52% e punëtorëve në Kosovë e Shqipëri e shohin mundësinë për t’u larguar jashtë vendit

Kushtrim Guraj Kushtrim Guraj Kosova

Punëtorëve në Kosovë dhe Shqipëri janë më të shqetësuar në punën e tyre të përditshme për mundësitë e karrierës dhe pagën. Një anketë në lidhje me marrëdhëniet e shqiptarëve me punën, tregon se pjesa dërmuese e tyre nuk e pëlqejnë punën që bëjnë, kryesisht për shkak të pagës dhe se gjysma duan që të emigrojnë.

A je i kënaqur me punën tënde, paguhesh mirë, ndihesh i vlerësuar, ke mundësi të rritesh në karrierë, kompania ku punon ka kulturë pune, dhe a ekziston një ekuilibër mes jetës profesionale dhe asaj personale. Këto janë disa nga pyetjet e bëra nga kompania EPPC, që merret me burimet njerëzore, në kuadër të një sondazhi mbi kënaqësinë në punë, të kryer në Kosovë dhe Shqipëri.

Pas përfundimit të këtij sondazhi ka rezultuar se rreth 52 për qind e punëtorëve në Kosovë dhe Shqipëri shohin mundësinë për t’u larguar jashtë vendit. 25 për qind e tyre mendojnë që duan të ikin menjëherë. 72 për qind e punëtorëve shprehen se mundësia për një karrierë më të mirë është në vend të parë të listës së pakënaqësive në punë.

Administratori i EPPC, Erald Pashaj, rendit disa nga faktorët që i shtyjnë punëtorët në Kosovë e Shqipëri drejt pakënaqësisë.

“Të gjitha pyetjet dhe përgjigjet i hasim çdo ditë, por është ndryshe kur i shikon të reflektuara në përqindje, sesa njerëz p.sh. në Shqipëri mendojnë që mungon mundësia për të bërë karrierë. Është një nga elementët që personat në Shqipëri e shikojnë si të zymtë. Një pakënaqësi tjetër ka të bëjë me pagat. Rritja e madhe e çmimeve ka bërë që njerëzit të jenë më të ndjeshëm me pagën që marrin, që do të thotë se janë shumë më të pakënaqur me të njëjtën pagë që merrnin para pak kohësh, për shkak të rritjes së këtyre çmimeve dhe kostove të jetesës. Shqetësimi më i madh që kemi ne sot është pakënaqësia e madhe që ka forca e punës, përkundrejt punës që bën. Ajo që kemi vënë re gjithashtu është që 62 për qind e forcës ekzistuese të punës mendon për të ndërruar punë, qoftë edhe brenda vendit. Është një numër shumë i lartë dhe mendoj se punëdhënësit duhet të mendohen mirë, në mënyrë që të përmirësojnë gjithmonë disa kushte pune, se nuk është vetëm paga, por një paketë e madhe që personi të ndihet mirë në punën që bën. Pa pasur një përmirësim në kënaqësinë e punonjësve në punën e tyre, ne do të vazhdojmë të kemi rrjedhje të mëdha, dhe nga kjo rrjedhje nuk përfiton askush, as vendi, as punëdhënësi. Prandaj vetëm problematika do të kemi. Si përfundim ne kemi të njëjtin nivel pakënaqësie që kemi pasur edhe në vitin 2019, pra nuk kemi bërë asnjë progres”, ka thënë Pashaj.

Me 17 pikë më poshtë, niveli i pakënaqësisë në Kosovë ka shënuar rënie.

“Subvencionet e shtetit por dhe trajnimet e kryera ndaj stafit janë disa nga arsyet e uljes së nivelit të këtij elementi”, thotë Hivzi Jetullahu i EPPC në Kosovë.

Të rinjtë renditen si mosha më e pakënaqur në punë.

Drejtorja e Përgjithshme e EPPC-së, Dalina Gjicali, theksoi se problemi kryesor qëndron midis urave lidhëse të sistemit të arsimit me tregun e punës. Të pamartuarit dhe punëtorët në shtet ndihen më të pakënaqurit me punë që kryejnë sipas sondazhit. Teksa prej tre vjetësh ky element për Shqipërinë nuk ka ndryshuar, shifrat pozitive renditen te rritja e lidhjes së kontratave të punës, respektimi i ditëve të pushimit dhe festave zyrtare.

/OPOJAnet/

Opojanet ka hapur kanalin në Whats App dhe ju mund të na bashkoheni për të ndjekur lajmet tona BASHKOHU KËTU.

- Reklama-
- Reklama-