i pa duke prerë duart e tyre kur u solli Jusufin përpara!.. Domethënë, ah sikur ta shohim përpjekjen e njeriut për të gjetur pretekste që justifikojnë devijimin dhe përlyerjen e tij!.. Me të vërtetë, nuk është e lehtë që njeriu të thotë “meadhallah”. Bejazidi Bestami, rahmetullahi alejh, na paralajmëron: “Kur të bësh një mëkat, mos e bëj me gjymtyrën që ta ka dhuruar Allahu! Mos ke ndonjë gjymtyrë tjetër përveç gjymtyrëve që të ka dhënë Allahu? Kur të bësh ndonjë mëkat, mos e bëj në ndonjë vend ku të sheh Allahu! Mos ka ndonjë vend ku nuk të shikon Allahu? Kur të bësh ndonjë mëkat, mos e bëj në ndonjë vend që e ka krijuar Allahu! Mos ka ndonjë vend që nuk e ka krijuar Allahu? Atëherë, përse e bën atë mëkat? Përse e kalon vijën e kuqe që ta ka vendosur Allahu? Përse i shkel kufijtë e Allahut?” Ja pra, njerëzit si shembulli i Jusufit (a.s.), që e kanë zgjedhur për të qenë robër të sinqertë të Allahut, thonë: “Këtë dorë na e ka dhënë Allahu. Atë nuk mund ta përdorim në një punë që Allahu nuk është i kënaqur.” Ata veprojnë kështu edhe kur përdorin gjuhën e tyre… Kur thirren për të bërë ndonjë mëkat, thonë: “Allahu na shikon.” “Nëse e shkelim ligjin e Allahut në një vend që Ai e ka krijuar për të na shërbyer neve, kjo nuk mund të jetë në përputhshmëri me virtytin njerëzor.” Pra, veprojnë siç ka vepruar Jusufi (a.s.)… A është i lehtë një veprim i tillë? Sigurisht që nuk është i lehtë. Për këtë arsye, duhet të bëhemi robër më zemër të mbrujtur me sinqeritet. Si mund të bëhemi robër të tillë? Këtë mund ta bëjmë duke dalë në audiencën e Allahut Teala në kohën e seherit për të bërë llogarinë e ditës së djeshme, së sotme dhe së nesërme. Këtë mund ta bëjmë duke i parë pikat e zeza që bien në zemër dhe duke u pastruar prej tyre… Këtë mund ta bëjmë duke trokitur në dyert e mëshirës në kohën e seherit siç thotë edhe i Madhërishmi: “Ve’l-mustagfirine bi’l-es’har…” Nisur nga kjo, asnjëherë nuk duhet ta përlyejmë ditën, në mënyrë që të ngrihemi në seher dhe ta përjetojmë mirësinë e madhe të tij… Ndërsa nga seheri duhet të mbartim një zemër të pastër dhe frymëzim për ditën që vijon…

