Të gjitha informacionet e deritashme për aksidentin tragjik në Kroaci, ku vdiqën 10 persona dhe u lënduan 30 të tjerë
Një autobus me targa nga Kosova është aksidentuar në orët e para të mëngjesit në Kroaci, ku kanë vdekur 10 persona e janë lënduar rreth 30 të tjerë. Sipas raportimeve të mediave kroate, autobusi ishte nisur nga Frankfurti i Gjermanisë për në Kosovë.
Deri tani, nuk dihet nëse ka fëmijë në mesin e të vdekurve apo plagosurve.
Por, mediat kroate raportojnë se rreth 20 persona dyshohet se kanë mbetur ende të bllokuar brenda autobusit.
Për rastin është deklaruar shefi i Policisë Rrugore të Stacionit Policor Slavonski Brod, Franjo Galiq.
Ai ka thënë se ky është një prej aksidenteve më të rënda që ka parë në jetën e tij, derisa ka treguar se ende ka pasagjerë të bllokuar brenda autobusit.
“Unë kam qenë në shumë aksidente, por ky është me të vërtetë i rëndë dhe mendoj se është ndër aksidentet më të rënda që kam parë. Autobusi ishte plot, por nuk mund të them nëse kishte fëmijë mes të vdekurve ose të plagosurve. Sipas udhëtarëve, kishte mbi 60 persona në autobus”, tha Galiq.
“Situata është shumë e vështirë dhe ka ende numër të madh të pasagjerëve që iu kërcënohet jeta brenda në autobus”, tha një zëdhënës i policisë.
Nga kompania turistike, “Deva Tours” nga Gjakova kanë thënë për Express se autobusi i tyre i cili mëngjesin e sotëm u aksidentua tragjikisht në Slavonski Brod të Kroacisë, po bartte mërgimtarë nga Frankfurti për në Prishtinë.
“Po, autobusi ka pasur brenda mërgimtarë që po vinin në Kosovë”, kanë pohuar nga kjo kompani.
Ata kanë thënë se nuk kanë informacione tjera lidhur me të vdekurit dhe rreth moshës së tyre.
“Nuk kemi informacione tjera. Nuk kemi aktualisht. Të lutem. Nuk dimë kurrgjë më”, kanë thënë nga “Deva Tours”.
Për aksidentin tragjik ka reaguar edhe kryeministri kroat, Andrej Plenkovic.
Plenkovic shprehu ngushëllime për familjet e viktimave, derisa tha se janë me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës.
“Me trishtim të madh morëm lajmin për aksidentin e një autobusi në rrugën afër Slavonski Brod, ku humbën jetën 10 persona. Ne jemi me familjet e viktimave dhe autoritetet e Kosovës, të cilëve u shprehim ngushëllimet tona më të thella. Shpresoj që pasagjerët e lënduar të shërohen. Për shkak të aksidentit të tmerrshëm, unë fola me Ministrin e Brendshëm, Davor Bozinovic dhe Ministrin e Shëndetësisë, Vilija Beros. Ministri Beroš dhe drejtori i mbrojtjes civile Trut u drejtuan për në Slavonski Brod për t’u njohur me të gjitha rrethanat e aksidentit dhe për t’u ofruar kujdes shëndetësor pasagjerëve të plagosur”, ka shkruar ai në Twitter.
www.rtvbesa.com
www.instagram.com/tvbesa
Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.