Si iu përgjigj Ebu Ubejde ibn Xherrah (r.a.), Hazreti Umerit kur e pyeti: “Çfarë është devotshmëria?”  Si ecën në një rrugë me ferra? I mbledh rrobat dhe bëj kujdes që të mos shkel në gjemba. Ja, ajo është devotshmëria. Jeta e kësaj bote i përngjan ecjes në një rrugë me ferra. Kjo është sprova e njeriut. A nuk është e vërtetë se Shejtanit të mallkuar i është dhënë aftësia për të ndikuar thellë te njeriu, pra, deri te damarët e tij? A nuk është e vërtetë se Shejtani është armiku i njeriut? A nuk është e vërtetë se brenda njeriut ka një fuqi që e quajmë “Nefsu’l-Emmare”, e cila bashkëpunon me Shejtanin dhe ka potencialin për të urdhëruar të keqen? Njeriu është i obliguar që të jetojë me zgjuarsi. Ai duhet t’i bëjë sytë katër, sepse, siç shprehet edhe Kurani Fisnik, bëhet fjalë për një armik që ndërhyn te njeriu “nga e djathta, nga e majta, nga përpara, nga prapa, nga lart dhe nga poshtë”. Pra, ky është shejtani i mallkuar… Gjithmonë duhet të jemi të kujdesshëm… Gjithmonë duhet të jetojmë në gatishmëri për t’u mbrojtur… Gjithmonë duhet t’i kemi në dorë armët e mbrojtjes. Gjithmonë duhet të përpiqemi që të jemi të pastër. Gjithmonë duhet të jemi të ndjeshëm që të mos përlyhemi. Atijje ibn Urve es-Sa’di, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut (s.a.s.), ka thënë: “Përderisa robi të mos qëndrojë larg edhe nga disa gjëra që nuk janë të ndaluara me frikën se bie në mëkat, nuk mund të lartësohet në gradën e të devotshmëve.” (Tirmidhi, Kijamet 19. Veçanërisht shik. Ibn Maxhe, Zuhd, 24.) Ndoshta duhet të përpiqemi për ta pastruar mjedisin në të cilin jetojmë… Ndoshta duhet të pastrohet i gjithë vendi… Ndoshta duhet ta parandalojmë ndotjen / përlyerjen e ajrit që marrim frymë… Të gjitha këto janë të nevojshme për t’i bërë lidhjet tona të shëndetshme me Zotin (xh.xh.). Ne i ngremë duart lart drejt Zotit… Por si mund t’i ngremë lart duart e përlyera? Çfarë mund t’i thonë Krijuesit, dhulxhelal, gjuhët e përlyera? A mund t’i drejtohet dhe t’i përgjërohet Atij një zemër që nuk e njeh mirë Atë? Evliatë / miqtë e Allahut janë përpjekur shumë për të gjetur përgjigjen e pyetjes: “Si pranohen lutjet, apo, përse nuk pranohen lutjet?” Përgjigja që kanë gjetur është pikërisht çështja e cilësisë në marrëdhëniet tona me Allahun Teala. Për këtë arsye, të gjithë duhet ta pyesim veten: “Sa e fortë është lidhja jonë me Allahun?” Apo: “Sa e dobët është lidhja jonë me Allahun?” Fjalët e Ibrahim ibn Ed’hemit në lidhje me këtë, e shprehin qartë çdo gjë. Një ditë Hazreti Ibrahim ibn Ed’hemit i thanë: “O veli i madh që e kalon të gjithë kohën me mirësi! Allahu (xh.xh.), thotë: “Lutmuni Mua dhe Unë do t’ju përgjigjem.” Ne e adhurojmë Allahun pa reshtur, por lutjet nuk po na pranohen.” Hazreti Ibrahim ibn Ed’hemi buzëqeshi me dhembshuri dhe u përgjigj:

“O bijtë e Ademit! Zemrat tuaja kanë vdekur për shkak të dhjetë gjërave.” Të gjithë u habitën dhe e pyetën: “Na kanë vdekur zemrat?” Hz. Ibrahim ibn Ed’hemi u tha: Po, u kanë vdekur zemrat. Si ka mundësi? Zemrat tuaja i keni bërë ushqim për dhëmbët helmues të mëkateve. Helmi i mëkatit ua ka tharë damarët jetikë të zemrave tuaja… Ndërsa Allahu i Madhëruar nuk i pranon lutjet e zemrave të vdekura. Mirë, por cilat janë këto mëkate?

1- Thoni se e njihni Allahun (xh.xh.), por nuk i zbatoni urdhrat e Tij.

2- E lexoni librin e Allahut (xh.xh.), por nuk i zbatoni urdhrat e tij.

3- Pohoni se e doni të Dërguarin e Allahut (s.a.s.), por nuk jetoni sipas Sunetit të tij.

4- Thoni se Shejtani është një armik, por i ndiqni hapat e tij dhe i shkoni nga pas. Gjithashtu krijoni miqësi me të.

5- Pohoni se e doni Xhenetin, por nuk bëni asnjë përgatitje për të.

6- Thoni se keni frikë nga Xhehenemi, por nuk kërkoni recetë shpëtimi prej tij dhe nuk largoheni nga mëkatet.

7- Thoni se vdekja është e vërtetë, por nuk bëni asnjë parapërgatitje për të.

8- Merreni me gabimet e të tjerëve, por nuk i shikoni aspak gabimet tuaja.

9- Notoni në mirësitë e ndryshme të Allahut Teala, por harroni ta falënderoni Atë.

10- Të vdekurit tuaj i çoni dhe i fusni në dhe, por nuk mendoni se një ditë edhe juve do t’ju vijë exheli.

Si mund të pranohen lutjet e zemrave që janë nxirë në këtë mënyrë? Nëse e lini urdhërimin për të mirë, lutja juaj nuk pranohet.

Mos i humb

Allahu nuk udhëzon keqbërësit

Opoja.net

Allahu e di se çka është më e mira për neve

Opoja.net

Tetë pyetje të zakonshme për të cilat Kur’ani ofron përgjigje

Opoja.net

Atje konsumohen mbi 20 milionë litra ujë të Zemzemit: Një vështrim rreth Haxhit, udhëtimit të shenjtë të myslimanëve

Opoja.net

1080 besimtarë nga Kosova do të udhëtojnë në vendet e shenjta për kryerjen e haxhit

Opoja.net

Njeriun e dallon morali, e jo bukuria

Opoja.net
Agjencia e Lajmeve
www.opoja.net